Ngjarja e fundit në Laç dhe pikërisht gjaku i djalit të Vlorës, fotografuar dhe përcjellë me sekuencat TV. Ngjarja e Laçit, e cila sot pret të marrë drejtësi nga forumi disiplinor përtej Federatës Shqiptare të Futbollit, sërish besoj dhe mendoj se i ka lënë këtij sezoni një dritë të vogël në fund të tunelit për t’iu bindur ndërgjegjes së gjithsecilit, se përtej çdo akti anti-futboll, ka edhe drejtësi, ka edhe standard besueshmëria, ka edhe sado pak ndjesi humane që eklipson çfarëdolloj lufte sportive në fushë. Zoti president i Federatës Shqiptare të Futbollit! Jam shumë i bindur që vetë ju, realisht në këto momente, brenda vetes mendoni dhe besoni se Flamurtarin e kanë vënë prej javësh në “gijotinën” e madhe për ta rrëzuar, por jo për ta vrarë e për ta gjakosur. Institucioni që ju drejtoni dhe ka në dorë organizimin e garës, sërish jam me besimin e madh se brenda vetes, ka rënë në heshtjen e madhe që prodhon këtë padrejtësi. Me cilësinë e njeriut që prej vitesh ka qenë afër kësaj skuadre, duke dhënë çdo lloj potenciali dhe kontributi për t’ia kthyer skuadrën qytetit në nivelet që meriton, kërkoj ushtrimin e autoritetit tuaj personal dhe institucional për të besuar bashkarisht se kjo garë ka ende një “prind” sipër, që nuk mund të lërë askënd ta cenojë, prekë, vrasë apo gjakosë. Vlora pret të shohë sot nëse ka mbetur sado pak një dozë autoriteti dhe integriteti i kësaj gare, i këtij kampionati, i këtij rivaliteti. Vlora pret sot të shohë nëse, vërtet rregullatori i garës do të vendosë veton e tij mbi kanosjen e garës.
Laska: Vlonjatët donin ta na blinin
Presidenti i klubit të Laçit, Pashk Laska, akuzon vlonjatët se kanë kërkuar të blejnë ndeshjen. “Mund t’ju them se Çipi më ka marrë në telefon dhe më ka thënë teksualisht kështu: “Do të sjell një fletë të bardhë, të shkruash një shifër sa të kërkosh t’i dhe ne do të përgjigjemi si të dëshirosh”. Pra, ai donte që unë t’i thosha shifrën në këmbim të lënies së ndeshjes. Personalisht i kam bërë të qartë Çipit që ndeshjet t’i fitojë me lekë, aty ku i shkon për shtat, dhe jo në Laç. I kam thënë që skuadra ime nuk toleron me askënd. Unë nuk di të xhiroj filma, siç bëjnë ata. Për këto që po them, nëse është nevoja unë jam gati të ballafaqohem me vlonjatët edhe në organet e drejtësisë”,- ka thënë i bindur Laska për telefonatën që ka bërë me Çipin.











