Djali i kreut të shtabit të PS plagos me armë

Apr 25, 2011 | 11:32
Dëmet në banesën e 20-vjeçarit, nga shpërthimi i tritolit pak ditë më parë

Djali i kreut të shtabit elektoral të PS-së në Pogradec, Vasfi Syzo, është bërë protagonist i një tjetër ngjarjeje të rëndë në këtë qytet.Në bashkëpunim me dy persona të tjerë, 20-vjeçari Brijan Syzo plagosi me armë zjarri dy të rinj, bashkëqytetarë të tij. Vetëm pak ditë pasi e kërcënuan duke i vendosur tritol në banesë, si dhe pas shpalljes në kërkim pasi u denoncua për kanosje nga dy të rinj, Brijan Syzo është shndërruar tashmë në protagonist të ngjarjeve në këtë qytet. Ai është shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, bashkë me dy persona të tjerë. Sipas policisë, dje rreth orës 04:00, si pasojë e një konflikti të çastit midis dy grupeve, janë plagosur me armë zjarri shtetasit R.Callo, 32 vjeç, dhe L.Marko, 34 vjeç, që të dy nga Pogradeci. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, në shëtitoren “1 Maji”, në një nga lokalet e saj. Mes shumë klientësh të cilët kanë qëndruar gati në të gdhirë për të festuar Pashkët, kanë qenë edhe dy grupe me të rinj, të cilët në pije e sipër janë konfliktuar. Acarimi mes tyre ka vazhduar deri aty nga ora 04:00, kur situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë vënë në përdorim edhe armët. Policia që hetoi ngjarjen tha se nga njëra anë kanë qenë së bashku me 20-vjeçarin Brijan Syzo edhe dy shokë të tij, vëllezërit Meart dhe Bledar Berberi, 25 dhe 22 vjeç. Të dy këta të fundit kanë precedentë të mëparshëm penalë. Meart Berberi ka kryer 1.4— vite burg për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ndërsa vëllai i tij Bledar Berberi, është dënuar për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Gjithashtu, 20-vjeçari Brijan Syzo  është dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje. Të tre këta të rinj, të dënuar më parë për këto vepra penale, rëndohen tashmë nga të tjera akuza, atë të “Vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim”, si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Mësohet se 32-vjeçari Callo është plagosur me armë zjarri në shpatullën e majtë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Pogradecit jashtë rrezikut. Ndërsa 34-vjeçari R.Marko ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe të syrit, kryesisht nga goditjet me mjete të forta. Në cilësinë e provës materiale, blutë sekuestruan 6 gëzhoja të nxjerra nga dy armë zjarri. Policia e Pogradecit bëri të ditur se është duke hetuar dhe ka shpallur në kërkim Syzon dhe vëllezërit Berberi.

Precedenti i 20-vjeçarit solli shpërthimin e tritolit

Të dielën e javës së kaluar, në apartamentin e katit të parë të familjes së Vasfi Syzos pati shpërthim tritoli. Në banesë ndodhej vetëm gruaja e tij, Shpresa Syzo, me detyrë drejtoreshë e Tatim-Taksave në Pogradec. Ndërsa djali i saj, Brijan Syzo dhe bashkëshorti i saj, punonjës i Urbanistikës në Bashki, dhe kreu i shtabit elektoral të PS-së nuk ndodheshin në banesë. Syzo nxitoi ta politizonte ngjarjen. Sipas tij, ngjarja kishte motive politike, për shkak se mbështeste kryetarin aktual të bashkisë, i cili është edhe kandidat i PS-së për t’u rizgjedhur në këtë post. Por pas hetimeve të kryera, policia e Pogradecit e përjashtoi këtë pistë. Grupi i hetimit bëri të ditur se ngjarja kishte qëllime hakmarrjeje, pasi djali i familjes Syzo kishte precedentë të mëparshëm dhe se ai ishte autor i një plagosjeje në këtë qytet. Policia arriti të identifikonte dhe të arrestonte tre autorët që vendosën tritolin.

 

POGRADEC/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura