
I vihet flaka me benzinë makinës së kryeinspektorit të Policisë Bashkiake në Vlorë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:10 të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Isa Buletini”, pranë shkollës industriale “Pavarësia”. Policia, e sinjalizuar nga banorët e lagjes, mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se po digjej një automjet tip “Mercedes-Benz 220 C” me targa VL 0999 C. Burime të Policisë thanë se makina e djegur i përket Ardian Veliut, i cili ka në varësi të tij Policinë Bashkiake në Bashkinë e Vlorës. “Makina Benz Mercedez 220 C me targa VL 0999, në pronësi të shtetasit Ardian Veliu, 39 vjeç, ka qenë e parkuar anës trotuarit, si vazhdimisht, në afërsi të pallatit ku ai banonte. Por, rreth orës 01:10, dy persona kanë spërkatur mjetin me dy bidona me benzinë dhe më pas i kanë vendosur flakën”, bënë të ditur burime nga Policia e Vlorës. Disa banorë të zonës, kur kanë parë personat e maskuar teksa spërkasnin mjetin, kanë sinjalizuar menjëherë Policinë, e cila nuk vonoi të shkonte në vendin e ngjarjes. Njëherazi mbërritën edhe zjarrfikëset të cilat arritën të shuanin flakët, por jo të shpëtonin mjetin nga dëmtimi i plotë i tij. Në momentin që ka mbërritur policia, autorët janë larguar. Blutë janë vënë në ndjekje të tyre, madje mësohet se ka pasur edhe të shtëna në ajër me qëllim që t’i ndalonin. Por, ata kanë arritur të largohen nëpër rrugicat e errëta të lagjes dhe të humbasin gjurmët. Pas kryerjes së ekspertizës së vendit të ngjarjes, mjeti është larguar nga vendi nëpërmjet një karrotreci. Në vendin e ngjarjes u gjetën dy bidona, të cilët janë përdorur nga autorët për spërkatjen e makinës me benzinë. Por ende nuk është konfirmuar nëse në to janë konstatuar gjurmë të tyre, çka do të ndihmonte edhe grupin e
hetimit në identifikimin e shpejtë të dy autorëve. “Nuk kam asnjë ide se kush mund të jenë autorët që dogjën mjetin dhe as shkakun që mund t’i ketë shtyrë ata drejt këtij veprimi kriminal. Unë nuk kam asnjë konflikt me persona të tjerë, dhe nuk mund të akuzoj askënd. Pres hetimet e Policisë”, u shpreh dje kryeinspektori Veliu. Dëshmitarët që kanë parë skenën pak metra më larg, kanë pohuar për Policinë se kanë parë dy djem të moshës 19- 20-vjeçare të cilët kishin vendosur kapuçë në kokë, me dy bidonë në duar dhe me to kanë spërkatur makinën dhe i kanë vënë flakën. Mësohet se Ardian Velia, 39 vjeç, ka qenë efektiv në Policinë e Shtetit. Ai është liruar për shkak të reformës, tri vite më parë, ku mbante detyrën e shefit të Rendit në Drejtorinë e Policisë. Ndërsa, prej dy vitesh ai ishte punësuar si komandant i Policisë Bashkiake. Ai është marrë në pyetje për rreth 2 orë pas ngjarjes, por ka mohuar të ketë pasur konflikte për shkak të detyrës së tanishme, por as për shkak të detyrës së mëparshme si ish-shef i Rendit në Policinë e Vlorës. Policia bëri të ditur se janë duke hetuar pa përjashtuar asnjë pistë të mundshme, përfshirë ato për shkak të detyrës së tanishme dhe të mëparshme, konflikte të mundshme personale si dhe pista të tjera.
6 persona
janë shoqëruar në Policinë e Vlorës, disa në cilësinë e dëshmitarit dhe të tjerë si të dyshuar, si të implikuar në ngjarjen që ndodhi në lagjen “Isa Boletini”. Por pasi janë pyetur, ata janë lënë të lirë.
Atentatet ndaj zyrtarëve në Vlorë
Gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi gjeti vdekjen pasi makinës së tij, persona ende të paidentifikuar, i kishin vendosur lëndë eksplozive. Ata e aktivizuan lëndën nëpërmjet telefonit celular në momentin kur gjyqtari ndodhej në bulevardin kryesor të këtij qyteti. Ndërsa prefekti Eduart Velçani u kërcënua me jetë nga dy persona në zyrën e tij, por ata i identifikuan dhe më pas u arrestuan.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











