Është mbyllur orët e vona të mbrëmjes protesta mbarëqytetare në ditën e 42-të të saj.
Sot qytetarët ishin edhe më të shumtë, megjithëse organizim të mirëfilltë me diasporën si 1 javë më parë nuk pati. Qytetarët dolën sot edhe për të shprehur revoltën ndaj koncertit të Kanye West që u zhvillua sot në stadiumin e improvizuar në Kashar, ku qeveria dha së fundmi 4.2 mln euro nga fondi emergjent i buxhetit.
Grumbullimi filloi si zakonisht te sheshi Skënderbej në ora 19:00 ku qytetarë të shumtë shprehën shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre me qeverinë dhe politikën, edhe përmes pankartave.
Para Kryeministrisë, folës të ndryshëm u shprehën mbi një pikë të përbashkët dhe të panegociueshme, dorëheqjen e Ramës dhe paralajmëruan se do çojnë në SPAK 4 mln eurot që Rama do japë për koncertin e Kanye West.
Më tej filloi marshimi rrugëve të Tiranës, pas më shumë se 2 orë fjalimesh. Qytetarët ndaluan edhe para parlamentit ku paralajmëruan një tjetër protestë aty, seancën e fundit plenare, atë të 23 korrikut. Marshimi dhe protesta u mbyll para kryeministrisë, ku aktivistët bën thirrje që nesër të dalin dhe më shumë.
© Panorama.al












