“Qytetarët e kanë vendosur, Rama të japë dorëheqjen” – Shehaj: Parlamenti të shkrihet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Jun 18, 2026 | 15:02

Kreu dhe deputeti i Partisë “Mundësia” theksoi se dorëheqja e Edi Ramës si kryeministër është e pashmangshme, teksa komentoi protestat masive të qytetarëve kundër qeverisë. 

shehaj

Në një komunikim me gazetarët para Kuvendit, deputeti theksoi se diskutimi nuk është më nëse Rama do të largohet apo jo, por se sa do të durojë ai dhe do të mbrohet nga deputetët e tij.

Sipas Shehajt, qytetarët janë të vendosur në vijimin e protestave deri në largimin e kryeministrit. Shehaj shtoi se parlamenti duhet të shkrihet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Presin që të vijë Rama nga pushimet, Rama po bredh nëpër Evropë ndërkohë që qytetarët protestojnë se duan që ai të japë dorëheqjen. Presin që të vijë ai dhe të bëjnë votat për të aprovuar ligjin për amnistinë penale. Ka shumë gjasa që të fusin ndonjë amendament ku të përfshijnë aty edhe amnistinë për të korruptuarit, të dënuarit nga GJKKO, në këtë rast edhe ballukun dhe të akuzuarit e tjerë për korrupsion.

Sepse këta këtë hall kanë si t’i shpëtojnë drejtësisë. Qytetarë e kanë vendosur se Rama do të japë dorëheqjen. Nuk ka më diskutim do të japë apo jo, por edhe sa ditë do të durojë aty dhe sa do  vazhdojë të mbrohet nga deputetë aty. Një mesazh për protestuesit, se diskutimi është se çfarë do ndodhë pas largimit të Ramës.

Për të gjithë ata që e shikojnë shpëtimin tek një qeveri e mundshme teknike apo tranzitore nuk ka asnjë shans që të ndodhë se ata që janë në parlament nuk kanë për të votuar kurrë një kryeministër të ndershëm. Mund të zgjedhin më të mirin, por ata janë aty për tu shërbyer të korruptuarve, Ramës, Ballës, oligarkëve dhe krimit. E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. Duhet që parlamenti të shkrihet dhe të zgjidhen njerëz që përfaqësojnë qytetarët. “, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura