Cooper rikthen Serbinë në dialog me Kosovën

Oct 7, 2011 | 16:42

Ndermjetesi europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robret Cooper, ka arritur t’i bind zyrtarët serbë që të kthehen në dialog.

Kjo është konfirmuar nga Goran Bogdanovic, Ministër për Kosovën në Qeverinë serbe.

“Në bisedën me ndërmjetësin e BE-së Robert Cooper është arritur pajtimi që dialogu me Prishtinën duhet të vazhdojë”, ka thënë Bogdanovic, raportojnë mediat serbe.

Dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre ditë më parë, për shkak se Serbia dështoi ta fus në tryezë çështjen e pikave kufitare të Veriut të Kosovës.

Ende nuk dihet se me çfarë kushte është kthyer Serbia në dialog apo nëse ajo është pajtuar se për doganat nuk mund të bisedohet në Bruksel.

Cooper kërkon rifillim të dialogut

Ndërmjetësi europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, ka nisur vizitën e tij në kryeqytetin serb, Beograd.

Diplomati europian ka shkuar mbrëmë në Beograd, derisa sot në mëngjes takoi të ashtuquajturin Ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic.

Agjencia serbe Tanjug raporton se, pas takimit, Bogdanovic ka thënë se është e nevojshme që të vazhdojë dialogu me Prishtinën – i ndërprerë pas dështimit të Beogradit për të diskutuar në Bruksel për pikat doganore në Veri të Kosovës.

Po ashtu, sipas tij, është pajtim i dy palëve, Serbisë dhe BE’së, që të ketë një hetim të pavaruar për incidentet e fundit në Jarinje.

Gjatë ditës, Robert Cooper do të takohet me Kryenegociatorin serb, Borko Stefanovic dhe Ministrin e Brendshëm, Ivica Dacic.

 

© Panorama.al

Te lidhura