“Dua hakmarrje për humbjen 6-1”

Oct 10, 2011 | 12:01
Erjon Bogdani

Erjon Bogdanit i djeg ende humbja 6-1, kundër Rumanisë dhe ia ka bërë të qartë Mutusë dhe shokëve të tij se më mirë të mos vijnë fare në Tiranë, pasi Shqipëria do të bëjë gjithçka për t’u hakmarrë. Në konferencën për shtyp dje, bomberi i Kombëtares shqiptare ka lënë të hapur mundësinë për të luajtur edhe pas këtij edicioni me Kombëtaren, por ka bërë të qartë se nuk ka dëshirë që të bëhet barrë për trajnerin, apo të pengojë të rinjtë.
Erjon, cilat janë përshtypjet tuaja për ndeshje me Francën?
Ajo me Francën ishte një ndeshje shumë e vështirë, ku dhe ekipi ynë dukej shumë në vështirësi për të dalë në lojën e tij. Megjithatë, ne duhet shohim gjërat pozitivisht dhe kjo humbje duhet të na japë shpresa që ndaj Rumanisë të luajmë për fitore.
A jemi në gjendje që të luajmë për fitore kundër Rumanisë?
Sigurisht që situata nuk është ndër më të mirat, por unë jam i bindur se ne si skuadër nuk jemi nga ato që të meritojnë 8 pikë në renditje. Megjithatë, kemi para edhe ndeshjen me Rumaninë dhe duhet të luajmë fort. Duhet të kujtojmë edhe humbjen 6-1 që na shkaktoi kjo skuadër dhe ta kthejmë atë në forcë. Jemi të detyruar të luajmë mirë, sepse luajmë para publikut tonë dhe vijmë dhe pas tre humbjeve rresht. Duhet të luajmë sa më mirë që ta fitojmë këtë ndeshje.
Rumania vjen në Tiranë pa asnjë objektiv, a është ky një avantazh?
Nuk mendoj se është avantazh që ata do të vijnë të luajnë me të rinjtë, sepse ata kanë eksperiencë dhe lojtarë shumë të fortë. Mendoj gjithashtu se as ne nuk e kemi luksin që të luajmë me të rinjtë. Gjykoj se duhet të zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen. Shpresoj shumë që të bëj diçka të mirë në këtë ndeshje dhe kam besim se edhe me rikthimin e Lalës dhe të Telit do të mund të ndryshojmë disa gjëra. Kështu shpresoj të paktën.
A do të jetë kjo ndeshja e lamtumirës për ju?
Unë fola me presidentin e federatës dhe me trajnerin. Dua të them se pavarësisht se jam duke kaluar një formë të mirë sportive, unë kisha dëshirë që të mos isha një peshë për kombëtaren. Për këtë arsye vendosëm pas bisedës me presidentin e federatës, se nëse kombëtarja do të ketë nevojë, unë do të jem i gatshëm. Nëse ky trajner apo një tjetër dhe do fusë një lojtar tjetër në fushë, nuk ka problem për mua. Nuk kam bërë kurrë polemika kur kam qenë në pankinë apo në tribunë. Megjithatë, unë do të shoh edhe veten time, nëse nuk do të jem në formë, do të largohem vetë.
A ke biseduar me Mutunë për këtë ndeshje?
Kam diskutuar edhe më përpara me të, sepse më ka çuar mesazhe. I thashë Mutusë se pas humbjes 6-1, do të ishte mirë që ai dhe skuadra e tij të mos vinte fare në Tiranë, sepse këtë ndeshje do ta fitojmë ne. Megjithatë, dihet se Rumania është një ekip me vlera dhe i mundim vetëm nëse luftojmë fort.

Dallku: Duam fitore para tifozëve
Mbrojtësi i Kombëtares, Armend Dallku, ka deklaruar se humbja ndaj Francës nuk ishte aspak çudi dhe diçka e parashikueshme, por shprehet se i vjen keq për mënyrën se si i pësuan golat. “Çdo humbje është e hidhur, gjithsesi, ne kishim pak shpresë ndaj Francës. Kishim dy mungesa shumë të rëndësishme dhe nuk është çudi që humbëm në atë ndeshje. Na vjen keq për mënyrën se si i pësuam golat, gjithsesi, tashmë po mundohemi ta lëmë pas atë që ndodhi dhe po mendojmë për të ardhmen dhe ndeshjet e tjera”, u shpreh mbrojtësi. Në fund të deklaratës së tij, Dallku ka folur për ndeshjen e radhës, atë ndaj Rumanisë. “Edhe në ndeshjen e zhvilluar në transfertë ndaj tyre, ne treguam se nuk kemi shumë diferenca dhe ata nuk ishin më mirë se ne. Për më tepër, do na kthehen edhe futbollistët që kanë munguar dhe skuadra do forcohet ndjeshëm. Humbja 6-1 ndaj tyre nuk mund të harrohet lehtë dhe na motivon akoma më shumë që të fitojmë ditën e martë”, tha Dallku.

Kombëtarja/ Rikthehen Lala, Bogdani e Teli
Shqipëria do luajë nesër ndeshjen e fundit për fushatën eliminatoreve EURO 2012, kundër Rumanisë në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë janë të obliguar të fitojnë në këtë ndeshje për të kënaqur tifozërinë e zhgënjyer së fundmi nga paraqitjet e tyre. Tre rikthime të rëndësishme do ketë Kombëtarja: kapiteni Lala, sulmuesi Erjon Bogdani dhe mbrojtësi Admir Teli priten të jenë në formacion nga minuta e parë. Këta tre lojtarë do të rrisin forcën e përfaqësues sonë, por Kuzhës do t’i duhet të bëjë llogaritë e ndeshjes pa Klodian Duron dhe Kristi Vangjelin, të dy të skualifikuar me kartonë pas ndeshjes me Francën.

Dëmtimi/ Bulku mund të kthehet ndaj Rumanisë
Ervin Bulku mund të luajë kundër Rumanisë ditën e nesërme në “Qemal Stafa”. Mesfushori energjik ishte një mungesë e rëndësishme kundër Francës të premten, por ai ka shumë mundësi të rikuperohet për ndeshjen e fundit që Shqipëria do të luaj për këtë edicion. Kuzhe për këtë arsye nuk e mori Bulkun me vete në Francë dhe preferoi ta ruante për ndeshjen kundër Rumanisë. Mjeket e përfaqësueses kanë besim se Bulku do të jetë i gatshëm të luaj përkrah Altin Lalës në qendrën e mesfushës dhe kjo do të ishte një forcë më shumë për Shqipërinë nesër në mbrëmje. Gjithsesi, problemi i Kuzhes mbetet krahu i majtë i mbrojtjes, pasi mungon si Vangjeli dhe Agolli.

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura