Dhimbje e paralajmëruar

Apr 21, 2011 | 10:30

ELSA BALLAURI

Nëse doni të kuptoni ç’është demokracia, shpenzoni më pak kohë në bibliotekë me Platonin dhe më shumë kohë në autobusë me njerëzit”. (Simeon Strunsky). Kjo thënie të shpie gjithmonë e më shumë drejt kuptimit më të mirë mbi demokracinë që ne sikletosemi për ta gjetur dhe përkufizuar. Sidomos këto javë gjendemi në mes të lumit të madh të fjalëve tona, përpiqemi të bëjmë teori të zgjedhur dhe të lartë, vetironizohemi duke u pozicionuar si orakuj të talentuar dhe përpiqemi të ngushëllohemi nga pak me Platonin dhe Aristotelin. Ndërkohë, nëpër rrugë ekziston një tjetër standard i asaj që ne përpiqemi ta mbyllim në biblioteka: është standardi i jetës reale dhe pa e njohur atë, nuk u afrohemi dot disa përfundimeve dhe zgjidhjeve që na duhen. Ndërkohë që ne të gjithë flasim, zihemi për politikat dhe politikanët, në një vend të izoluar vuajnë grevën e urisë disa njerëz që janë izoluar nga fati dhe nga ne. Greva e tetra-paraplegjikëve është në të shumtën ditë të saj dhe pandjeshmëria e shtetit dhe e shoqërisë i ka kapërcyer përmasat edhe në prag zgjedhjesh. Them në prag zgjedhjesh, sepse në përgjithësi kjo është periudha e “artë” për politikanët, ata hapin dyert dhe japin lëmoshat, mundohen t’i bëjnë njerëzit të kënaqur, t’i joshin me sloganet e tyre politike, sforcohen të kapërcejnë muret e bibliotekave dhe të kapin aty-këtu ndonjë autobus për t’i parë se si jetojnë këta udhëtarë të rraskapitur, të kapin në ajër ndonjë ankesë dhe të gjejnë pak kohë për të përmbushur ndonjë premtim…
Por, e çuditshmja po ndodh që pikërisht në këtë periudhë, kur të dyja pushtetet, qendrori e lokali, duhet të jenë syhapur nga mëria e njerëzve, askush nuk e vë ujin në zjarr për të ndihmuar disa njerëz hallexhinj që kërkojnë një pagesë (gati lëmoshë) për të përmirësuar paksa jetën e tyre. Kërkesa e grevistëve tetra-paraplegjikë lidhet me një gjë shumë të thjeshtë që nuk e rëndon aspak xhepin e qeverisë, përkundrazi, e pasuron me një akt humanizmi më shumë vizionin e shtetit demokratik: shtesa prej një shume të vogël parash që lidhet me inflacionin aktual i ndihmon shumë individët e kësaj kategorie që ta përballojnë jetën me më pak dhimbje dhe me pak më shumë dinjitet.
Nuk ka një përgjigje serioze për kërkesat e grevistëve. Jo vetëm kaq: ajo që është më e dhimbshme, është pandjeshmëria që shtetarët apo pjesa tjetër e shoqërisë ka ndaj kësaj kategorie njerëzish. Kur ne themi se jemi diskriminues, përgjigjja “jo” e një numri të madh shqiptarësh të kujton krenarinë shabllone dhe të fryrë që na u stivua në mendje që në kohën e totalitarizmit. Në fakt, jemi diskriminues dhe më shumë se kaq nuk bëjmë përpjekje për të zbutur sjelljen tonë dhe për ta ndriçuar shpirtin me pak humanizëm. Turma shqiptarësh janë të gatshëm të mbushin sheshet dhe të dëgjojnë fjalimet monotone e të përsëritura të kandidatëve e liderëve të partive, janë entuziastë të duartrokasin dhe të hedhin parulla, por pothuajse të gjithë “i bëjnë bisht” një tubimi për të kërkuar të drejtat e disa njerëzve që luftojnë dhimbshëm me jetën.
Kjo që ndodh tani me invalidët, që ndodhi para ca kohësh dhe vazhdon të ndodhë me romët, histori të tjera që do të ndodhin dhe ndodhin si rezultat i nivelit të ulët të humanizmit e kujdesit që kemi për njëri-tjetrin, e futin Shqipërinë në vendet ku aplikohet demokracia formale. Demokracia formale si një sistem shtetëror që nxjerr në pah format sipërfaqësore të demokracisë, por që realisht nuk menaxhon në mënyrë demokratike, është tipike për shtetin shqiptar të tranzicionit. E natyrshme të ndodhte kjo, pasi kemi dalë (ende…, por po pretendojmë), nga një sistem i gjatë i diktaturës, por e panatyrshme dhe e pafalshme përpjekja për ta mbajtur ende të tillë këtë staturë. Jemi në një fazë ku as bibliotekën nuk e përdorim: mësimet tona të demokracisë i kemi përshtatur sipas modelit që na pëlqen. Nuk i hipim autobusëve sepse përtojmë të shohim jetën e vërtetë të njerëzve. Kështu, politika shqiptare, liderët, qeveritarët, njerëz që kanë marrë përsipër të zgjidhin ca halle, kanë mbetur në mes të rrugës, të pazotët për të ndihmuar ata që ankohen.
Çështja e tetra-paraplegjikëve nuk është e panjohur. Strukturat e shtetit duhet ta dinë se ankesat asnjëherë nuk janë përmbushur siç duhet. Mungesa e strategjive afatgjata për këta njerëz, natyrshëm i bën ata të rikthehen në vendet e grevave të urisë dhe të rikërkojnë të drejtën e tyre për një jetë normale. Ndjenja e mospërfilljes që vjen nga strukturat shtetërore, është një ofendim për të gjithë shqiptarët.
E çuditshme dhe ironike që kjo situatë nuk arrin dot të frenohet kur tashmë është e kuptueshme që është një ngjaje e paralajmëruar.

© Panorama.al

Te lidhura