TIRANË- Kryeministri Sali Berisha uron për detyrën e re kreun e ri të qeverisë greke dhe atë të Italisë. Urimet janë bërë përmes telegrameve që Berisha u ka bërë dy homologëve të rinj.
Telegrami për Montin
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e përzgjedhjes Suaj për pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, t’Ju përcjell në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për formimin e qeverisë dhe sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme përpara Jush.
Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj profesionale dhe atë politike, ndaj ruaj bindjen e thellë se me përkushtimin, profesionalizmin, vizionin e urtësinë që Ju karakterizon do të sillni një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin me sukses të situatës së krijuar si pasojë e kushteve jo të favorshme financiare në arenën europiane dhe në rikthimin e vendit Tuaj të madh, mik e aleat i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm.
Gjej rastin t’Ju risiguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur e të angazhuar për të zhvilluar edhe më tej traditën e shkëlqyer të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin në fushat dy- e shumëpalëshe, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit europian, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë miq.
Telegrami për Papadhimos
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj në pozicionin e Kryeministrit të Greqisë dhe krijimit të qeverisë së bashkëpunimit, t’Ju përcjell në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin dhe kombin Tuaj fqinj e mik.
Kam ndjekur me vëmendje përkushtimin, vizionin dhe vendosmërinë Tuaj profesionale, ndaj ruaj bindjen e thellë se përzgjedhja Juaj në krye të qeverisë, në këtë situatë delikate financiare për vendin Tuaj, do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin e saj dhe në ecjen përpara me reformat e nevojshme për ta kthyer Greqinë në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm.
Gjej rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur dhe të angazhuar për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të zgjeruar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë.
© Panorama.al











