Dinamo e ka nisur stërvitjen e djeshme me një mbledhje 30-minutëshe, e cila ka marrë nxitje nga tensioni i një dite më parë mes Asion Dajës dhe Nuredin Orelesit. Tension, i cili përfshiu dhe të tjerë si Peqini e Mici, apo dhe Ferraj, ndaj stafi teknik, së bashku me administratorin Ismet Saliaj, e ka parë më të udhës që t’u flasë futbollistëve. Qëndron fakti se skuadra, edhe për shkak të rezultateve jo të mira, tashmë është duke diskutuar mbijetesën. Për këtë arsye, administratori Saliaj u ka kërkuar lojtarëve t’i lënë mënjanë tensionet. “Boll më me tensione, sepse jemi në një situatë, në të cilën duhet të jemi të gjithë bashkë. Ju luani deri në fund të sezonit, së pari për paratë tuaja, të cilat do t’i merrni, por dhe për fanellën. Sepse për askënd nuk është mirë që kjo Dinamo të zbresë nga kategoria dhe nuk duhet ta mendojmë këtë gjë. Duhet të fitojmë për ta kaluar këtë situatë”, u ka thënë Saliaj lojtarëve. Pas kësaj, duket se gjendja ka ndryshuar për mirë në këtë skuadër. Daja dhe Orelesi i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit e po kështu edhe të tjerët, ndaj bashkëpunimi mes të huajve dhe shqiptarëve ka qenë më i mirë. Dinamovitët kanë nisur t’u hynë llogarive se si mund ta shpëtojnë sezonin. Dhe bluve, të paktën me laps në dorë, u duhen 42 pikë, që do të thotë një fitore me Teutën të mërkurën e 4 majit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, si dhe një barazim në transfertën e Kavajës, apo të Besës.











