
Ndalet Flamurtari, fiton Skënderbeu por ajo që të binte në sy ishte dhuna e tejskajshme që pllakosi sfidat në Laç dhe në Tiranë. Fitore vendëse edhe në dy takimet e tjera, në Shkodër dhe në Krujë.Vetëvrasje vlonjate. Kështu mund të konsiderohet 90-minutëshi fiktiv në fushën e lojës (pasi realisht loja shkoi përtej 2 orëve me ndërprerjet e shumta) mes Laçit dhe Flamurtarit. Skuadra e Maganit barazon duke shkuar minus katër pikë nga kryesuesit e Skënderbeut, të cilët tashmë duket se e kanë hipotekuar titullin kampion. Vlonjatët dolën të mundur në fushën e lojës, përderisa shkuan në disavantazh të një goli që në sekondën e 25-të. Një amulli totale në mbrojtje, nga ku përfitoi Hysa, i cili lëshoi një predhë nga ato të tijat, duke kaluar në avantazh kurbinasit. Flamurtari nuk u beson syve, aq sa nuk arrin dot të mbledhë veten dhe të fillojë të mendojë për 89 minutat e mbetura. Kjo u dha krahë vendësve, të cilët në fraksionin e parë të lojës rrezikuan edhe tri herë të tjera seriozisht portën e mbrojtur nga Moçka. Në fillim të pjesës së dytë, ende pa u dëgjuar vërshëllima e arbitrit Peza për fillimin e lojës, portieri i Flamurtarit, Moçka, bie në tokë, i goditur në kokë prej një fishekzjarri të lëshuar nga tifozët e Laçit. Ndërpritet ndeshja dhe lojtarët e Flamurtarit nuk pranojnë më të luajnë këtë takim. Sipas rregullores, nëse nuk rifillon takimi brenda harkut të 45 minutave, të penalizuarit do të ishin vlonjatët, ndaj pas shumë bisedimesh dhe debatesh ndeshja rifillon, por me një ide fikse nga ana e Flamurtarit: luajmë vetëm për publik, paçka se një gjë e tillë nuk aprovohet shumë nga zyrtarët e federatës. Magani bën zëvendësimet, nga të cilët 1 i detyrueshëm (Spaho për Moçkën) dhe vërsulet drejt portës së Vashakut. Por kapiteni i kurbianseve është në një ditë të mirë, aq sa pret gjuajtje gati të paimagjinueshme. Kur takimi po i afrohej fundit, u desh një inkursion i Liçajt dhe një kros i këtij të fundit në zonë për kokën e Ahmataj, që sfida ta barazohej. Gjithsesi, kjo nuk mjafton, pasi në krahun tjetër, Skënderbeu ka fituar 1-0 ndaj Tiranës, kështu që me plus 4 pikë, “fle” i qetë deri në javën e 33-të, kur pritet të luhet supersfida Flamurtari-Skënderbeu. Këta të fundit morën një fitore mes sherrit kundër Tiranës. Kjo, për shkak të një 11-metërshi që përcaktoi fatin e takimit. Me këtë trepikësh korçarët ngjiten në kuotën e 67 pikëve, duke u shkëputur 4 pikë nga Flamurtari që nuk mundi të shkojë dot më shumë se një barazim me Laçin. Në “Qemal Stafa”, pas një pjese të parë të qetë, Skënderbeu kaloi në avantazh në fillim të pjesës së dytë pas një penalltie të shoqëruar me protesta nga bardheblutë. Ka qenë një takim që u karakterizua nga nervozizmi e tensioni dhe nga një gjykim jo i denjë për ndeshje të këtij niveli. Arbitrimi i njëanshëm ka acaruar jo vetëm lojtarët e Tiranës, por edhe tifozët. Nervozizmi, ndoshta me të drejtë i futbollistëve vendës, bëri që në minutën e 55-të të mendonin edhe braktisjen e fushës. Megjithatë, pas refleksionit dhe udhëzimeve të dhëna nga trajneri, i cili u fut në fushë për t’i qetësuar, ndeshja ka rifilluar.
Ndërkaq, pak histori në dy ndeshjet e tjera, ku Kastrioti ka bërë detyrën në shtëpi, teksa ka mundur Teutën me rezultatin 3-1, një ndeshje kjo vendimtare për fatet e sezonit, për të dy kundërshtarët, ndërsa Vllaznia ka mundur lehtësisht Elbasanin në Shkodër. Tri pikët e marra dje kanë bërë që shkodranët ta prekin edhe matematikisht vendin e tretë, duke realizuar kështu një nga objektivat minimalë të këtij sezoni, pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Dhunohet edhe autobusi i Flamurtarit
Nuk i ka shpëtuar dhunës edhe autobusi i KF Flamurtarit. Në përfundim të ndeshjes, persona ende të paidentifikuar nga ana e policisë, kanë hedhur gurë ndaj mjetit me të cilin kishte udhëtuar skuadra vlonjate drejt Laçit. Nga aktet vandale është thyer xhami i parë i autobusit si dhe është dëmtuar një pjesë anësore e tij. Lajmet në fillim ishin kontradiktore, aq sa thuhej se kishin qenë vetë tifozët e Flamurtarit që kishin hedhur gurë te mjeti i skuadrës së tyre. Por më pas u konfirmua se një gjë e tillë ishte e pavërtetë. Gjithsesi, Policia nuk dha sqarime të mëtejshme mbi ngjarjen, duke mos arritur që ta zbardhë dhe të vërë para përgjegjësisë autorët e këtij akti vandal. Gjithçka ndodhi në përfundim të ndeshjes kur skuadrat nuk kishin dalë ende nga dhomat e zhveshjes dhe, për fat të mirë, në mjet nuk kishte ende pjesëtarë të stafit të skuadrës vlonjate.
Reagon Gjika: Fitore në tavolinë, ose bojkot
Fitore në tavolinë ose përndryshe Flamurtari bojkoton kampionatin. Lajmi vjen nga presidenti i këtij klubi, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ky i fundit ka pohuar se nuk njeh absolutisht rezultatin e ndeshjes në Laç dhe se urdhëroi që ekipi të vazhdonte lojën vetëm për hir të tifozëve, por absolutisht jo për t’u konsideruar si një sfidë normale kampionati. “Debatova me drejtuesit e Federatës, vëzhguesit, delegatin, u kërkova që të thirreshin dy kapitenët e ekipeve dhe ndeshja të luhej vetëm për tifozë e të mos merrej parasysh rezultati i takimit. Ndërsa ata më thanë që sfida të vazhdonte rregullisht dhe se gjithçka që kishte ndodhur do ta shënonin në procesverbal të takimit dhe do ta çonin në Komision të Disiplinës. Në këto kushte, edhe sikur unë të dua të vazhdoj kampionatin nëse Disiplina nuk na jep të drejtë, të jeni të sigurt që vlonjatët nuk do të ma lejojnë. Nëse nuk marrim pikët në tavolinë, është e kotë të jesh pjesë e këtij futbolli. Pastaj le t’i marrë Federata Skënderbeun, Ballshin dhe Tiranën dhe të bëjë një kampionat me vete me këto tri skuadra. Gjithsesi, sot (dje) më shumë se Flamurtari u përdhos futbolli ynë. Iu dhamë një imazh tejet të shëmtuar tifozëve, fëmijëve dhe cilido në këtë vend që futbollin e dashuron si lojë dhe nuk e imagjinon dot të kthyer në një plaçkë për interesa të politikës”, ka pohuar Gjika.
Kategoria Superiore
Java 30-të
Josa: Arritëm të sigurojmë edhe Europën
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, u shpreh: “Kur loja niset pa ritëm, normalisht nuk mund ta fitosh dot atë, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë. Ndërrimet e bëra në pjesën e dytë nuk ishin ato që kisha menduar sepse doja të aktivizoja lojtarë të tjerë më të rinj, por nuk pata besim. Megjithatë, ne rritëm këmbënguljen në qendër të mesfushës dhe ia dolëm të merrnin tri pikët. Sigurisht që jam i qetë pas kësaj fitoreje, sepse në këtë mënyrë e siguruam edhe matematikisht vendin e tretë, atë vend që, kur erdha unë në krye të skuadrës, shumëkush nuk e besoi se do ta realizonim. Po ja që ne e arritëm këtë synim, jo vetëm falë meje, por edhe punës së lojtarëve, presidencës dhe tifozëve, të cilët na kanë mbështetur”.
Filja: Mungoi një penallti, u penalizuam
Trajneri i Elbasanit, Ilijan Filja, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, u shpreh: “Ekipi luajti mirë, sidomos në pjesën e parë, ku edhe shfaqi vlera. Ne kemi pretendimet tona për një 11-metërsh të padhënë, i cili po të jepej, gjërat me siguri do të kishin marrë tjetër rrjedhë. Ndërsa në të dytën u ndie lodhja te futbollistët. Ne kuptohet që u bëmë disa javë që kemi filluar të mendojmë për sezonin e ardhshëm, ku do të aktivizohemi në të Parën. Në këto sfida të mbetura deri në fund po promovojmë disa lojtarë me të ardhme dhe besoj se sezonin e ardhshëm do të arrijmë të ndërtojmë një ekip të mirë për t’u rikthyer sërish në elitën e futbollit shqiptar”, – ka përfunduar numri një i bankinës verdheblu.
Hysa: Nëse nuk fitonim, nuk merrnim rrogat
Kanë qenë të detyruar më shumë se kurrë për të luajtur ndershëm ndaj Flamurtarit. Arsyeja: nëse nuk do ta fitonin këtë takim, nuk do të merrnin rrogat nga ana e presidentit Pashk Laska. Një gjë të tillë konfirmon sulmuesi i kurbinasve, autor i golit të Laçit, Vilfor Hysa. “Ne na ishte thënë nga ana e presidentit tonë, Pashk Laska, se në rast se nuk do të luanin ndershëm dhe fort, si në çdo ndeshje tjetër, atëherë nuk do të merrnim rrogat, ndaj edhe në fushën e lojës dolëm me një motivim krejt tjetër, duke kërkuar me patjetër rezultat. Problemi qëndron se ne nuk fituam, por vetëm barazuam, ndaj nuk e di ç’të them, pasi mund edhe të rrezikojmë rrogat”, ka pohuar lojtari.
Martini: Kemi ende shpresa për të mbijetuar
Trajneri i Teutës, Edi Martini, në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes, ku skuadra që ai drejton nuk arriti të marrë qoftë edhe një pikë, tha: “Përpara kemi edhe tri ndeshje, të cilat shpresojmë t’i kalojmë me sukses, në mënyrë që të mbijetojmë në Kategorinë Superiore. Shpresat janë akoma, pasi ka ende shumë skuadra që janë me pak diferencë nga njëra-tjetra në klasifikim. Kështu që ne do të punojmë fort këtë javë për ndeshjen e ardhshme, ku besoj se do të shfrytëzojmë dhe faktorin fushë”, ka përfunduar trajneri Martini, i cili ka besim se skuadra që drejton do të marrë vetëm rezultate pozitive në tri sfidat e fundit. Teuta në javën e ardhshme do të presë një tjetër rival për mbijetesë, Shkumbinin.
Dinamo-Bylis 1-1
Vila 89’/ Abazaj 64′
Shkumbini-Besa 2-2
Grboviç 54′, Mustafaj 57’/ Sefa 62′, Nora 68′ (p)
Kastrioti-Teuta 3-1
Alikaj 56′, Inkango 62′, Babiç 83’/ Pepa 90+1′
Laçi-Flamurtari 1-1
Hysa 1’/ Ahmataj 85′
Tirana-Skënderbeu 0-1
Shkëmbi (p) 53’
Vllaznia-Elbasani 3-1
Nallbani 70’, Vajushi 82’, Sinani 89’/ Rajoviç (a) 59’
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Skënderbeu 30 21 4 5 67
2. Flamurtari 30 20 3 7 63
3. Vllaznia 30 16 8 6 56
4. Tirana 30 11 11 8 44
5. Laçi 30 13 5 12 44
6. Dinamo 30 10 8 12 38
7. Kastrioti 30 9 9 12 36
8. Shkumbini 30 10 6 14 36
9. Teuta 30 9 8 13 35
10. Bylis 30 10 4 16 34
11. Besa 30 8 9 13 33
12. Elbasani 30 4 3 23 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA.
Leonard Karaj
© Panorama.al











