Komisioni i Disiplinës, i mbledhur dje për shqyrtimin e problemeve disiplinore të konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të kampionatit, pasi është njohur me relacionin e sekretariatit teknik, ka dënuar jo vetëm lojtarin e bardhekuqve, Ditmar Bici, por edhe klubin korçar. Lojtari është ndëshkuar me 10 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet për shkak se pështyu zyrtarin e kundërshtar, konkretisht drejtorin teknik të Flamurtarit, Përparim Lushaj. Sakaq, nuk ka kaluar pa gjë edhe ky i fundit, i cili për provokime të shkaktuar ndaj kundërshtarëve është ndëshkuar me tri ndeshje pezullim. Një tjetër gjobë për klubin korçar. Për hedhje të mjeteve ndezëse dhe sendesh të forta në fushë nga spektatorët, KF Skënderbeu është dënuar me 300 mijë lekë gjobë. Kjo është gjoba e katërt që klubi merr në vetëm 9 javë kampionat për shkak të tifozëve të vet. Përveç këtyre, Disiplina ka paralajmëruar dy trajnerët, përkatësisht Ramadan Ndreu (Kastrioti) dhe Eqerem Memushi (Tomorri), për reagimet e tepruara të tyre gjatë ndeshjes. Sipas Komisionit, nëse të gjitha reagime do të përsëriten, dy teknikët do të jenë objekt i ndëshkimeve. Dje janë dënuar edhe KF Himara (50 mijë lekë gjobë) si dhe KF Memaliaj, me katër ndeshje pa spektatorë për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë.











