“Duam të ndërtojmë një Shqipëri të re”- Protestuesi: Qeveria e Ramës po rrëzohet, mundëm kulturën e mosbesimit! Diaspora po frymëzon

Jun 18, 2026 | 15:15

Protesta e qytetarëve hyn sot në ditën e saj të 19-të. Një prej të rinjve, protestuesi Edison Nika, tha sot nga studio e emisionit të “News24” se qytetarët e mundën kulturën e mosbesimit dhe tani po mbushin sheshet për të rrëzuar qeverinë.

nika

Ai shprehu besimin se kjo lëvizje po e largon qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Nika nënvizoi se kjo lëvizje “ka arritur tashmë një fitore të madhe shpirtërore, duke thyer skepticizmin e mbjellë prej vitesh në shoqërinë shqiptare”.

“Në këtë protestë, për mua mundëm kulturën e mosbesimit fillimisht. Nuk besonim te njëri-tjetri. Dukej sikur nuk do bashkoheshim kurrë dhe askush nuk rrëzon qeverinë e Ramës”, deklaroi Nika.

Më tej, ai theksoi se qëllimi kryesor i kësaj revolte mbetet ndryshimi rrënjësor i situatës në vend dhe ndalimi i shpopullimit.

“Ne duam të ndërtojmë një Shqipëri të re. Nuk mund ta quajmë zhvillim kur na ikin shqiptarë me shumicë nga vendi”, u shpreh ai.

edison nika

Një tjetër pikë kyçe që ka dhënë forcë në shesh, sipas protestuesit, është reagimi dhe mbështetja e jashtëzakonshme që po vjen nga shqiptarët jashtë kufijve, duke e cilësuar këtë si një raport të ri të fituar.

“Panorama që vjen nga diaspora më frymëzon, në këtë protestë kemi fituar shumë gjëra, një prej tyre raporti me diasporën. E dinim që diaspora ishte me ne, ata dërgonin para këtu, por duhet të ndodhte diçka që të ndryshonte një gjë në vendin tonë që të shikonim ndryshimin e raporteve, pikërisht ky me diasporën ka ndryshuar dhe e kemi kuptuar sa afër janë me ne. Ka pasur protesta deri në Australi dhe shërbejnë si model frymëzimi për ne”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura