Digjet në makinë, oficeri i SHISH po hetonte pronat e gjyqtarit Konomi

Oct 26, 2011 | 10:14

Isa Çopa

Në shtator Isa Çopa mori urdhër për të zbardhur konfliktet e trojeve në bregdet

Gjendet i djegur oficeri i SHISH
Gjendet i djegur në makinën e tij oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës prej 11 vitesh, Isa Çopa. Trupi i pajetë i 49-vjeçarit është gjetur të hënën, rreth orës 00:30, në plazhin e Currilave. Shefi i Kundërzbulimit, i martuar dhe baba i një djali 17-vjeçar, Isa Çopa, është nxjerrë i karbonizuar nga sedilja e pasme e automjetit tip “Opel Corsa”, ndërsa familja kishte denoncuar në polici zhdukjen e tij, disa orë më parë. Kjo ka bërë që forcat e rendit të nisin menjëherë tentativat për zbulimin e tij nëpërmjet gjurmimeve të telefonit, duke e lokalizuar përfundimisht në zonën e Currilave. Njëkohësisht me lokalizimin, policia është lajmëruar me telefon nga roja i një objekti aty pranë, i cili ishte i alarmuar për një makinë që po digjej disa metra më tutje.
Versioni zyrtar
Ekspertë nga Tirana dhe Durrësi janë angazhuar për zbardhjen e ngjarjes tronditëse. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, u krijua një grup hetimor me specialistët më të mirë të hetimit të krimit, ekspertë të laboratorit kriminalistik dhe ekspertë mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kryen ekzaminimet e nevojshme, mbi bazën e të cilave

Makina e djegur e oficerit te SHISH Isa Çopa

Policia e Durrësit dha versionin zyrtar se Isa Çopa është vetëvrarë. “Në orën 00:30, në vendin e quajtur ish-Reparti Ushtarak në Currila, u konstatua një automjet tip “Opel Corsa”, ngjyrë vishnje me targa të Tiranës në gjendje të djegur, brenda së cilës ndodhej trupi i pajetë i shtetasit Isa Coba. Nga këqyrja rezultoi se mjeti ishte i djegur tërësisht. Brenda tij u gjetën gjithashtu në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, një pistoletë makaron, që rezultoi të jetë arma e tij, si dhe një gëzhojë. Rreth orës 16:30, ka shkuar në banesën e motrës së tij, ku ka marrë një bidon plastik 5-litërsh me të cilin mendohet se ka transportuar lëndën djegëse, që shërbeu më pas për djegien e makinës dhe vetës së tij. Rreth orës 18:30, ky shtetas i ka dërguar një sms lamtumire djalit të tij me telefon dhe më pas ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme çon në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Hetimet po vazhdojnë në të gjitha pistat, por pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes. Edhe pista e vrasjes është një ndër pistat në të cilat hetohet”, shpjegoi dje në mesditë zëdhënësja e Policisë së Durrësit.
Përtej versionit
Përveç deklaratës zyrtare, burime pranë Policisë së Durrësit na bëjnë me dije edhe fakte të tjera që i çuan të “vulosin” për versionin e vetëvrasjes. Sipas tyre, viktima ka zgjedhur benzinën për vetëvrasje, pasi mendohet se në makinë ka pasur edhe disa dokumente të rëndësishme të punës, për të cilat duket se ka menduar asgjësimin e sigurt me zjarr, ashtu si veten. “Kohët e fundit është shfaqur në gjendje jo të mirë mendore dhe ishte i fiksuar sikur do ta hiqnin nga puna, edhe pse nuk ishte paralajmëruar kurrë. Këtë fobi viktima ia kishte shfaqur disa miqve të tij, ndërsa u ka thënë se kërkon të sigurojë diku edhe dokumentet më me rëndësi të punës që disponon”, na informojnë burimet policore. Sa i përket armës dhe plumbit të gjetur, ata sqarojnë: “Arma është e tij dhe vërtet është gjetur e shkrehur, por plumbi nuk ka depërtuar te viktima. Duke iu referuar ekspertëve tanë, arma është shkrepur si pasojë e nxehtësisë dhe plumbi ka kaluar direkt në tavanin e makinës dhe jo te viktima. Trupi i të ndjerit është gjetur i karbonizuar, por dukej qartë që kishte qenë në kurriz dhe një dorë e kishte mbajtur në pjesën e poshtme të kokës. Pra, një vdekje “e qetë, me vetëdije”. Ndërkaq, xhami i majtë i makinës është gjetur si gjysmë i hapur dhe për këtë ekspertët mendojnë se ka shërbyer për t’i vënë flakën makinës. Të gjitha këto, mungesa e konflikteve me familjarë apo me persona të tretë, si edhe mesazhi i lamtumirës drejtuar djalit të vetëm, na çuan drejt version zyrtar se Isa Çopa është vetëvrarë”.

Orët e fundit
Duket sikur ka qenë një ditë e zakonshme për Isa Çopën, deri në vendimin e pazakontë të tij për të vrarë veten. Isa Çopa ka lënë punën rreth orës 16:00 dhe nuk ka shkuar drejt e në shtëpi, por ka kthyer për pak minuta të banesa e së motrës. Ka takuar mbesën, së cilës i ka kërkuar një bidon me pretekstin se i duhej, por pa treguar se për çfarë. Në orën 17:30, ai ka pirë kafen e fundit me një koleg pune, pra oficer në SHIK, por që për arsye hetimore emri i tij nuk bëhet ende i ditur. Sipas dëshmisë së tij, Isa Çopa nuk ka shfaqur asnjë shenjë depresive gjatë bisedës dhe ishin takuar thjesht për një kafe, pa ndonjë arsye konkrete. Më pas, ai është larguar dhe kronologjia vijon me një mesazh të tij dërguar djalit, në orën 18:30, që rezulton të jetë pak minuta pas takimit me kolegun.

Mesazhi për djalin: Çaje të ardhmen vetë!
Pista e vetëvrasjes së Isa Çopës është mbështetur shumë edhe për shkak të komunikimit telefonik që ka pasur me djalin, Redianin. Ky është fëmija i vetëm i çiftit Isa dhe Arta Çopa dhe aktualisht është nxënës i shkëlqyer në një kolegj turk, si dhe fitues i disa olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare. Lidhja me të birin duket se ka qenë shumë e veçantë, pasi edhe mesazhi i fundit para se të vdiste ka qenë pikërisht për atë. “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar për mbiemrin që mban, mbështetu te nëna jote. Çaje të ardhmen vetë”. Ky tekst ka mbërritur në telefonin e Redianit në orën 18:30 të ditës së djeshme, e më pas, oficeri i SHISH-it ka fikur telefonin. Menjëherë pas këtij mesazhi, djali ka lajmëruar nënën e tij, Artën dhe të dy bashkë kanë tentuar që të lidhen sërish me të. Duke qenë se telefoni dilte vazhdimisht i padisponueshëm, atëherë ata kanë shkuar në Policinë e Durrësit dhe kanë bërë denoncim për zhdukjen e tij.

Vendngjarja: Hetimi nis me vonesë, merren dëshmitë
Vendi i ngjarjes është ruajtur gjatë gjithë natës duke u gdhirë e marta dhe vetëm në orën 8 të mëngjesit është bërë e mundur ardhja e ekspertëve nga Durrësi dhe më pas nga Tirana. Po në këtë orë ka nisur rrethimi i vendit me kordon, është transportuar ajo çfarë kishte mbetur nga makina e shkrumbuar, si dhe ka filluar marrja në pyetje e kolegëve, miqve dhe familjarëve. Sa i përket familjes, anëtarët e saj kanë deklaruar se kanë pasur një komunikim shumë të mirë me të ndjerin dhe nuk kanë pasur asnjë lloj konflikti, duke e evidentuar atë si person larg alkoolit, sherreve, bixhozit apo edhe femrave. Ndërsa kur janë pyetur kolegët, disa prej tyre kanë theksuar se viktima kishte qenë i shqetësuar kohët e fundit për punën, pasi i ishte fiksuar se do ta pushonin.

Familja: Nuk është vetëvrarë, ishte i shqetësuar
Oficeri i SHISH-it po hetonte pronat e gjyqtarit Konomi

Ceremonia mortore e oficerit Çopa

Oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili u gjet i vdekur dje në zonën e Currilave në Durrës, po hetonte vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Informacioni jozyrtar është bërë i ditur dje nga burime të vendit të ngjarjes në Durrës, sipas të cilave, prej më se një muaji e gjysmë, 49-vjeçari Isa Çopa, me detyrë nëndrejtor i degës së SHISH-it në Durrës, veç të tjerave, ishte ngarkuar me mbledhjen e informacioneve për dosjen “Konomi”. Burimet e gazetës kanë thënë dje se viktima e djegies në makinën “Opel Corsa”, që ishte në pronësi të 49-vjeçarit, nuk ka qenë i vetmi në SHISH-in e Durrësit që po mblidhte të dhëna për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, porse ka qenë personi kyç në këtë “hetim” faktmbledhës dhe operativ. Ndonëse një e dhënë e tillë është bërë e ditur jozyrtarisht nga kolegë të viktimës dhe nga punonjës të policisë, zyrtarët në Durrës dhe në Tiranë nuk e konfirmuan angazhimin e Isa Çopës në dosjen “Konomi”. Megjithatë, burimet zyrtare kanë njoftuar se menjëherë pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, mbi bazën e një urdhri “nga lart”, degët e SHISH-it në Tiranë, Durrës dhe Vlorë ishin angazhuar maksimalisht për mbledhjen e informacioneve për atentatin. SHISH-i i Durrësit ishte angazhuar pasi gjyqtari Konomi ishte në konflikt të hapur për pronësinë e më se 300 hektarëve tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit dhe konfliktet kryesore i kishte pikërisht në Durrës. Nga dëshmitë e të afërmve mësohet se kohët e fundit oficeri sekret 49-vjeçar ishte i shqetësuar dhe më i heshtur se zakonisht. Pak ditë më parë, ndoshta dy javë para se të gjendej i vdekur në makinën e tij në zonën e Currilave në Durrës, oficeri i SHISH-it i ishte shprehur vëllait të tij: “Do të të them një gjë shumë të rëndësishme, por jo tani”. Me kaq kishte mbetur ky komunikim mes vëllezërve Çopa, ndërsa zyrtari i SHISH-it në Durrës duket se ka marrë me vete gjithë sekretet, pasi në mesazhin e fundit që i dërgon djalit, nuk shpreh asgjë të dyshimtë. Zyrtarisht policia tha dje se në dosjen e saj ngjarja e ndodhur me 49-vjeçarin është klasifikuar si vetëvrasje.
Hetimi për ngjarjen
Krahas pistës së hetimeve në lidhje me shkaqet që kanë çuar në vrasjen apo vetëvrasjen e oficerit të SHISH-it, policia është duke hetuar edhe mekanizmin e ngjarjes. Hetimi duket se është dyzuar mes vrasjes dhe vetëvrasjes, ndonëse policia në deklarimet e saj paraprake flet për një vetëflijim të nxitur nga “shkaqe personale”. Nga dëshmitë e dhëna prej familjes ditën e djeshme, grupi i hetimit ka mbajtur shënim përjashtimin e vetëvrasjes dhe dyshimet për vrasje. Të afërmit janë shprehur për një fobi të 49-vjeçarit kohët e fundit për një shkarkim të mundshëm nga puna. Nga ana tjetër, po hetohet lyerja e automjetit nga jashtë me benzinë dhe vendosja e flakës, si dhe mënyra se si viktima është gjetur në ndenjësen e pasagjerit.

Pas autopsisë, përcillet “me urgjencë” për në banesën e fundit
Lamtumira e fundit për Isa Çopën, kolegët e SHISH përloten në varrim

Cereminia mortore e Çopës

Ka qenë një lamtumirë shumë e shpejtë dhe e paparashikuar. Ndërkohë që mendohej se trupi do të rrinte ende në morg për t’iu nënshtruar më tej analizave dhe ekspertizave, në shtyllat e muret e qytetit të Durrësit u ngjitën afishet e para për lajmërimin e varrimit të oficerit të SHISH-it, Isa Çopa. Siç u mësua më pas, ekspertët kishin marrë një pjesë kocke për të vijuar verifikimet e mëtejshme, ndërsa i kthyen trupin e pajetë familjes, ose më saktë atë çfarë kishte mbetur nga ai. Kështu, në pak kohë duket se u organizua gjithçka.
Në orën 16:00, nga shtëpia Çopa u nis kortezhi i gjatë i makinave drejt varrezave të reja të Durrësit, që ndodhen në dalje të qytetit, mbi kodër, në krahun perëndimor. Me ndalimin e tyre nisën të dalloheshin edhe fytyrat e para. Sigurisht, menjëherë ra në sy djali i përlotur i të ndjerit, por edhe shumë burra me “të njëjtët sy”. Prej tyre, vetëm tre ishin vëllezërit e viktimës e ca të tjerë kushërinj, ndërsa shumica ishin kolegët e tij të SHISH-it ndër vite nga qytete të ndryshme. Përveçse kishin përgatitur buqeta dhe kurora me lule, ata ishin të zgjedhurit e familjes për të mbajtur një fjalim para arkivolit. Njëri prej tyre foli gjatë për jetën e Isa Çopës në strukturat e SHISH-it, duke treguar pozicionet ndër vite, ndërsa theksoi se ishte dhe “familjar dhe një mik i dashur për të gjithë”. Ajo çfarë binte në sy gjatë varrimit të djeshëm ishte edhe mungesa e femrave. Ishin vetëm pesë të tilla, që siç mësuam, dy prej tyre kishin punuar dikur me të ndjerin, ndërsa tri të tjera, shumë të reja, ishin mbesa të tij. Bashkëshortja e Isa Çopës, Arta, mësuese matematike në qytetin e Durrësit, nuk mori pjesë në ceremoni, pasi sipas traditave myslimane që ndiqte familja e saj, gratë nuk lejoheshin në varrim. Ndaj ishin vetëm pesë…

SHISH për gjyqtarin
Ditën e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë më 9 shtator, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thirri në zyrë shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Bahri Shaqiri, prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Të tre zyrtarëve iu dha urdhër dhe iu kërkua që të shfrytëzonin gjithë mekanizmat ligjorë dhe të angazhonin strukturat në varësi të tyre në zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit. Menjëherë më pas, SHISH, Prokuroria e Policia vijuan hetimet ende pa rezultat në lidhje me vrasjen e gjyqtarit.

ELISABETA ILNICA/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura