Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Aleksandër Koçekut, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në fshatin Lin, në aksin rrugor Kir–Prekal, në zonën e Dukagjinit.
Sipas informacioneve paraprake, 42-vjeçari është qëlluar me breshëri plumbash teksa ndodhej në automjetin e tij. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, dyshimet e para janë se vrasja mund të ketë lidhje me një konflikt të vjetër për gjakmarrje. Një pretendim i tillë është bërë edhe nga kushëriri i viktimës, Mark Koçeku, i cili ka deklaruar se ekzekutimi mund të jetë hakmarrje për një ngjarje të ndodhur vite më parë.
Aleksandër Koçeku ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit, ngjarje e ndodhur në vitin 2017 pranë varrezave të qytetit të Shkodrës. Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja dyshohej se kishte ndodhur për një konflikt të lidhur me një borxh prej 30 mijë eurosh.
Megjithatë, policia nuk ka konfirmuar ende motivin e ekzekutimit të Aleksandër Koçekut dhe hetimet vijojnë në disa pista, përfshirë edhe atë të hakmarrjes.
© Panorama.al












