DIBER – Plagos kunatin, arrestohet kryetari i komunës Muhur në Dibër. Afrim Mikli, 44 vjeç, i zgjedhur më 8 maj si kryetar i kësaj njësie vendore, ka plagosur kunatin e tij 40-vjeçar, Dalip Damzi. Fillimisht askush nuk i ka ditur rrethanat e sherrit, por shumë shpejt policia lokale ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet, duke synuar zbardhjen e plotë të saj. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë sqaruar se Mikli i ka nxjerrë syrin kunatit të tij, duke e goditur me mjete të forta prerëse. Policia tha se arrestimi i Miklit është kryer në kushtet e flagrancës, në shtëpinë e këtij të fundit, në lagjen “Gjok Doçi” të Peshkopisë, pasi më datë 20.10.2011, ka konsumuar veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 21:50 për motive të dobëta. Sipas Policisë, Damzi kishte vajtur në shtëpinë e kunatit të tij si mysafir, por nuk dihen shkaqet që çuan në këtë konflikt të dhunshëm dhe me pasoja për Damzin. Mendohet që kryekomunari të jetë përfshirë në sherr me burrin e motrës, pasi ata kanë konsumuar alkool. Ndërkohë, nuk bëhet i ditur ndonjë motiv tjetër i ngjarjes, pasi as Damzi dhe as Mikli nuk kanë treguar detaje të ngjarjes. h.p.











