Beogradi ka bërë presion se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me Kosovën pa zgjidhur më parë çështjen e Veriut, për të cilën ata braktisën edhe bisedimet e 23-24 shtatorit, pasi Kosova refuzoi të shtrojë tema politike në bisedimet teknike. Robert Kuper, këshilltari i baroneshës Ashton, i cili është i ngarkuar me lehtësimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ka vizituar dje Beogradin pas pezullimit të bisedimeve dhe duket se ka arritur suksese për t’i kthyer autoritetet serbe sërish në një tryezë me ato kosovare. Por, sipas kushtit të Serbisë, tema kryesore e bisedimeve me Kuper ishte Veriu i Kosovës dhe pikat doganore në Jarinë dhe Bërnjak. “Përderisa do të ketë ende të shtëna në veri të Mitrovicës, ne nuk kthehemi në bisedime”, kanë komentuar autoritete serbe, duke harruar se të shtënat që ndodhin në Mitrovicë, vijnë si pasojë e urdhrave të tyre ose kundërpërgjigje mbrojtjeje nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, për shkak të provokimeve të serbëve në atë pjesë të Kosovës. Për rreth katër orë, Kuper ka biseduar me kryetarin e delegacionit serb, Borisllav Stefanoviç, lidhur me Veriun e Kosovës dhe zgjidhjen e problemit të pikëkalimeve kufitare 1 e 31, si kusht për të vazhduar bisedimet me Kosovën. Stefanoviç është shprehur mjaft optimist se kërkesat e palës serbe janë dëgjuar nga BE-ja dhe tashmë zgjidhjet kanë filluar të bëhen përmes “mesazhimit” të porosive nga Beogradi në Prishtinë. Stefanoviç është shprehur se pret një takim tjetër të shpejtë me Kuperin. Ai tha në konferencën për shtyp pas takimit se Serbia i mbështetur barrikadat, por “ato duhet të jenë paqësore”. Ndërkaq, ka kërkuar që të organizohet një takim me krerët e komunave veriore, në Zveçan apo në Beograd, për të dëgjuar edhe mendimin e tyre. “Nëse ka përpjekje për heqjen e barrikadave, dialogu dhe arritja e marrëveshjeve do të jenë të pamundura”, tha Stefanoviç. Ai shtoi se, “ne kemi biseduar në detaje të imëta që nga zgjidhja e problemeve kryesore e deri te normalizimi i trafikut dhe kemi marrë impulse pozitive”. Robert Kuper nuk ka dalë në konferencë për mediat pas takimeve. Në takimin me Goran Bogdanoviç, ministri serb për Kosovën, sipas këtij të fundit, ka pasur një pajtueshmëri për të vazhduar me dialogun. Ai ka thënë se është arritur pajtueshmëri që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, e sidomos KFOR-i dhe EULEX, duhet të jenë në kontakt me serbët lokalë, pasi situata e tanishme nuk është e qëndrueshme. “Të gjithë ata që janë përgjegjës për përleshjen e armatosur në Veri duhet të përgjigjen”, tha ai. Kuper në Beograd ka biseduar edhe me ministrin e Policisë, Ivica Daçiç.
Zjarr makinës
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u njoftua se serbët kanë vendosur një tjetër barrikadë në lagjen “Kroi i Vitakut”. Qëllimi i kësaj bllokade ishte pengimi i punimeve të rindërtimit e të ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve, të djegura gjatë luftës. Ndërkohë, po në Veri u dogj një automjet privat, i tipit “Golf II”, me targa “KS”, i cili i përkiste një serbi. Sipas policisë rajonale të Mitrovicës, përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.











