Donald Trump paralajmëron kryeministrin e Groenlandës: As nuk e di kush është, por do të ketë probleme

Jan 14, 2026 | 10:22

Donald Trump ka shprehur mospajtimin e tij me deklaratat e bëra një ditë më parë nga kryeministri i Groenlandës, i cili theksoi se ishulli zgjedh Danimarkën në vend të Shteteve të Bashkuara.

trump shba

Deklaratat Trump i bëri të hënën gjatë një bisede me gazetarët. I pyetur për këtë çështje, presidenti amerikan u shpreh: “Nuk jam dakord me të. Nuk e di kush është, nuk di asgjë për të, por kjo do të kthehet në një problem të madh për të.”

Ndërkohë, sot pritet që ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë për bisedime me J.D. Vance dhe Marco Rubio, me synimin për të ulur tensionet lidhur me ishullin arktik.

Groenlanda është një territor autonom që i përket Danimarkës dhe që Trump ka shprehur dëshirën ta vendosë nën kontrollin e SHBA-ve.

Sipas Politico, qëllimi i vërtetë i Trump mund të mos lidhet as me çështje sigurie dhe as me burimet natyrore të Groenlandës, siç është pretenduar herë pas here. Artikulli vë në dukje se, nëse interesi do të kishte të bënte me mineralet e ishullit, Danimarka prej vitesh u kishte ofruar Shteteve të Bashkuara mundësi investimi në Groenlandë, një ofertë që Uashingtoni nuk e shfrytëzoi.

Po ashtu, nëse motivi kryesor do të ishte frenimi i ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Arktik, zgjidhja do të ishte më e thjeshtë, SHBA-të mund të forconin zyrtarisht praninë e tyre ushtarake në ishull, me pëlqimin e Kopenhagës, pa hapur çështje sovraniteti.

Megjithatë, në Bruksel po fiton terren një interpretim tjetër, më shumë i natyrës personale. Siç e përmbledh një diplomat europian, Donald Trump dëshiron të mbetet në histori si njeriu që e bëri Amerikën “më të madhe”, edhe në kuptimin gjeografik, duke i dhënë debatit për Groenlandën një dimension të fortë simbolik dhe politik.

© Panorama.al

Te lidhura