Dhuna ndaj protestuesve para Parlamentit, Berisha: Rama përdori lëndët kimike njëlloj si ato në luftë! Lëvizja po bëhet gjithnjë e më tronditëse për regjimin e tij

Jul 25, 2026 | 12:58

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur dhunë ndaj protestuesve gjatë protestës para Parlamentit, duke deklaruar se policia u ka hedhur lëndë kimike qytetarëve paqësorë.

SB sali berisha

“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë të protestës rinore qytetare”, tha Berisha.

Më tej, kreu u PD-së theksoi se protesta jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën se ka përdorur shumicën parlamentare për të miratuar, sipas tij, ligje dhe amendime në favor të oligarkëve dhe interesave të lidhura me qeverinë.

Berisha: Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të kodit civil, të kodit detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale.

Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West. Në një koncert që synonte mbi të gjitha një sfumim apo zhurmim të kryengritjes paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga vitet ’90.

Përveç kësaj, ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë të protestës rinore qytetare.

Por, duhet theksuar se dallgët e kësaj lëvizje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura