Mungojnë avokatët,shtyhet pretenca për Gërdecin

Oct 18, 2011 | 9:20
Nga gjyqi i Gërdecit

UPDATE- Shtyhet seanca per dosjen Gerdeci, ku prokuroria do te vijonte me leximin e pretences se nisur qe nje dite me pare.

Shkak per shtyrjen eshte bere mungesa e avokatëve mbrojtës të disa prej të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit.

Vetëm 15 minuta pas vijimit të leximit të dosjes me pretencat e 29 të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit seanca gjyqësore është ndërprerë për të vijuar të enjten.

Dosja është mjaft voluminoze, rreth 500 faqe, ku sipas prokurorëve do të duhen edhe të paktën dy seanca të tjera për të përfunduar leximin e saj.

Gjykimi i shumëpërfolur ndaj të akuzuarve si përgjegjës për “tragjedinë e Gërdecit”, i nisur në korrik të vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës, eshte tashme në fazën përfundimtare.

Dje Prokuroria nisi leximin e pretencës për 29 të pandehurit e tragjedisë që shkakoi 26 viktima, 300 të plagosur dhe shkatërroi qindra banesa.

Treshja gjyqësore që shqyrtoi këtë dosje, pas afro 180 seancash, ia ka lënë tashme fjalen prokurorise për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Gjatë leximit të pretencës në seancën e djeshme prokuroria tha se janë shkelur të gjitha rregullat e sigurimit teknik, të cilat më pas kanë çuar në tragjedinë e rëndë.

Prokurori, deklaroi se Ylli Pinari, drejtor i MEICO-s, Mihal Delijorgji, pronar i kompanise Albademil, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeci, drejtues të fabrikes së demontimit, akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkepunim, duke shkaktuar vdekjen e 26 personave.

Pretenca ishte caktuar te jepej ne datën 3 tetor, por per shkak te dosjes shume voluminoze dhe numrit të madh të të pandehurve në të, u kërkua një shtyrje dy javore e këtij afati.

 

© Panorama.al

Te lidhura