Diplomat, zgjerohet hetimi te “Kristal”

May 18, 2012 | 15:09
Diploma e Renzo Bossit

Zgjerohet hetimi i Prokurorisë ndaj universitetit “Kristal” në lidhje me falsifikimin e diplomave të shkollës së lartë. Duke tejkaluar rastin e dy shtetasve italianë, Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro, truprojë e senatores italiane Rosy Mauro, Prokuroria ka dyshime se diplomat janë falsifikuar edhe në disa raste të tjera. Fjala është për persona që janë regjistruar në vitin e dytë apo të tretë dhe që kanë marrë nota sikur të kishin frekuentuar tri vitet, vetëm sepse kanë pranuar të kryejnë pagesën sikur të kishin frekuentuar në mënyrë të rregullt. Dyshimet për këtë skemë abuzimi, sipas Prokurorisë, janë krijuar pa ndonjë denoncim, por mbi bazën e verifikimeve që janë kryer pranë universitetit privat “Kristal” për llogari të hetimeve që po kryhen në lidhje me pajisjen me diplomë të Renzo Bossi-t, djalit të politikanit italian, Umberto Bossi. Sipas burimeve të Prokurorisë, në fokus të hetimit, veç Fakultetit të Ekonomisë, në degën Menaxhim Biznesi, ku janë diplomuar siç dyshohet fiktivisht dy shtetasit italianë, hetime po zhvillohen edhe për dhënie të parregullt diplomash në Fakultetin e Infermierisë dhe Juridikut tek i njëjti universitet. “Jemi në fazën e parë të verifikimeve për këtë pjesë, ndonëse nuk kemi kallëzim”, kanë thënë burimet nga Prokuroria.
HETIMI PËR BOSSI-n
Sipas hetimeve të deritanishme, Renzo Bossi u regjistrua në universitetin “Kristal” në vitin 2008 dhe vazhdoi studimet deri në vitin akademik 2010-2011, ndërkohë që nga verifikimet në sistemin TIMS, del që ky person nuk ka hyrë asnjëherë në Shqipëri. Prokuroria ka verifikuar se regjistrimi i Bossi-t në universitetin privat është bërë me një vërtetim të shkollës së mesme dhe jo me diplomë. Po kështu, lista e notave është pasqyruar në rregull sikur shtetasi italian ka frekuentuar rregullisht, ndërkohë që janë zhdukur procesverbalet e provimeve. Për shkak të këtyre anomalive në dokumentacion, Prokuroria ka marrë në pyetje deri tani ish-rektorin e universitetit dhe dekanin e Fakultetit të Ekonomisë si dhe dy pedagogë. Ata kanë dëshmuar se nuk i mbajnë mend rastet e shtetasve italianë, pasi numri i studentëve në auditorë për çdo vit ka qenë i madh, duke e bërë të pamundur që ata të fiksonin personalisht secilin prej tyre. Hetimet për këtë çështje filluan pasi në zyrën e një menaxheri të Lega Nord në Itali u gjet një diplomë e vitit 2011 e lëshuar nga universiteti “Kristal” në emër të Renzo Bossi-t. Koha e regjistrimit të shtetasit italian në universitetin privat në Tiranë, në korrik 2008, rezultonte tre muaj para se ai të mbaronte shkollën e mesme në Itali. Mediave italiane u bëri përshtypje diplomimi në Menaxhim Biznes i djalit të Bossi-t, i cili kishte rezultuar ngelës dy herë në provimet e maturës.

© Panorama.al

Te lidhura