
TIRANE – Katër gra kanë kërkuar mbrojtje nga burrat gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet. Policia e Tiranës ka firmosur katër kërkesë-padi për lëshim urdhrash mbrojtjeje për gra që dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshortët e tyre. Në tri prej rasteve dhuna në familje ka qenë e vazhdueshme prej disa javësh dhe mëngjesin e djeshëm gratë e dhunuara kanë vendosur t’i drejtohen policisë për të kërkuar mbrojtje më pas në gjykatë. Ndërsa kërkesë-padia e katërt ka qenë rrjedhojë e një ngjarjeje që është denoncuar fillimisht si kërcënim dhe dhunë në publik, më pas gruaja ka kërkuar mbrojtje. Burime nga Policia thanë se ka filluar procedimi penal për shtetasin Mikel Kurteshi, 30 vjeç, sepse në rrugën “Haki Stërmilli”, në Kombinat, ka kapur prej fyti dhe flokësh duke e tërhequr zvarrë në rrugë bashkëshorten e tij, Marsida Kurteshi, me të cilën është në proces divorci. Pas kësaj ngjarjeje, gruaja 22-vjeçare ka kërkuar edhe urdhër-mbrojtjeje. Ndërsa sipas burimeve nga Policia e Tiranës mësohet se është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes edhe për shtetasen Lumturie Dido, 50 vjeçe, sepse bashkëshorti i saj, Teki Dido, 54 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Gjithashtu, mbrojtje ka kërkuar edhe 24-vjeçarja Radomira Shahaj, sepse bashkëshorti i saj, Amarildo Shahaj, 27 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si dhe Teuta Xhaxho, 31 vjeçe, ka kërkuar mbrojtje nga i shoqi Afrim Xhaxho, 37 vjeç, dhunë fizike të vazhdueshme që ai ushtron ndaj saj.











