Divorci, shkaqet dhe pasojat

Mar 15, 2015 | 13:50

Arqile Bërxholi

ARQILE BËRXHOLI

         Divorci si dukuri de mografike apo sociofamiljare është po aq i vjetër sa dhe vetë jeta e njeriut, duke qenë bashkudhëtar me martesën. Kur organizimi i shoqërisë njerëzore filloi të kodifikohej nga ana juridike, njëherësh filloi të kodifikohej edhe martesa e bashkë me të edhe divorci. Natyrisht, këto dukuri kanë mbajtur vulën e kohës që janë kushtëzuar …nga karakteri i rendit ekonomiko-shoqëror, nga shkalla e emancipimit të shoqërisë, nga pozita dhe nga “vlera” e bashkëshortëve në familje apo në shoqëri. Por, duhet thënë se pavarësisht këtyre kushtëzimeve, divorci ka qenë element shoqëror, familjar e juridik, i pranishëm në të gjitha etapat e kalimit historik të shoqërisë njerëzore dhe nuk është “arritje e kohëve moderne”. Po të vërejmë dokumentet arkivore shohim se divorci ka qenë i njohur në kushtetutat perandorake, në venomet e kanuneve dhe në kushtetutat moderne, por natyrisht që dinamika e tij ka qenë e diferencuar. Edhe në vendin tonë këtë “kodifikim juridik” e hasim gjatë gjithë etapave, ku më të ashpër e preferencial ndaj burrit, ku më të lehtë e me njëfarë të drejte “të barabartë” për të dy bashkëshortët. Kështu, p.sh, e drejta e divorcit njihet nga Kanuni i Lekë Dukagjinit apo nga ai i Papa Zhulit, nga Kushtetuta e mbretërisë apo e socializmit, ashtu siç njihet edhe nga Kushtetuta e sotme. Mënyra e zgjidhjes së martesës, kush e kishte preferencën dhe kush ishte më i “nderuar apo më i turpëruar” natyrisht që kanë pasur vulën e kohës, por një dukuri ka qenë e njëjtë gjatë gjithë historisë, fatkeqësia që binte mbi fëmijët, drama që ata pësonin dhe ndikimi i tyre në jetën e mëvonshme të fëmijës. Një fjalë e urtë e shpreh këtë në mënyrë më të plotë: “rritja pa baba e lë fëmijën fukara, rritja pa mëmë e lë atë jetim”. Siç shihet, që të dyja janë fatkeqësi për fëmijët.

DIVORCI NË KUSHTET E MBRETËRISË KUSHTETUESE
Në kushtet e Republikës dhe të Mbretërisë Kushtetuese, pas shpalljes së Pavarësisë, divorci njihej si e drejtë shoqërore dhe juridike, por gjer në vitin 1928, para hartimit të Kodit Civil të Mbretërisë, e drejta e kërkesës për divorc ishte pronë e burrit. Me hartimin e këtij Kodi u njoh dhe e drejta e gruas për të bërë padi për divorc, por duhet thënë se pavarë- sisht se ekzistonte një ligj për këtë problem, në shumicën e rasteve problemin e zgjidhte “fisheku në pajë”, gruaja ishte njeriu më i turpëruar, fëmijët nuk lejoheshin të shkonin me të dhe ajo do të shkonte te njerëzit e vet “si kallogre”. Megjithëse në këto kushte, po t’u referohemi shifrave në vendin tonë, në vitin 1938, ka pasur mbi 6% zgjidhje të martesave vjetore(ose 360 divorce).

DIVORCET NË KUSHTET E “OPINIONIT TË EGËR KOMUNIST”
Në vitin 1945, në Shqipëri u vendos diktatura e egër komuniste, e cila për moto të saj kishte përhapjen e gjerë të “opinionit të egër komunist kundër divorcit” (i përdora këto terma pasi sot janë “tepër bashkëkohorë”). Gjatë asaj kohe ishte e drejta e barabartë e partnerëve për të kërkuar divorcin, madje nga vendimi gjyqësor më e privilegjuar dilte gruaja sesa burri. Fëmijët zakonisht shkonin me nënën, ndërsa babai detyrohej të shlyente rregullisht shpërblimin ekonomik, që jo rrallë herë i mbahej në vendin e punës. Po t’u referohemi shifrave, dinamika e divorceve në këtë kohë ka qenë: në vitin 1945 divorcet kanë qenë 6.4% të martesave të vitit(ose 713), në 1950 ka pasur divorce në masën 8% të martesave, në 1960 ka pasur 6.7%, në 1970 ka pasur 11.2%, në 1980 ka pasur 9.7% dhe në vitin 1990 ka pasur 9.2% të martesave. E njëjta dukuri vihet re dhe në aspektin gjeografik, ku Tirana, Durrësi, Elbasani Shkodra kanë pasur nivelin më të lartë, sidomos në popullsinë qytetare. Në Tiranë, për shembull, në vitin 1970 zgjidhjet e martesave ishin në masën 21.3%, ndërsa në vitin 1975 ishin 30%, ku divorcet në qytet zinin 90% të divorceve të rrethit. Në vitin 1980, në Tiranë kishte 20% të divorceve të vendit, në Durrës 8%, në Elbasan 10.3%, në Fier kishte 5%, në Shkodër kishte 7.3%, në Vlorë 6.5% etj. Siç shihet, edhe gjatë sistemit socialist procesi i divorcit ka qenë prezent dhe nuk është real mendimi i hedhur kuturu se “opinion shoqëror (apo opinioni i egër komunist) nuk lejonte që shumë çifte të mos divorcoheshin”. Është e vërtetë që opinioni shoqëror në atë kohë ishte më “afër” familjes dhe disa organizma shoqërorë merreshin seriozisht me këtë problem, sidomos në fillimet e mosmarrëveshjeve në familje, pa mohuar dhe “turpin nga bota”.

DIVORCI NË KUSHTET E LIRISË

Të dhënat pas vitit 1990 tregojnë rritje të dukurisë së divorceve. Ashtu siç vihet re, rritja e krimit në familje, ndaj gruas, keqtrajtimet e fëmijëve, përdhunimi i fëmijëve femra (të mitur) nga prindi mashkull apo nga thjeshtri etj. Sipas të dhënave, në kushtet e lulëzimit të demokracisë në shoqëri dhe për rrjedhojë edhe në familje, gjer në vitin 2000 divorcet kanë qenë në kufirin e atyre të “presionit të egër komunist”, rreth 9% të martesave vjetore. Por, ndryshe nga çfarë trumbetojnë “ekspertët” e divorceve, për rolin emancipues të gruas në familje, apo rritjen e përpjekjeve për studime, shifrat flasin për një tjetër “nivel” të atyre që shkojnë drejt divorcit. Statistikat thonë se mbi T! e divorceve u takojnë partnerëve me arsim fillor e 8-vjeçar. Synimi për të pasur një jetë në “vetmi”, për të siguruar “qetësinë mendore dhe emocionale” ka bërë që pas vitit 2000 të ketë divorce mesatarisht 16% të martesave vjetore. Por, ka edhe vite kur kjo ka shkuar edhe më tej. P.sh në vitin 2008 divorcet kanë zënë 28.6% të martesave vjetore, më 2006 kanë qenë 22%, më 2005 kanë qenë 21% etj., dhe në këto divorce Tirana ka kapur gjer në 52% të tyre.

ÇFARË ËSHTË DIVORCI?
Kur dëgjon të flitet për këtë problem, natyrshëm lind pyetja: çfarë është divorci dhe pse ndodh ai? Në fjalorin terminologjik gjuhësor, por edhe të termave juridikë, divorci (emri është me orgjinë nga gjuha latine) është “zgjidhje ligjore e martesës nga një trupë gjyqtarësh”. Pra, siç shihet, në kuptimin juridik përmbajtja e divorcit është shumë e thjeshtë, ashtu siç është shumë e thjeshtë dhe në mjaft “publikime” apo “këshilla e shpjegime psikologësh”, që kanë pushtuar ekranet. Mirëpo, në aspektin familjar, shoqëror, në raport me fëmijët apo njerëzit e tjerë që janë rreth çiftit të divorcuar dhe për vetë partnerët, kuptimi i këtij procesi është shumë i koklavitur dhe tejet i rëndë. Po a do të duhet të ketë divorce? Mendoj se kur martesa është konsumuar në mënyrë të pakthyeshme, divorci është zgjidhje normale. Por nuk jam aspak dakord me divorce “për të bardhë të laraskës”. Nga sa kam lexuar, jam habitur se si shkrues të ndryshëm mundohen ta paraqesin divorcin si: “Ndërgjegjësim të njerëzve se tashmë në demokraci kanë alternativa për të zgjedhur llojin e jetesës që duan të jetojnë, që do t’u japë shansin të gjejnë qetësinë mendore dhe plotësimin e emocioneve për të cilat kanë nevojë”. Dikush tjetër thotë: “Divorci është emancipim i shoqërisë, apo ndryshim progresiv i tipologjisë së martesës”. Të tilla mund të citoja mjaft. Natyrisht po e përsëris që “kur hiqet guri i themelit, shtëpia prishet”, por unë kurrsesi nuk do ta quaja dukuri emancipimi e progresi rritjen e shfrenuar të divorceve, por do ta gjykoja si një katastrofë shoqërore, nisur nga pasojat që ai bart me vete. Për mendimin tim, “qetësinë mendore dhe plotësimin e emocioneve” partnerët duhet ta kërkojnë para se të kalojnë në procesin e martesës. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Kur martohesh, i vë një rreth kokës”. Kjo thënie nuk duhet marrë si diçka anakronike që i ka kaluar vakti me kohë, pasi ajo është më shumë se kurdo aktuale. Për mendimin tim, martesa i detyron partnerët “të heqin dorë nga disa liri e lodra të adoleshencës apo të rinisë, njëherësh t’u nënshtrohen edhe disa kufizimeve”. Po pse ndodhin divorcet? Për këtë ka shumë shkaqe e shumë faktorë, si ekonomikë, shoqërorë, familjarë, të moralit, të përgjegjë- sisë për fëmijët, të dialogut me partnerët apo me rrethin familjar, të mënyrës se si e kuptojnë partnerët martesën, ekonominë familjare etj. Por mendoj se faktori themelor është mënyra se si është lidhur martesa. Në disa studime të konsultuara kam vënë re se në to thuhet: 1.8% e femrave të martuara kanë provuar dhunë para martesës dhe 27.6% kanë provuar dhunim në vitin e parë të martesës, dhe këta lloj të dhunuar apo dhunues janë në masën 68% me arsim fillor e 8-vjeçar. Atëherë për çfarë martese mund të flitet në këto raste. Si është e mundur të martohet një femër me një partner që, pa u bashkuar në një familje,i jep dru? Janë këto lloj martesash të cilat kanë sjellë që në divorce të dominojnë moshat e reja me 1-2 vjet martesë. Edhe në rastet e martesave më të kujdesshme, mund të ketë trauma, por gjithsesi martesa do të ketë një vlershmëri më të mirë.

MIGRIMI
Plagë e rëndë në dinamikën e divorceve është edhe migrimi i përkohshëm, sidomos i partnerit burrë dhe i nivelit të ulët arsimor të tij. Duke qenë në vende me një “jetë liberale”, larg halleve e detyrimeve, të larguar për një kohë të gjatë, kur kthehen në vendin e tyre këta partnerë dyshojnë për nderin e gruas (këtu mund të ketë dhe të vërteta) dhe kështu fillon ajo që quhet “plasaritje e marrëdhënieve familjare”, që më në fund përfundojnë në dyert e gjykatës. Faktor nxitës i divorceve është dhe migrimi i brendshëm spontan dhe kaotik. Po t’u referohemi të dhënave statistikore në qytetin e Tiranës dhe rrethinave të saj, apo në Durrës, në Elbasan, në Fier, në Vlorë, në Shkodër, nga 43% gjer në 67% e popullsisë së sotme të tyre është e ardhur sidomos pas vitit 1995, kryesisht nga rajonet fshatare periferike, por më së shumti prej fshatrave të thella malore. Këto familje, duke u larguar “nga sytë këmbët”, nuk kanë asgjë të sigurt atje ku migrojnë. Në këto kushte, krahas varfërisë, këto familje pësojnë dhe një dyzim të karakterit të tyre. Në thelb ato kanë karakterin e rrënjosur të vendit ku tradicionalisht kanë jetuar. Kur ato migrojnë në mjedisin e ri suburban dhe aq më tepër urban, për të mos pësuar “veçimin social”, nisin të përkrahin jetën “liberale urbane”. Kësisoj fillon dyzimi që bashkëpërcillet edhe me dyzimin moral të partnerëve, me pleksjen në marrëdhënie shoqërore jo normale, në cenimin e normave ligjore etj. Gradualisht vjen dhe shpërbërja e familjes. A ka shtruar kush pyetjen: Pse Tirana ka gati gjysmën e të gjitha divorceve të vendit? Në cilat grupe shoqërore ka ndodhur më shpesh ky fenomen? Sa janë rastisjet për shkak të dyzimit shoqëror të partnerëve? Këto janë probleme që duhen studiuar dhe organizmat përkatëse të publikojnë këto statistika me studimin e të cilave studiuesit të mundin të ofrojnë dhe alternativa të mundshme.

EKONOMIA
Tjetër faktor, mjaft i rëndësishëm, është gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen mjaft familje. Kur nuk të ka xhepi, gjithmonë je me stres. Me stres edhe më të madh je kur shikon fëmijët të dëshpëruar nga varfëria. Nuk e di e kanë të qartë shkruesit dhe analistët se çfarë do të thotë varfëri? Varfëria në familje egërson të rritur e fëmijë. Gjatë jetës, duke punuar edhe me institucione shoqërore, më ka rastisur të njoh raste nga më të çuditshmet. P.sh. në një familje fqinje dëgjonim gjithmonë grindje, ulërinte gruaja, ul- ërinte burri, ulërinin fëmijët dhe më pas vinte druri. M’u kërkua që, në emër të organizatës ku bëja pjesë, të shkoja në këtë familje. Ajo familje kishte 3 fëmijë. Çfarë dëgjova dhe çfarë pashë në atë familje? Partneri shkonte në punë duke marrë me vete një thelë bukë misri me dy speca, po kështu dhe partnerja. Për fëmijët, që shkonin në shkollë, linin një pllakë bukë misri dhe dy speca e dy domate. Në sytë e partnerëve pashë se kishte një egërsi të pashpjeguar, por më shumë egërsi pashë se kishte në sytë e fëmijëve ndaj prindërve. A mundet një familje e tillë të vazhdojë gjatë. Sot ky fenomen është bërë një sëmundje e rëndë shoqërore. “Ndihma sociale” është vetëm një lë- moshë lypsari. Të gjitha këto, në kushtet kur “shoqëria nuk do të dijë më për privatësinë e familjes”, çojnë në dhunën në familje, në tradhti bashkëshortore dhe si pasojë në rritjen e divorceve dhe degradimin e shoqërisë. Në vendin tonë veprojnë disa shoqata me emra nga më të ndryshmit, por çfarë roli kanë ato? Për këtë gjykoni vet.

PASOJAT E DIVORCIT
Mund të shtrohet pyetja: divorci është dukuri pozitive apo negative? Përgjigja ime në tërësi do të ishte: “Divorci është një e keqe e domosdoshme”. Këtë e them se kur përplasja e partnerëve i ka kaluar kufijtë e mundshëm të mirëkuptimit, atëherë është më e udhës që secili “të shkojë në punë të vet”. Po kush i paguan pasojat e divorcit? Unë do të thosha që nga një divorc nuk ka “fitimtar”, të gjithë janë humbës. Duke iu referuar statistikave të kriminalitetit në vende të ndryshme, kam vënë re se pre e krimit seksual apo vrasjes më së shumti janë femrat e divorcuara dhe pa mbështetje. Po aq janë pre e përfshirjes në krim edhe burrat e divorcuar e të veçuar nga familja dhe fëmijët. Partnerët, pavarësisht sesa liberale mund të jetë shoqëria përkatëse, pas divorcit do t’u duhet të pësojnë një ridimensionim shoqëror që nuk është fort i lehtë, sidomos kur mundohen të gjejnë partnerë të rinj jo rrallë dhe krejt të panjohur. Por, ata që e ndjejnë më shumë fatkeqësinë e divorcit janë fëmijët. Kur fëmijët janë të mitur nuk kuptojnë, por mënyra se si rriten (pa dashurinë prindërore) lë gjurmë që në ardhmen do të formojnë karakterin e tyre. Sipas disa të dhënave në qytetin e Fierit mbi 300 fëmijë nën moshën 5 muajsh kanë mbetur jetimë si pasojë e divorcimit të prindërve. Kur fëmijët e prindërve të divorcuar janë të rritur, traumat e tyre janë më të mëdha. Shpesh ata ndjehen fajtorë për divorcin sepse kanë dëgjuar prindërit të grinden lidhur me nevojat e tij dhe fëmija kalon në stres. Ka raste kur fëmijët kanë marrë vesh për fajet e njërit apo tjetrit prind dhe fillojnë që t’i urrejnë ata, madje mund të bëhen dhe agresivë. Fëmijët me prindër të divorcuar mund të bëhen agresivë edhe në shoqëri, pasi tek ata ndodh ajo që quhet “vetëpërjashtim shoqëror”. Se sa e ndjen fëmija një gjë të tillë, po tregoj një shembull. Një kolegu im më tregon se një ditë kishte shkuar të merrte nipin në shkollë, pasi vajza e divorcuar kishte punë. Rrugës ishte vonuar dhe nipi kishte mbetur vetëm me më- suesen. Kishte filluar të qante. Pyetja e parë që i bëri gjyshit ishte: ku është mami, pse më la këtu kur shokët të gjithë ikën? Më nuk foli. Kur e ëma erdhi në shtëpi djali, iu hakërrye: “ndaj u ndave me babin, se do që të bredhësh”, dhe u mbyll në dhomë. Kjo është një dramë për fëmijët që i çon edhe në agresivitet ndaj prindërve. Fëmijët që kanë ndjerë peshën e divorcit nuk janë të paktë. Sipas statistikave, 80% e të divorcuarve kanë pasur fëmijë. Sikur një fëmijë të kenë pasur këto çifte i thonë që në çdo vit rreth 3000 fëmijë të jenë veçuar nga një prej prindërve, çka do të thotë që brenda 15 vjetëve të fundit rreth 45.000 fëmijë të jenë pa familje. Por çfarë sjell kjo? Shikoni ju lutem statistikat e krimit të të miturve. Nga 304 vjedhje të ndodhura në vit, 225 janë kryer nga fëmijët e mitur. Në Tiranë janë dënuar në vit 104 të mitur për vjedhje, në Durrës 67, në Gjirokastër 15 etj. Megjithëse nuk ka të dhëna se sa janë nga këta fëmijë pjesëtarë të familjeve të divorcuara, mendja të thotë se shumica janë nga familje të shpërbëra në një formë apo në një formë tjetër. Nisur nga sa kam shkruar, përfundoj duke iu lutur të gjithë atyre që flasin për divorcin: mos e glorifikoni dhe mos u bëni nxitës të këtij fenomeni! Mediave u lutem të jenë më të vë- mendshme në programet e tyre lidhur me këtë problem; shoqatave të ndryshme u lutem lërini “protestat” me 10-15 protestues që mbajnë në duar disa pllakata me hieroglifë, por shkoni sa më afër familjeve në nevojë; shtetit i lutem të ketë më shumë vëmendje në këtë kategori fëmijësh. Të shpëtosh një jetë fëmije të braktisur, do të thotë të ndërtosh një faltore të shenjtë!

© Panorama.al

Te lidhura