DHUNA NDAJ DREJTËSISË
Dhuna ndaj drejtësisë në Shqipëri nuk është një rastësi. Ajo është pasojë e një sistemi që ka lënë bosh struktura sigurie, ka zëvendësuar profesionistët me militantë dhe ka mbyllur sytë përballë rrezikut. Nga Derjani i viteve ’70, tek Apeli i Tiranës më 2025 dhe atentatet me snajper ndaj të paraburgosurve, tabloja është e njëjtë: drejtësia shqiptare mbetet e pambrojtur, madje edhe brenda mureve të veta.
DERJANI, 1970, GJYQI QË U KTHYE NË EKZEKUTIM
Në fshatin Rremull të Matit, në vitin 1970, ndodhi një ngjarje që tronditi gjithë rrethin. Rexhep Mara, i akuzuar për vrasjen e nuses së djalit të tij, po transportohej nga policia drejt gjyqit popullor në Derjan. Makina e shoqërimit u prish dhe rrugën e fundit e përshkoi në këmbë, i rrethuar nga forca policore dhe drejtues vendorë, përfshirë sekretarin e parë të rrethit dhe shefin e komisariatit, Fadil Dani. Në hyrje të fshatit, grupi u përball me Murat Kukën, ushtar i Gardës së Republikës dhe vëllai i viktimës. Ai i përshëndeti zyrtarët, por kur pa vrasësin e motrës, e qëlloi me kallashnikov në sy të policëve. Kuka u dorëzua menjëherë. Ky ishte rasti i parë i dokumentuar në Shqipëri, ku një i pandehur u vra ndërsa po dërgohej për t’u gjykuar, dëshmi se edhe shteti i hekurt nuk garantonte rendin përballë emocioneve dhe hakmarrjes.
LEZHA, 2011, GJYQI QË PËRFUNDOI ME ARMË
Pas 41 vjetësh, historia u përsërit në një tjetër sallë gjyqi. Më 14 tetor 2011, në Gjykatën e Lezhës, gjatë një procesi civil për pronësinë e një toke në Shëngjin, u vra Endri Pal Bejtja, 35 vjeç. Autorët e akuzuar ishin Dritan Lorenci, efektiv policie dhe Alban Dede. Përplasja mes familjeve Ndreu dhe Zefi, që kishte filluar si debat verbal, u shndërrua në konfrontim fizik dhe më pas në krim. As policia Gjyqësore dhe as rojat e sigurisë nuk arritën të parandalonin tragjedinë.
Tirana, 2025, gjyqtari që u vra në detyrë
Në vitin 2025, një tjetër ngjarje tronditi opinionin publik: vrasja e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit nga shtetasi Elvis Shkëmbi. Autori hyri në godinë i armatosur, pa u kontrolluar dhe pa pengesë, dhe ekzekutoi gjyqtarin në vend. Pas tragjedisë, doli në pah një fakt alarmues, Policia Shtetit prej vitesh ishte larguar nga ruajtja e gjykatave, e zëvendësuar me roje civile private, shpesh pa trajnim dhe me lidhje politike. Ky boshllëk krijoi kushtet për një incident fatal.
SNAJPERËT E BURGJEVE, DHUNA QË GODET PRAPA GRILAVE
Dhuna ndaj drejtësisë nuk është ndalur te sallat e gjyqeve. Ajo ka hyrë edhe në burgje.
Më 9 mars 2000, Ilir Bardhi u ekzekutua me snajper brenda qelisë së tij në burgun 313 të Tiranës. Plumbi u qëllua nga një dritare pallati rreth 200 metra larg. Bardhi ndodhej në paraburgim për një vrasje të dyfishtë.
Qershor 2017, një tjetër atentat me snajper ndodhi në burgun e Vaqarrit. Shënjestër ishte Gazmir Daci, por i plagosur mbeti Lili Dule, një i burgosur nga Kosova.
HAKMARRJA QË HYN NË QELI, RASTI ARBEN LLESHI
Më 15 dhjetor 2023, Arben Lleshi, nga fshati Rukaj i Burrelit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës më 2012 në Britaninë e Madhe, u ekzekutua brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nga Sokol Mjacaj, edhe ky i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë gjatë një tentativë grabitjeje më 2015. Ekzekutimi dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrjeje, duke theksuar dobësinë e sistemit të sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë.
Dështimi i shtetit dhe reforma që mungon
Të gjitha këto ngjarje, Derjan 1970, Lezha 2011, Tirana 2025, burgjet 2000 dhe 2017 dhe rasti Arben Lleshi 2023 tregojnë qartë se kanë të njëjtën histori, dështimi i shtetit për të mbrojtur vetë drejtësinë dhe jetën brenda institucioneve të sigurisë. Pas reformës në drejtësi, u vlerësuan gjyqtarë e prokurorë, por jo rojat dhe strukturat e sigurisë. Asnjë ligj nuk përcakton standardet e ruajtjes fizike të burgjeve dhe gjykatave, mënyrën e transportit të të pandehurve apo reagimin emergjent ndaj rrezikut.
ÇFARË KËRKON NJË REFORMË E VËRTETË SIGURIE GJYQËSORE
Një Reformë e Sigurisë Gjyqësore, e ndarë nga reforma politike e drejtësisë, është sot domosdoshmëri. Ajo duhet të përfshijë:
– Rikthimin e policisë shtetërore në ruajtjen e gjykatave dhe burgjeve.
– Krijimin e një Njësie Kombëtare të Sigurisë Gjyqësore, me oficerë të trajnuar për reagim të menjëhershëm.
– Auditim teknik të ndërtesave të gjykatave dhe burgjeve, për t’u përshtatur me standardet e mbrojtjes fizike. Të mos harrojmë se Gjykata e Apelit Tiranë ka qenë një ndërtesë që më parë ka qenë objekt i punonjësve të zjarrfikësve dhe është përshtatur për gjykatë, një ambient aspak komod dhe jashtë kushteve.
– Hetim dhe publikim të raporteve pas çdo incidenti dhune në institucione, që deri tani kanë munguar. Por rasti “Kalaja” shpresojmë të zgjojë ndërgjegjen e politikanëve dhe të gjithë atyre që duan shtet dhe siguri.
– Rivlerësim të kontratave të sigurisë private, që shpesh janë burim abuzimi, jo mbrojtjeje.
Sepse drejtësia nuk mund të mbrohet me roje pa uniformë, por me strukturë shtetërore profesionale.
NË VEND TË EPILOGUT
Rasti i Derjanit, Lezhës, Tiranës, burgjeve dhe Arben Lleshit nuk janë thjesht ngjarje tragjike, janë dëshmi të një dobësie strukturore që përsëritet brez pas brezi. Drejtësia, për t’u bërë funksionale, duhet së pari të jetë e sigurt. Sepse drejtësia e pambrojtur, është drejtësi e rrezikuar./ Gazeta Panorama
© Panorama.al












