Drogë Lazarati në Tiranë, në pranga 18-vjeçari

Oct 24, 2011 | 12:13
Droga e bllokuar

GJIROKASTER- Drogë Lazarati drejt kryeqytetit, arrestohet 18-vjeçari. Lënda narkotike, 5 kg marijuanë, po trafikohej me linjën e autobusit Gjirokastër-Tiranë, kur policia ndërhyri duke e sekuestruar sasinë dhe më pas vuri në pranga trafikuesin e saj. Rreth orës 23:30 të së shtunës, Policia e Gjirokastrës mori një informacion se në autobusin e linjës për në Tiranë ndodhej një çantë me marijuanë. Menjëherë policia vuri një postbllok tek Uji i Ftohtë në Tepelenë. Rreth orës 00:00, blutë ndaluan rrugëtimin e autobusit duke kërkuar kontrollin e çantave që në bagazh. Nga kontrolli i ushtruar u gjet një valixhe me disa pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe, brenda të cilave kishte lëndë narkotike. Autobusi, bashkë me 41 pasagjerët, u shoqërua në policinë e Gjirokastrës. Pas rreth dy orësh e gjysmë, falë vënies në eficiencë të metodave speciale të hetimit, blutë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore, si dhe identifikimin e poseduesit të drogës, 18-vjeçari nga Tirana me inicialet Z.I. Sipas të dhënave, pasi kishte vendosur valixhen me drogë në bagazhin e autobusit, adoleshenti është larguar në momentet e fundit, pak para se të nisej mjeti me të 41 pasagjerët në drejtim të Tiranës. Pas nisjes së autobusit nga Gjirokastra, ai ka komunikuar me një person në telefon, i cili do të priste mallin në kryeqytet. Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, u arrit të zbulohej identiteti i 18-vjeçarit, i cili u kap më pas, rreth orës 04:00 të së dielës, në një hotel të Gjirokastrës. Pas hetimit të kryer, rezultoi se ky shtetas e kishte blerë të shtunën pasdite lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta shiste në sasi të vogla në lokalet e natës në zonën e Bllokut. Për t’iu shmangur kontrolleve të policisë përgjatë 235 km deri në kryeqytet, ai nuk e ka shoqëruar marijuanën, por e kishte lënë me fjalë, që atë ta merrte në dorëzim një miku i tij, i cili sipas Policisë së Gjirokastrës është shpallur në kërkim. Por për arsye hetimi, nuk bëhet i ditur identiteti i tij.             p.n

© Panorama.al

Te lidhura