
Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur në Tiranë në tetor 1995, kërkoi dje përsëri drejtësi për çështjen e babait të tij, ende të pagjetur. Duke mbajtur pas vetes dy fotografi, Ardian Hoxha i bëri thirrje drejtësisë të thotë fjalën e saj dhe sipas tij, të provojë se është e pavarur. Ndërsa fliste për ngjarjen, Ardian Hoxha pas vetes kishte vendosur një foto që tregonte shtetasin e vërtetë Shaqa Shatri, nga Kosova, dhe një foto tjetër ku ndodheshin dy portrete të ish-agjentit të SHIK, Ilir Kumbaro, i akuzuari kryesor në dosjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës. Në prag të vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila pritet të shprehet më 14 tetor 2011, djali i Remzi Hoxhës deklaroi se ai dhe familja e tij kanë 16 vjet që kërkojnë drejtësi. “Jemi këtu për t’i treguar Drejtësisë së Shqipërisë se vendimi i tyre i stërvonuar është duke u pritur nga çdo Shqiptar, kudo që jeton. Ky vendim do t’i dëshmojë çdo Shqiptari, nëse në Shqipëri ka Drejtësi apo Drejtësia është akoma e uzurpuar nga klanet mafioze shtetërore”, tha Ardian Hoxha, djali i biznesmenit Remzi Hoxha. Ai tha se duhet ritheksuar se ish-agjenti i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, po strehohet në Angli me emrin e rremë Shaqa Shatri.
“Shaqa Shatri është gjallë. Pak ditë më parë ishim dëshmitarë të dokumentarit në NEVV—S24 të Shaqa Shatrit, i cili është ende gjallë dhe jeton në fshatin Kushnin të Kosovës. Ai në detaje tregoi se si i është vjedhur dokumentacioni dhe identiteti i tij, dhe deklaroi se e dënon vjedhjen e identitetit të tij nga Ilir Kumbaro dhe përfitimet e tij nga qeveria britanike në emrin e tij”, tha djali i Remzi Hoxhës. Më 14 tetor 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të shprehen në lidhje me masën e sigurisë ndaj Ilir Kunmbaros. Nëse urdhër arresti ndaj tij lihet në fuqi, atëherë Shqipëria do t’i kërkojë palës angleze ekstradimin e të pandehurit por, nëse Gjykata e Lartë rrëzon masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, që është vendosur ndaj Kumbaros, ekstradimi i tij dështon. Renmzi Hoxha është rrëmbyer tek ish-Frigoriferi në Tiranë, më 21 tetor 1995. Për këtë ngjarje, sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda po gjykohen tre ish-efektiva e zyrtarë të SHIK-ut, ndërsa Kumbaro është hetuar në mungesë, pasi është arratisur në Angli në vitin 1996. tr.so











