
Me një kalim të shpejtë të lapsit ai e ravijëzonte një portret. Mund të qëllonte të ishte në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por edhe një kafe me miqtë. Ata që e njihnin nga afër ia dinin këtë dhunti “të fshehtë” shkrimtarit dhe studiuesit Dhimitër Shuteriqi. Shpesh ato merrnin trajtën e një karikature, por askush nuk ia merrte me të keq dhe shpesh qeshnin së bashku. Një galeri e tërë portretesh, realizuar nga Dhimitër Shuteriqi, u prezantuan mbrëmë në qendrën “Tirana Ekspres”, në ekspozitën “Portrete”. Ndonëse në periferi të kryeqytetit, aty ku ende vazhdojnë të jenë magazinat, pranë Stacionit të Trenit, në ceremoninë e

hapjes nuk munguan miq e të afërm të artistit, të cilët patën mundësi të rishihnin portretet dashamirëse të kolegëve të tyre dhe, pse jo, të ndanin edhe ca kujtime nga e shkuara. Duke kaluar nga njëri portret në tjetrin, të ndodh të vësh buzën në gaz. Duke u vënë në pah ndonjë karakteristikë të tipareve të tyre, Shuteriqi dëshironte edhe t’i ngacmonte nga pak miqtë e tij. Dhe ja, shquan mes tyre shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, përkthyes, gjuhëtarë. Mes galerisë së gjerë, e cila numëron mbi 130 portrete, mund të shquash imazhin e shkrimtarit Nonda Bulka me një balluke të kreshpëruar, poetit Ali Asllani, gjuhëtarit Eqrem Çabej me kokën pak mënjanë, siç e kujtojmë të gjithë prej fotografive të tij, përkthyesit Vedat Kokona, kompozitorit Çesk Zadeja me faqet buçkane, piktorëve Vangjush Mio, Sali Shijaku e Nexhmedin Zajmi, profili imcak i sopranos Marije Kraja, për të vijuar me Ismail Kadarenë, Lasgush Poradecin, Petro Markon, Qamil Buxhelin… Por nuk mungojnë edhe autoportretet me apo pa llullë… Shumë prej tyre sot nuk janë më dhe ekspozimi i imazheve të tyre është një homazh i dyfishtë. Këto vizatime janë përzgjedhur nga një koleksion, që sipas bashkëshortes së artistit, Mynevere Shuteriqi, numëron mbi 500 portrete.
Dimensioni tjetër

Përveç dashamirësisë së Mynevere Shuteriqit, e cila vuri në dispozicion koleksionin e të shoqit dhe është gjithnjë e gatshme për të ndihmuar këdo kur vjen puna për veprën e

bashkëshortit, që djemtë e “Tirana Ekspres” të ngrinin këtë ekspozitë ka ndihmuar edhe shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo. Sipas tij, krijimtaria në vizatime dhe skica e Dhimitër Shuteriqit, kryesisht në portrete e peizazhe, dokumentohet qysh në periudhën studentore, në vitet ’30. Znj. Shuteriqi e lidh me periudhën kur ai studioi në Francë dhe pati mundësi të njihte artistë e profesorë të fushës e të vizitonte galeri të shumta. “Ka vizatuar portrete të njerëzve të njohur, të shkrimtarëve francezë, shqiptarë, të cilëve ai u realizonte portrete që u afroheshin karikaturave miqësore. Janë vizatime me përmasa jo shumë të mëdha, që quhen kroki”, thotë Zeqo, teksa shton se të tilla vizatime Shuteriqi realizoi përgjatë gjithë jetës së tij dhe tani që shumica e personazheve të vizatuar nuk jetojnë më, marrin edhe më shuam vlera. “Vizatimet e tij janë interesante, kryesisht të realizuara bardhezi, por ka edhe pak me

ngjyra. Një ndër to është Mali i Tomorrit. Përveç portreteve të emrave të njohur, ka fiksuar në letër edhe imazhet e njerëzve të thjeshtë. Ka një galeri të tërë me portrete malësorësh, realizuar gjatë udhëtimeve të tij në Malësi. Është shumë i kujdesshëm në kapjen e detajeve dhe hollësive nga jeta. Janë vizatime të shkëlqyera, të cilat

mbërthejnë karakterin e personazhit. Shumë syresh shfaqin tendenca kubiste e futuriste”, shton studiuesi. Sipas tij, vizatimi i jep një tjetër dimension figurës së Dhimitër Shuteriqit, duke u bërë ndër të paktët shkrimtarë që lëvronin edhe pikturën, në krah të Lasgush Poradecit. “Por, nëse Poradeci ka marrë mësime në pikturë, për Shuteriqin ka qenë një pasion”, thotë Moikom Zeqo. Megjithatë, ekspozitës do t’i mungojë aspekti familjar. Dhimitër Shuteriqi ka realizuar dhjetëra portrete të vajzave të tij, të cilat sot varen nëpër muret e shtëpisë së tij, apo të mbesave. “Janë shumë të dashura për ne. I kemi vendosur nëpër mure, të tjera ua kam dhënë vajzave apo mbesave”, thotë Mynevere Shuteriqi.
Në galerinë alternative

Galeria alternative “Tirana Ekspres”, në fund të rrugës “Karl Gega”, ka pritur me shumicë të rinj artistë apo dashamirës të artit. Ata moshatarë nuk janë shumë të shpeshtë andej nga periferia, por me rastin e hapjes së ekspozitës “Portrete” nga Dhimitër Shuteriqi, shumë syresh shkuan mbrëmë. Por, qëllimi i drejtuesve të kësaj galerie nuk ka qenë vetëm tërheqja e një publiku ca më të pjekur në moshë, por pikërisht për t’i njohur të rinjtë me veprën e të vjetërve. Ndaj edhe poshtë çdo portreti janë theksuar mirë emrat e personazheve. Ndërsa në momentin e parë të duket një ide e çuditshme që një ekspozitë e Shuteriqit të hapet në një galeri të tillë, kur e sheh atë duket se lapsi i çlirët u shkon mirë mureve të ish-magazinës, që do të thotë se çka është e bukur shijohet, pavarësisht vendndodhjes së galerisë. Ekspozita e hapur mbrëmë do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 tetor.
ALMA MILE
© Panorama.al











