NGA SHKËLZEN HASANAJ 
Vrasjet si ajo e Shkodrës dhe ngjarjet e tjera të ndodhura në qytete të ndryshme javët e fundit tregojnë se krimi nuk është më në periferi, por investon miliona në ekonomi, depërton në institucione dhe ndikon politikën, duke e bërë shtetin të brishtë dhe qytetarët gjithnjë e më të zhgënjyer.
Vrasja në Shkodër vetëm pak ditë më parë nuk është një episod i izoluar. Ajo është një tjetër hallkë në një zinxhir ngjarjesh të dhunshme që kanë tronditur qytete të ndryshme të Shqipërisë gjatë javëve të fundit. Sa herë përsëritet i njëjti skenar: persona të armatosur që godasin e zhduken, policia që vendos postblloqe dhe qytetarë që mbeten me ndjesinë se shteti vjen gjithmonë një hap me vonesë. Pikërisht në këtë përsëritje dhuna po bëhet pjesë e përditshmërisë dhe normalizohet.
Këto ngjarje nuk janë vetëm kronikë e zezë, por tregojnë një problem sistemik që prek thellë shoqërinë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për banda në periferi të ligjshmërisë: siç ka vërejtur gjyqtari italian antimafia, Nicola Gratteri, kriminaliteti shqiptar ka ditur të fitojë terren brenda vetë institucioneve politike, duke u shndërruar nga kërcënim i jashtëm në një pjesë strukturore të vendimmarrjes. Fuqia e krimit sot nuk matet vetëm me armë. Ajo matet me kapitalet që lëvizin dhe me investimet që derdhin në shoqëri. Miliona euro derdhen në pallate, toka, ndërmarrje, duke krijuar një ekonomi paralele që përzihet me atë ligjore. Në këtë mënyrë, krimi nuk është më i padukshëm: ai ngatërrohet me normalitetin e qyteteve, bëhet i paprekshëm, institucionalizohet.
Edhe më shqetësuese është se strategjia e planifikimit dhe e luftës kundër kriminalitetit ka dështuar. Shpeshherë, drejtuesit e policisë në një qytet varen nga presionet e politikanëve lokalë. Kjo kompromenton autonominë e forcave të rendit dhe tregon se strukturat paralele – të përbëra nga klientelizma, lidhje të fshehta dhe interesa të errëta – shpesh rezultojnë vendimtare për balancat reale në terren. Këtu del qartë në pah brishtësia e institucioneve dhe e shtetit, të paafta të mbrohen nga këto infiltrime dhe të ofrojnë qytetarëve sigurinë që duhet të ishte një e drejtë themelore. Nga një këndvështrim sociologjik, ajo që bie në sy është pikërisht dobësia e kufirit mes të ligjshmes dhe të paligjshmes.
Kur kriminaliteti investon, ndikon dhe depërton në institucione, shteti dhe antishteti përzihen, besueshmëria bie, besimi shuhet. Qytetarët mbeten vetëm, ndërsa dhuna bëhet pjesë e peizazhit urban e social, thuajse e pashmangshme. Deri më tani, përgjigjet kanë qenë kryesisht simbolike: aksione spektakolare, konferenca për shtyp, postblloqe. Por kjo nuk mjafton. Nevojitet një vizion i ri, që të bashkojë reformën në drejtësi, luftën e vërtetë kundër korrupsionit, forcimin e inteligjencës dhe politika sociale që u ofrojnë të rinjve alternativa. Pa këtë ndryshim rrënjësor, çdo vrasje e re rrezikon të bëhet vetëm një kapitull tjetër i një spiraleje që nuk ndalet. Dhe normalizimi i dhunës do të kthehet në pranimin e saj.
Autori: PhD – Sociolog, Profesor në UNINT Romë
© Panorama.al











