TEPELENE- Perfshihen nga flaket kullotat e fshatit Lekël në rrethin e Tepelenës , ndërkohë që zjarrëfikëset për shkak të terrenit të thyer malor, nuk kanë mundur dot t’i afrohen vatrës së zjarrit.
Sipas banorëve të këtij fshati që gjendet në pjesën ballore të Parkut Natyror të Ujit të Ftohtë, flakët e zjarrit, kanë nisur në orët e mbasdites së të premtes ndërkohë që përparimi i tyre, u bë i dukshëm në mesditën e së shtunës. Ksenofon Llavdaniti njëri prej banorëve të Leklit, thote per “Panorama” se dëmi ka qenë i mjaftueshëm dhe tani kullotat janë shkrumbuar plotësisht përfshirë edhe një sipërfaqe jo të madhe të kurorës së gjelbër të fshatit në pjesën e poshtme të tij.
Për fat, flakët e zjarrit nuk kanë përparuar në zonën e banuar pasi në një rast të tillë, do të kishte një evakuim masiv të atyre pak banorëve që ende jetojnë në një fshat dikur nga më të populluarit në jug të vendit. Banorët e fshatit pasi nuk kanë parë qoftë edhe një makinë zjarrëfikëse, nuk ngurruan të ankohen dhe në këto kushte, janë angazhuar vetë për shuarjen e flakëve të zjarrit. Ende në orët e mbasdites së të shtunës, zjarri nuk është shuar ndërkohë që lufta me flakët vazhdon nga ana e banorëve.
Flakët kanë vënë nën vete disa dhjetra ha kullota ashtu si para dy viteve ku rreth 211 ha kullota dhe 111 ha pyje, u shkrumbuan. Ndërkohë në vendngjarje mësohet se kanë mbërritur forcat e policisë të cilat po koordinojnë punën, por flakët po përhapen me shpejtësi si pasojë e erës dhe temperaturave të larta. Sipas të dhënave nga ana e Shtabit të Emergjencave Civile në Qarkun e Gjirokastrës, në raport me vitin e kaluar, numri i vatrave të zjarrit sivjet me vitin e kaluar, ka pësuar një ulje derinë masën 13%.
Piro Nase
© Panorama.al











