Duka: Emri i ri brenda muajit, ka shumë kandidatë

Oct 21, 2011 | 12:02

Largimin e trajnerin të Kombëtares, Josip Kuzhe, e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ai shtoi gjithashtu se nga dita e djeshme do të niste kontaktet për gjetjen e pasardhësit të Kuzhes dhe shumë shpejt do të vendosë se cili do ta drejtojë skuadrën. “Kuzhe nuk do ta rinovojë kontratën. Tashmë do të jemi në kërkim të një trajneri tjetër për ekipin kombëtar. Të dyja palët diskutuam që do të jetë mirë për Kombëtaren shqiptare për afrimin e një trajneri të ri, një energjie të re për t’u përgatitur në edicionin e ardhshëm dhe gjëja ku mund të ndryshonim për të pasur energji të reja është pikërisht trajneri. Realisht, për të qenë etik, nuk kishte si të diskutonim për emra pa mbyllur marrëveshjen me trajnerin me të cilin kemi bashkëpunuar për tre vjet. Nga dita e sotme jemi të lirë që të kontaktojmë me kandidaturat, të cilat edhe mund të kenë ardhur në rrugë formale apo informale, dhe do të vendosim sa më shpejt me qëllim që dy ndeshjet miqësore të nëntorit t’u shërbejnë përgatitjeve për edicionin e ardhshëm. Realisht nuk e di se kush do të vijë, Hasi apo dikush tjetër këtë javë në Shqipëri dhe realisht nuk kam diskutuar me asnjë për ndonjë takim. Dëshira ime është që t’i afrojmë një trajner sa më të mirë pankinës shqiptare dhe ta ndihmojë sa më shumë skuadrën në arritjen e objektivave”, tha Duka.

© Panorama.al

Te lidhura