Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ishte në Laç ku shpalosi prioritetet e forcës së tij politike për zgjedhjet e 11 majit. Në fjalën e tij, Lapaj u shpreh se nëse ai merr pushtetin do të rrisë buxhetin për arsimin, duke dyfishuar rrogat për mësuesit.

Po ashtu, Lapaj deklaroi se do angazhohet për ndryshime të thella në Shqipëri, duke theksuar se shqiptarët mund të çajnë sistemin e korruptuar dhe ta ndihmojnë vendin të ecë përpara.
Lapaj theksoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve dhe fuqizimit të diasporës, si dhe kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Nëse ne do ia dalim, do të thotë se fëmijët tuaj nesër do ia dalin. Kjo është rruga e shqiptarëve për të çarë sistemin. Këtë Republikë e kanë prishur një grup njerëzish, që e kanë vjedhur. Zgjidhja nuk vjen vetëm nga unë, por vjen duke u bashkuar e mira. Duke u bërë bashkë, bëhemi ortek, që mund ta shembim sistemin. Ligji duhet të na udhëheqë.
Ne kemi vëmë në fokus votën e diasporës. Neve na thanë se nuk e bëjmë dot votën e diasporës, por sot vota e diasporës është realitet. Ne mund t’ja dalim nëse gjithë shqiptarët i bëjmë bashkë. Duhet të marrë fund sistemi zgjedhor, ku kryetari i partisë vendos për çdo deputet. Ligji për referendumet është tepër i rëndësishëm, që populli të pyetet për çështje të rëndësishme. Duhet të depolitizojmë administratën zgjedhore.
Ligji duhet të jetë mbi të gjitha, jo individi. Nëse marrim pushtetin, do të rrisim buxhetin për arsimin. Rroga e mësuesve në 4 vite do të dyfishohet. Tatimin e fitimit do ta bëjmë zero”, tha ndër të tjera Lapaj.
© Panorama.al











