
Partia Socialiste organizoi dje një kokteil me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Ashtu siç ishte lajmëruar, çifti Agolli, korrekt me orarin, mbërriti në orën 10:00 në restorant “Austria”, që ndodhet në krah të selisë së Partisë Socialiste. Çifti u prit nga deputetë dhe ish- deputetë, por dhe socialistë të vjetër e punonjës të kësaj selie, të cilët kanë punuar ndër vite me shkrimtarin e madh, dikur deputet dhe një nga themeluesit e kësaj partie në Kongresin e 12 qershorit 1991. Në kolltukun e gjerë të miqve, në krah të bashkëshortes Sadije u ul dhe një nga bashkëpunëtorët e hershëm të Dritëroit, ish-nënkryetari i PS, Servet Pëllumbi. Pak çaste më pas mbërrin në këtë ambient Edi Rama, i cili në mënyrë private dhe jo para kamerave i ka uruar Dritëroit 80-vjetorin. Rama ka uruar bashkëshorten e tij Sadije dhe vajzën e shkrimtarit, e cila ishte aty gjatë gjithë kohës. Kolltuku i stilit klasik aristokrat, ku qëndronte çifti Agolli, u bë gjatë gjithë kohës epiqendra e këtij takimi. Në pamundësi që të qëndronte gjatë në këmbë, të pranishmit shkonin dhe e uronin aty shkrimtarin. Thjesht dhe pa fjalë të rastit, Rama i dhuroi shkrimtarit të madh një buqetë me lule, ndërsa më pas Dritëroi preu dhe tortën në formën e një libri të hapur. Kryesocialisti nuk preferoi të bënte dje deklarata të rastit dhe asnjë prononcim qoftë dhe politik, urimet ia transmetoi çiftit Agolli larg vëmendjes së mikrofonave, ndërsa zhurma në sallë nuk të jepte mundësi të dëgjoje se çfarë thuhej.
Urimet
Më tej, Edi Rama u çua nga kolltuku për t’u lënë radhën deputetëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë pritje që të uronin dhe të bënin fotografi me shkrimtarin. Më nostalgjikë dhe të mbushur me kujtime, të vjetrit në këtë parti, dhe më formalë të rinjtë e PS në urimet që i transmetonin shkrimtarit të madh. Për një kohë të gjatë, pranë Dritëroit qëndroi Gramoz Ruçi, i cili shkëmbente vazhdimisht batuta me të dhe zonjën Sadije. Ndërkaq, kryesocialisti takonte në të gjithë sallën të ftuarit e këtij kokteili, një pjesë e të cilëve nuk ndodhen në politikën aktive të PS. Urimet për shkrimtarin e njohur nuk munguan dhe nga gazetarët e pranishëm në këtë aktivitet, të cilët bënë dhe fotografi me të. Pas rreth një ore, kryesocialisti u nda me çiftin Agolli, me premtimin se do të komunikojnë sërish bashkë, duke u larguar nga salla. Kjo shënoi dhe nisjen e mbylljes së kësaj pritjeje. Gjatë gjithë kohës, Dritëroi i mallëngjyer dhe i prekur nga takimet me njerëzit e shumtë të pranishëm në këtë pritje, shkëmbente buzëqeshje dhe përshëndetje me ta. Të ftuarit nisën të largohen një e nga një, ndërsa kishte mbërritur mesdita, dhe të fundit në sallë mbetën jo si rastësisht disa personazhe të vjetra të kësaj partie, me të cilët Dritëroi ka ndarë momente të vështira gjatë kohës kur ishte deputetet, në legjislacionin e parë pluralist pas zgjedhjeve të 1992-shit. Rreth çiftit Agolli në fund ishin ulur Gramoz Ruçi, Maqo Lakrori, Pandeli Majko, Ilir Zela dhe Namik Dokle, të cilët e përcollën deri te makina, kur gjithë të tjerët ishin larguar tashmë.
Deklarata
I pyetur nga gazetarët për situatën politike në vend, Dritëro Agolli nuk ngurroi të japë mendimin e vet dhe të propozojë qëndrimin për të ardhmen. “Partia Socialiste lufton që të plotësohen ato kërkesa të Bashkimit Europian dhe që luajnë një rol edhe më të madh për zbutjen e atmosferës acaruese. Të mos bëhen Dy Shqipëri, një Shqipëri ka. Të mos e ndiejmë veten si të pushtuar nga të tjerët, nga të huajt. E kam fjalën që të mos mbetemi armiq, por të mbetemi kundërshtarë politikë, por në anët e tjera të sjelljes të dhënies së dorës, të folurit, të dialogut, që t’i themi njëri-tjetrit hajt ta diskutojmë këtë apo atë gjë, por jo kaq të acaruar, me inat të madh. Ne duhet që edhe kundërshtarin tjetër ta zbusim, t’i themi që hajde të diskutojmë, disa gjëra duhet t’ia aprovojmë edhe kundërshtarit me një kompromis të logjikshëm, në mënyrë që ta kuptojë edhe ai vetë që kjo forcë politike ka të drejtë”, u shpreh shkrimtari i njohur.
Pëllumbi: PS të dëgjojë fjalën e Dritëro Agollit
Ish-nënkryetar i PS dhe ish-kryetar i Kuvendit, Servet Pëllumbi mbështeti Dritëro Agollin për zgjidhjen e krizës dhe gjetjen e një kompromisi. “Do të thosha që fjala e tij, me peshë për zhvillimet politike në vend, gjithnjë është dëgjuar dhe do të dëshiroja që edhe sot të dëgjohej, sepse ka nevojë më tepër se kurrë politika shqiptare që të mund të gjejë rrugën e dialogut, të mirëkuptimit, sepse kështu nuk mund të ecet me këta antagonizma dhe me këto hidh e prit ndaj njëri-tjetrit, sikur të mos kishte asgjë të përbashkët midis tyre, sikur të mos ishin shqiptarë dhe sikur të mos kishin një komb të përbashkët, të cilin duhet ta begatojnë dhe ta çojnë përpara”, u shpreh Pëllumbi.
Ruçi: Këshillat e Agollit, gur i çmuar
Kreu i Grupit Parlamentar socialist i cilësoi këshillat e shkrimtarit të njohur një gur i çmuar në aksionin e PS-së. “Absolutisht që këshillat e Dritëroit në këta 20 vjet, që ditën e themelimit e deri më sot, kanë qenë, janë dhe do të jenë një gur i çmuar për veprimtarinë dhe aksionin politik të PS-së. Kjo ka qenë dhe mbetet një këshillë e urtë, e mençur dhe Partia Socialiste me hapat e fundit që ka marrë, me pjesëmarrjen e saj në Parlamentin shqiptar, me propozimet institucionale që ajo ka bërë, me paketën prej 10 pikash dhe me kërkesën e bërë nga lidershipi i PS-së për një debat institucional midis liderëve para publikut, është në kuadrin e kësaj këshille të urtë”, u shpreh Ruçi.
Dritëro Agolli, një jetë përmes intervistash
Një jetë e tërë fjalë. Debate, intervista, opinione, herë-herë edhe rebelime, që kanë ngjallur reagime… Plot 50 vite histori të Dritëro Agollit, mbi veprimtarinë e gjatë letrare, sociale dhe politike nga viti 1964 deri në ditët tona është përmbledhur në librin “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”. Një botim i UET Press, si dhuratë ditëlindjeje për shkrimtarin. Prezantimi i këtij libri u zhvillua dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Ndonëse autori e pati të pamundur pjesëmarrjen, morën pjesë në këtë ceremoni shumë miq të tij. Libri i botuar në 80-vjetor përmban intervista, komente, bashkëbisedime, letërkëmbime me personalitete të njohura brenda apo jashtë si, Jusuf Buxhovi, Moikom Zeqo, Gani Bobi, kritikë letrarë apo shkrimtarë si Pjerr Morrij, Azis Ne’sin etj. “Është e rëndësishme që universitetet të nderojnë shkrimtarët apo artistët, por në rastin e Dritëroit ne po nderojmë kujtesën tonë historike, vlerat e pasurisë tonë letrare dhe dentitetin tonë kombëtar”, tha në fjalën e saj përshëndetëse presidentja e UET-së, Teuta Dobi.
Torta në formën e librit
Jeta e Dritëroit, një libër i hapur. Ky ishte koncepti i tortës së porositur nga drejtues të Partisë Socialiste për njeriun e shquar të letrave. Një libër i hapur në mes të tij, nga njëra faqe një pendë ku ishte shkruar urimi “Edhe 100 vite të tjera Dritëro!” dhe faqja tjetër, e mbushur me shkrime. Shkrimtari i njohur, i mallëngjyer dhe i prekur nga kjo pritje, arriti të priste tortën me duart që i dridheshin nga emocionet dhe nga mosha.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











