Gjermania, Italia, Holanda, Rusia, Spanja, Anglia, Danimarka, Greqia, Suedia dhe Franca u shtohen Polonisë dhe Ukrainës si skuadra të kualifikuara direkt për në Europianin e 2012-s. Sakaq, në ndeshjet “play-off” do të kalojnë Turqia, Kroacia, Mal i Zi, Estonia, Bosnja, Çekia, Portugalia dhe Irlanda. Këto skuadra do të luajnë ndaj njëra-tjetrës në bazë të shortit që do të hidhet në datat 11 dhe 15 nëntor, ku do të dalin edhe katër skuadrat e tjera, që do të plotësojnë numrin prej 16 shtetesh që do të marrin pjesë në Europianin e vitit tjetër. Nga ndeshjet e luajtura mbrëmë, bie në sy marrja e vendit të dytë në grupin C nga ana e Estonisë, e cila pa luajtur fare, pasi i kishte mbaruar ndeshjet e saj që ditën e premte, arriti të kualifikohej për në “play-off”, kjo falë ndihmës shumë të vyer të Sllovenisë. Kjo e fundit priste në shtëpi, pa asnjë lloj motivimi pasi nuk kishte asnjë shans për të kapur vendin e dytë, Serbinë fqinje. Por duke iu kthyer historisë mjaft të trazuar në ndeshjet mes këtyre dy skuadrave, pritej që Slloveni të mos i hapte rrugë Serbisë dhe ashtu ndodhi. Vendësit fituan 1-0 falë një goli të Vërsiç, duke dënuar kështu serbët dhe duke i dhënë mundësi Estonisë që të provojë edhe një shans kualifikimi në ndeshjet e nëntorit. Keq shkoi edhe për Portugalinë e Kristiano Ronaldos, e cila nuk arriti të mbante vendin e parë në grup, por gjithsesi do të luajë ndeshje “play-off”. Portugezët u mundën bindshëm nga Danimarka, e cila falë kësaj fitoreje u kualifikua direkt si fituese e grupit. Po 16 pikë sikundër Portugalia, mori edhe Norvegjia, por luzitanët kaluan në “play-off” falë ndeshjeve e golaverazhit më të mirë. Në takimet e tjera të luajtura mbrëmë, Turqia mundi Azerbajxhanin 1-0 dhe shkon në “play-off”, ashtu sikundër Irlanda mundi 2-1 Armeninë, duke salduar vendin e dytë në grupin B. Në Grupin C, Italia e kualifikuar mundi lehtësisht Irlandën e Veriut, falë dopietës së Kasanos dhe një autogoli të MekAulej, ndërsa në grupin F, Kroacia festoi vetëm për disa minuta kualifikimin direkt, teksa fitonte ndaj Letonisë dhe Greqia humbiste në Gjeorgji. Por në dhjetë minutat e fundit të lojës, helenët kthyen gjithçka duke marrë vendin e parë në grup. Në grupin G, Uellsi mundi në transfertë Bullgarinë, në një ndeshje vetëm për statistikë, ndërsa Zvicra mundi Malin e Zi, i cili ishte kualifikuar që më parë në “play-off”. Në grupin I, ashtu siç pritej, Spanja mori vendin e parë, ndërsa Çekia mundi në transfertë 4-1 Lituaninë, duke kaluar në “play-off”.
Evropiani 2012
Grupi A
Kazakistan-Austri 0-0
Gjermani-Belgjikë 3-1
Shënues: Ozil 30′, Shurrle 33′, Gomez 48’/ Felaini 86′
Turqi-Azerbajxhan 1-0
Shënues: Ilmaz 60′
Grupi B
Irlandë-Armeni 2-1
Shënues: Aleksanjan 43′ (autg), Djun 60’/ Mkitarjan 62′
Maqedoni-Sllovaki 1-1
Shënues: Noveski 79’/ Piroska 54′
Rusi-Andorë 6-0
Shënues: Dzagoev 5′, 44′, Arshavin 26′, Pavliuçenko 30′, Glushakov 59′, Berezutski 78′
Grupi C
Itali-Ir.Veriut 3-0
Shënues: Kasano 21′, 53′, MekAulej 74′ (autg)
Slloveni-Serbi 1-0
Shënues: Vrsiç 45′
Grupi E
Hungari-Finlandë 0-0
Moldavi-San Marino 4-0
Shënues: Zmeu 30′, Bakioki 62′ (autg), Suvorov 66′, Androniç 87′
Suedi-Holandë 3-2
Shënues: Kallstrom 14′, S.Larson 52′ (p), Toivonen 53’/ Huntelar 23′, Kajt 50′
Grupi F
Kroaci-Letoni 2-0
Shënues: Eduardo 66′, Mandzukiç 72′
Gjeorgji-Greqi 1-2
Shënues: Targamadze 19’/ Fotakis 79′, Karisteas 85′
Maltë-Izrael 0-2
Shënues: Rafaelov 11′, Gershon 90′
Grupi G
Bullgari-Uells 0-1
Shënues: Bejl 45′
Zvicër-Mal i Zi 2-0
Shënues: Derdijok 51′, Lihtshtainer 65′
Grupi H
Danimarkë-Portugali 2-1
Shënues: Krohn-Dehli 13′, Bendtner 63’/ K.Ronaldo 90′
Norvegji-Qipro 3-1
Shënues: Pedersen 25′, Kerju 34′, Hogli 65’/ Okas 42′
Grupi I
Lituani-Çeki 1-4
Shënues: Kadlec 2′ (p), 85′ (p), Rezek 16′, 45’/ Sernas 68′ (p)
Spanjë-Skoci 3-1
Shënues: D.Silva 6′, 44′, D.Vila 54’/ Gudvill 66′ (p)
Gjermani, fiton të gjitha ndeshjet
Gjermania e Joakim Lëvit ka fituar edhe takimin e fundit në grup mbrëmjen e djeshme ndaj Belgjikës, në fushën e vet, me rezultatin 3-1 (shënuan Mesut Ozil, Shurrle dhe Mario Gomez). “Panzerat” nuk u mjaftuan me një kualifikim matematikor që para dy ndeshjess, por duke mos lëshuar pe, kanë fituar edhe dy ndeshjet e fundit në program, si ndaj Turqisë, të premten e shkuar dhe dje. Kështu, Gjermania regjistron një rekord, duke u bërë ekipi i parë që në këto kualifikime i fiton të gjitha ndeshjet në dispozicion.
San Marino, pëson 53 s’shënon asnjë
Kombëtarja e San Marinos është skuadra më e dobët e kualifikimeve të Europianit 2012. Kjo skuadër në dhjetë ndeshje të zhvilluara, jo vetëm që nuk arriti të marrë qoftë edhe një barazim, por përkundrazi, nuk arriti të shënojë të paktën një gol, duke pësuar 53 të tillë. Vetëm Holanda i ka shënuar 16 gola në dy ndeshjet e luajtura: 5 në transfertë dhe 11 në fushën e vet. Në të njëjtën linjë është edhe Andora, por të paktën kjo skuadër arriti të shënojë një gol dhe ka pësuar gati sa gjysma e San Marinos, 25 gola në dhjetë ndeshje të luajtura.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











