Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për zëvendësen e tij Belinda Ballukun, e cila është marrë në hetim nga SPAK.
Kreu i qeverisë tha për DW se “drejtësia ka punën e saj”, ndërsa Shehaj i bën thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen, pasi Balluku është zëvendësja e tij.
“Si? Nuk të intereson se po arrestojnë Belinda Ballukun? Ejj, kthjellohu, është zëvendësja jote, para asaj donin të arrestonin Ahemetaj, ia mbathi në arrati në Zvicër. Ndërkohë, Erion Veliajn, krahun tënd të djathtë e ke në burg për korrupsion dhe ai. Sa veta duhet të të arrestojnë ty që të mbash përgjegjësi?! Bëhu burrë, mbaj përgjegjësi dhe jep dorëheqjen”, shprehet Shehaj.
Kujtojmë se në prononcim të shkurtër për DW, teksa u pyet mbi lajmet për Ballukun, kreu i qeverisë u shpreh: “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur cështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politike dhe e mediave që i shërbejnë politikës”.
Balluku nën hetim
Njv ditë më parë, gazetarja Klodiana Lala raportoi se SPAK ka regjistruar emrin e Belinda Ballukut si person nën hetim.
Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.
Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.
© Panorama.al












