TIRANE – Tre persona të akuzuar për “shitjen” e diplomave të shkollës së mesme kundrejt pagesës 200 mijë lekë, mes të cilëve dy mësues, u dënuan me burg nga Gjykata e Tiranës. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë, arsimtarët Sajmir (Selim) Levonja dhe Kadri Gjoni u deklaruan fajtorë për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve shkollore”. Ata u dënuan përkatësisht me 10 dhe 4 muaj burg. I njëjti vendim deklaroi të fajshëm të pandehurin Bashkim Leti, i cili u dënua me 2 muaj burg për “moskallëzim krimi”. Sipas hetimeve të Njësisë Task-Force të Prokurorisë së Tiranës, të pandehurit e kësaj dosjeje ishin përfshirë në një skemë të “fabrikimit” të diplomave të falsifikuara të shkollës së mesme. “Shtetasi A. Ç. ka kallëzuar se më datë 15.10.2011, një person i quajtur Selim (Saimir) Levonja, i ka thënë atij se mund ta pajiste me një diplomë të rregullt të shkollës së mesme kundrejt shumës 200 mijë lekë. Personi i quajtur Selim është shok me një koleg të kallëzuesit, i cili quhet I. K. Në bisedën e zhvilluar mes kallëzuesit dhe personit të quajtur Selim Levonja, ky i fundit ka shpjeguar se personat e interesuar për diplomë të shkollës së mesme duhet t’i dorëzonin një fotokopje të kartës së identitetit, 4 fotografi, fotokopje të dëftesës së shkollës tetëvjeçare dhe shumën prej 100 mijë lekësh. Diploma prodhohej e rregullt e do të lëshohej nga një shkollë e ndodhur në Klos, Burrel. Për të bindur kallëzuesin, shtetasi Selim është shprehur se për të krijuar bindjen mbi rregullsinë e diplomës, personi i interesuar do të takonte personalisht drejtorin e shkollës në Klos. Për të verifikuar vërtetësinë e diplomës, personi i interesuar mund të pajisej me vërtetimin përkatës nga Ministria e Arsimit. Në përfundim të bisedës, shtetasi A. Ç. i ka thënë shtetasit Selim se në kushtet kur diploma lëshohej si e rregullt, ai dëshironte të pajisej vetë me këtë dokument. Për të realizuar nxjerrjen e kësaj diplome, Saimir Levonja, i quajtur Selim, nëpërmjet shtetasit tjetër Kadri Gjoni, do të lidheshin me drejtorin e shkollës në Klos, i quajtur Bashkim Leti”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. ar.ba











