Uilliam Rajersoni, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, në një intervistë dhënë seksionit shqip të Zërit të Amerikës, vuri gishtin në një problematikë shumë të rëndësishme. Ai shprehu hapur mendimin e tij se vendi ynë nuk po bën hapa përpara përsa i përket së kaluarës tragjike, duke theksuar se:
“Ajo që nuk po ndryshon në Shqipëri është fakti se ende nuk po shihet drejt e në sy e kaluara. Në bisedën e parë që kam pasur me Ramiz Alinë i thashë: ‘Zoti President, duhet të pranoni ato që kanë ndodhur në të kaluarën, ashtu siç kanë bërë gjermanët’”. Rajersoni argumentoi qartë se në Shqipëri duhen identifikuar dhe ndjekur ligjërisht personat që kryen tortura dhe propozoi ngritjen e një komisioni për të vërtetën dhe ripajtimin, siç ishte rasti me Komisionin e Monsenjor Desmond Tutu në Afrikën e Jugut. Koncepti i Rajersonit nënkupton që njerëzit të dalin përpara një komisioni për ripajtim e falje dhe të pohojnë: “Po, kam qenë roje në burgun e Spaçit, kam kryer këtë dhe atë krim”, ose të pranojnë që: “Po, kam spiunuar kunatin, vëllanë ose babanë, deri te personat që kanë ekzekutuar persona të pafajshëm në emër të atij regjimi”. Dy ditë pas kësaj interviste të rëndësishme, në vend ndodhën dy ngjarje që kanë lidhje direkte me këtë deklaratë. Në Tiranë, drejtori i Drejtorisë së rrethit pranë ALUIZNI-t u shkarkua nga detyra nga drejtori i Përgjithshëm, me motivacionin se në CV e tij ai nuk kishte deklaruar se kishte qenë hetues i organeve të diktaturës gjatë një periudhe kohore në qytetin e Vlorës. Ndërsa në Patos, një qytet periferik i Shqipërisë, Këshilli Bashkiak mori vendimin për të hequr nga shkolla tetëvjeçare emrin e personalitetit që ai mbante, drejtorit aktual të Operas dhe Baletit, figurë e shquar e botës së artit. Ky vendim u mor me motivacionin që ky i fundit kishte dëshmuar në gjyqet komuniste për dënimin e një tenori të ri. Vendimi u krye pas denoncimit të familjes së tenorit të ri, e cila e konsideronte këtë akt si një provokacion. Në vitin 2004, ky personalitet i artit, në një intervistë te gazeta “Panorama”, paralajmëronte se po të hapeshin dosjet në Shqipëri do të shkatërrohej arti, sepse mes artistëve ka pasur shumë spiunë2.
Në të dyja rastet e lartpërmendura ajo që lë përshtypje më shumë është abuzimi që kryhet nga institucione që nuk e kanë atributin ligjor të marrin vendime mbi pastërtinë e figurës së një funksionari të lartë ose personi publik. Nga ana tjetër, nëse këto fakte rezultojnë të vërteta, atëherë me plot gojë mund të afirmojmë se dosjet u hapën. Uilliam Rajerson, kur afirmon se në Shqipëri mungon një proces i transparencës dhe i përballjes me të kaluarën, realizimi i këtij procesi tashmë është kthyer në një nevojë ngutëse. S’ka nevojë të lexosh kabllograme, mjafton të lexosh intervistën e Rajersonit për të lexuar një të vërtetë të madhe.Drejtuesi i periudhës së fundit të diktaturës në Shqipëri ndërroi jetë dhe, pa dyshim, mori me vete shumë prej sekreteve dhe fakteve të panjohura të diktaturës, duke mos u penduar asnjëherë për krimet e atij regjimi makabër dhe shtypës. Mjafton të përmendim vrasjet në kufi gjatë kohës që ai drejtoi shtetin për të kuptuar se në një vend tjetër, ish-drejtuesi i fundit komunist do t’i kalonte vitet në burg për krim kundër njerëzimit dhe vrasje me paramendim. Realisht, shanset që në Shqipëri të ekzistojë një komision si në Afrikën e Jugut, ku roja i burgut të Spaçit dhe ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit të dalë para një komisioni dhe të njohë krimet e kryera prej tij (edhe pse ky proces do të lehtësonte ndërgjegjen e tyre), janë zero. Në Shqipëri ende ekziston “omerta e regjimit”, ajo është mbizotëruese në shoqërinë tonë, e ndërthurur me një kulturë sekreti dhe simptomën e spiunimit dhe kryerjes së veprimeve underground dhe me letra anonime. Javën që kaloi takova për herë të dytë Rainer Eppelmann, një desident i shquar i Gjermanisë Lindore, kryetar i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës së SED. Gjatë referatit që ai mbajti e pyeta nëse i kishte mësuar gjatë konsultimit të dosjes së tij emrat e personave që e kishin spiunuar në kohën e diktaturës dhe si kishte reaguar në ditët e sotme. Eppelman u përgjigj se kishte mësuar se një nga miqtë e tij të afërt, desident si ai, e kishte spiunuar te STASI. Ai nuk e kishte takuar prej vitesh, por deklaroi se nuk do mundej t’i shtrëngonte dorën atij nëse nuk do të kishin një bisedë sqaruese rreth rrethanave që e shtynë atë njeri që ta spiunonte. Z. Eppelmann tregoi se STASI kishte një dosje nga më voluminozet dhe ai kishte mundur ta konsultonte atë gjerësisht. Në Gjermani dosjet u hapën vite më parë. Njerëzit e kanë të qartë atë pjesë të errët të diktaturës dhe çfarë ndodhi realisht me ta, si ishin parë nga syri i “big brother” i Sigurimit të Shtetit. E vërteta për Shqipërinë është se dosjet u hapën më shumë për të bërë shantazh dhe presion duke u keqpërdorur. Shoqëria civile duhet të ngulmojë në hartimin e një ligji lustracioni që dosjet e hapura, në fund të fundit, të çlirojnë nga maskat e tyre personat që prej vitesh luajnë rolin e kukullës prej druri në një teatër të drejtuar nga disa dosje. Nuk ka arsye përse mos ta shohim në sy atë që ka ndodhur në këtë vend, sado e dhimbshme të jetë ajo. Në Romën e lashtë, “lustrum” ose lustracion, ishte një proces purifikimi për individin, ku përdorej uji dhe dega e një ulliri. Në Greqinë e lashtë ky ishte një proces ende më i fortë. Ai kryej nga një individ ose qytet për ta purifikuar kur kishin kryer një krim. Më 25 maj 2011, në një qytet të vogël bask në Spanjë, në Vitoria, viktima të ETA-s mundën të realizonin, falë një programi, një takim me vrasësit e të afërmve të tyre. Dëshira e familjarëve të viktimave ishte të kuptonin arsyen e vrasjes së të afërmit të tyre. Vajza e një polici bask të vrarë në vitet 1980, gjatë takimit me vrasësin e të atit, mësoi se i ati ishte zgjedhur rastësisht për t’u vrarë. Ekzekutori i rrëfeu gjerë e gjatë se e kishte zgjedhur viktimën rastësisht në rrugë, e kishte ekzekutuar sepse donte të bëhej pjesë e ETA-s dhe për këtë ai duhet të vriste një përfaqësues të shtetit. Viktimat e terrorit patën kurajën qytetare të përballeshin me vrasësit e ETA-s, këta të fundit morën kurajën për t’u përballur me krimin e vet dhe t’u kërkonin ndjesë direkte familjeve të viktimave, duke kuptuar se aktet e tyre kishin sjellë vetëm vuajtje dhe dëshpërim për shkak të një ideologjie. Terroristët e ETA-s kuptuan se kishin nevojë për “lustrum” e tashmë na mbetet ne t’i imponojmë “lustrum” shoqërisë dhe vendit tonë, edhe pse jemi shumë të vonuar.(Footnotes)
© Panorama.al












