
MALLAKASTER/ Kërkojnë dëmshpërblimet nga firma e Levan-Tepelenës. Kryekomunari: Grup verifikimi.
Banorët në protestë: Nga shpërthimet u shkatërruan 40 banesa.
Shpërthimet me dinamit për hapjen e trasesë së autostradës Levan- Tepelenë kanë dëmtuar 40 banesa të fshatit Symizë në komunën Fratar të Mallakastrës. Banorët protestuan dje para komunës dhe i kërkuan firmës kontraktuese të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara. Sipas tyre, shpërthimet janë aq të fuqishme, saqë u shkaktohen tronditje të përafërta me ato të tërmeteve. Shtëpitë kanë pësuar plasaritje e dëmtime të tjera, duke i kthyer thuajse në të pabanueshme. Ata kërkojnë dëmshpërblim nga firma ndërtuese e autostradës, “Todini Construzioni Generali”, për dëmtimet e shkaktuara. Sipas tyre, firma duhet të bëjë dëmshpërblim ose në të kundërt ata do të bllokojnë punimet, madje edhe qarkullimin e mjeteve në aksin kombëtar drejt Jugut të vendit. “Nëse nuk marrin masa për ndërprerjen e këtyre shpërthimeve, si dhe për zhdëmtimin e dëmeve të krijuara në më shumë se 40 banesa, ne do të vijojmë me

protesta deri në bllokimin e të gjitha mjeteve që punojnë në këtë autostradë e madje edhe gjithë qarkullimin rrugor në Jugun e vendit. Vetëm kështu na mbetet ta zgjidhim çështjen”, u shprehën banorët dje, teksa ishin mbledhur në një protestë para komunës Fratar. Sipas tyre, nëse ky problem nuk merr zgjidhje, atëherë ata do t’u drejtohen institucioneve të tjera, si Prefekturës, por edhe Ministrisë së Transportit, që të ndërhyjnë për situatën e krijuar. Në lidhje me protestën e banorëve, kryetari i komunës Fratar, Astrit Sejdinaj, pohoi se është njohur me shqetësimin e banorëve. Ai deklaroi se ka njoftuar Prefekturën e Fierit, madje dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për këtë shqetësim të banorëve të fshatit Symizë.
“Përveçse kam njoftuar disa institucione, kam ngritur edhe një komision verifikues për këto dëme nga administrata e komunës dhe i kam kërkuar firmës bashkëpunim për të gjetur zgjidhje për këtë problem shqetësues. Mbetemi në pritje”, u shpreh kryekomunari Sejdinaj. Dje në komunë, me kërkesë të banorëve, ishin edhe përfaqësues të firmës kontraktuese, por edhe supervizorë të kësaj rruge në ndërtim. Ata u takuan me një përfaqësi të banorëve dhe me kreun e komunës dhe në fund ranë dakord për të ngritur një komision verifikimi të përbashkët. Përfaqësuesit e firmës pohuan se nëse ka

dëmtime të banesave, pagesa duhet marrë nga kompanitë e sigurimeve ku është bërë dhe sigurimi i objektit, pra autostradës. Banorët pohuan se këto shpërthime kanë rreth një muaj që ndodhin, pasi nuk ishin shtrirë më parë punimet në këtë zonë.
PUNIMET
Ndërtimi i rrugës Levan-Tepelenë, rreth 70 km e gjatë, është financim i Bankës Europiane për Investime, si dhe asaj për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky investim kap një vlerë rreth 70 milionë euro. Firma ndërtuese e autostradës, “Todini Construzioni Generali”, ka nisur punën prej kohësh në sajë të një projekti madhor, që pritet të shkurtojë një distancë të konsiderueshme të aksit që lidh Tiranën me Jugun e vendit, por edhe me shtetin grek.
KOMUNA
Kreu i komunës Fratar, Astrit Sejdinaj, u shpreh se është në dijeni të problematikës së evidentuar nga vetë banorët e dëmtuar. Sipas tij, komuna ka ngritur një grup verifikimi dhe do të evidentohen të gjitha banesat që kanë pësuar dëmtime si pasojë e shpërthimeve me dinamit nga firma ndërtuese e autostradës. Një fakt të tillë e mbështetën edhe vetë përfaqësuesit e firmës kontraktuese, të cilët do t’i bashkëngjiten grupit të verifikimit.
MALLAKASTER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











