Dështon për të disatën herë tentativa e maxhorancës për të votuar në Parlament ligjet që kërkojnë 84 vota. Gjashtë ditë përpara se Komisioni Europian të nxjerrë progres-raportin për Shqipërinë, PD dhe PS debatojnë mes tyre në një seance plenare, duke konfirmuar edhe njëherë se janë ende larg arritjes së konsensusit. Në fjalën e tij para deputetëve, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se opozita kërkon që të gjitha ligjet, përpara se të kalojnë në seancë, të marrin më parë vlerësimin e ekspertëve të BE-së, duke u angazhuar se PS-ja do t’i votojë ato. “Ne ju kemi bërë një ofertë, që të mandatohet Komisioni i Ligjeve që brenda këtij sesioni, që do të thotë deri në dhjetor, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad hock konstitucionalistësh, grupe interesi, ekspertë të BE-së, rasti pas rasti, të gjitha nenet dhe projektligjet sipas fushave, në një proces ta hapur dhe transparent, siç thotë rekomandimi i BE-së. Ne marrim angazhimin të japim dakordësinë me votën tonë të çdo rezultati që do të sjellë kjo procedurë sipas rekomandimit të BE-së”, u shpreh Ruçi. Ai e cilësoi si provokim nga ana e maxhorancës futjen në rend të ditës të ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar. “Ju nuk doni. Atëherë mos provokoni! Kemi kaq ditë që publikisht, institucionalisht, këtu, në sallën e Parlamentit, një nga pikat e ofertës sonë i jep përgjigje institucionale dhe publike këtij problem. Prandaj, as sot, as seancën e radhës, mos përsërisni atë që thatë tani, se nuk ka përgjigje. Nuk ka përgjigje, është e vërtetë, po mungesa e përgjigjes është moskthimi dhe mospranimi i ofertës që ju ka bërë opozita shqiptare”, theksoi më tej kreu i Grupit Parlamentar socialist.
Reagimi i PD
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha në përgjigje të fjalimit të Ruçit, se 10 pikat e propozuara nga Rama janë vendosur përpara si postbllok që pengon integrimin e vendit. “Edi Rama ka shkruar një hartim me 10 pika dhe e ka vënë atë si postbllok, duke thënë se pa kaluar atë, Partia Socialiste e, për rrjedhojë, edhe Kuvendi i Shqipërisë (sepse opozita zotëron pakicën bllokuese të shumicës së cilësuar), nuk do të bëjë asnjë hap para për integrimin. Kaq e thjeshtë është historia, të tjerat janë retorikë”, u shpreh Patozi. Më tej ai theksoi se “ne e dimë, ashtu siç edhe ju e dini, por ta mësojnë edhe ata shqiptarë që mund ta kenë të vështirë të depërtojnë në gjuhën e drunjtë të Edi Ramës. 10 pikat e paktit të tij, në formë, në kohë dhe në përmbajtje, janë qerrja ku Edi Rama kërkon të hipë procesin e integrimit. Janë një dredhi naive ballkanase, një rreng fëminor për të larë duart me një detyrim të madh, me përgjegjësinë e opozitës në një proces jetik për vendin, i cili, sigurisht që do të ketë fatin e të gjitha hileve të vogla që bëhen për të rrëzuar çështje të mëdha”. Sipas Patozit, maxhoranca dhe opozita nuk kanë detyrim të shqyrtojnë dhe miratojnë tekat dhe kurthet e njëri-tjetrit. Ai tha se integrimi i vendit në BE është axhenda e përbashkët e politikës, por shtoi se “nuk mund të bëhen çështje kombëtare hallet e Edi Ramës”. “Ne kemi ligjet përpara, dhe ato janë pjesë e 12 rekomandimeve. Edi Rama thotë hajde të flasim një herë për paktin, ca pika ne, ca ju, ca ata që janë jashtë, se me nge e kemi. Ne kemi reformën zgjedhore për të nisur, Edi Rama thotë hajde një herë të biem dakord për guvernatorin, kryetarin e Kontrollit të Shtetit, ca anëtarë bordi këtej ca të tjerë andej, dhe pastaj, duke parë e duke bërë (se shkon gjuha ku dhëmb dhëmbi), mbërrijmë te Presidenti vitin e ardhshëm”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
Topalli: Ligjet me 84 vota në çdo seancë
Pas replikave mes kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe atij të PD-së, Astrit Patozi, ndërhyri edhe kryeparlamentarja Topalli. Ajo theksoi se të gjitha ligjet që janë futur disa herë në rend të ditës dhe nuk janë votuar për shkak të mosdhënies së konsensusit nga ana e opozitës, do të vazhdojnë të jenë në rendin e ditës. “Që t’ju orientoj: projektligjet që prekin 12 rekomandimet e Bashkimit Europian do të mbeten në kalendarin e punimeve dhe do t’i keni çdo ditë në rendin e ditës. Ky është premtimi im”, u shpreh Topalli.
Idrizi
Në mbledhjen e djeshme të Parlamentit u miratua edhe propozimi që kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, të bëhet anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme. Ky komision drejtohet nga deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja dhe në përbërjen e tij janë pesë deputetë nga maxhoranca, katër nga opozita dhe dy të pavarur. Deputetë të pavarur janë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Florjon Mima, i cili që pas zgjedhjeve të 8 majit 2011 është shkëputur zyrtarisht nga Grupi Parlamentar i PD-së për shkak se u regjistrua si deputet i LZHK-së.
Ligji për asetet e piramidave- Bode: Qeveria e PS shiti 95% të aseteve
Gjatë diskutimit në ligjit për shitjen e pronave të firmave piramidale, ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh se amendamentet synojnë bërjen atraktive të pronave të mbetura të bllokuara për mungesë interesi. Bode akuzoi Partinë Socialiste për mënyrën e shitjes së 95% të pronave të të ashtuquajturave firma piramidale. “Kush i mori pronat e këtyre firmave? PS ka shitur 95% të këtyre aseteve. Me çfarë çmimi janë shitur këto prona dhe kujt u janë dhënë pronat e firmave piramidale për të shlyer çdo qindarkë lekët që morën përsipër në fushatën e vitit 1997?”, u shpreh Bode. Nga ana e saj, opozita e kundërshtoi projektligjin me argumentin se këto ndryshime nuk do të mund të sjellin rezultate në atë që synohet.
Ligjet: Maxhoranca me 71 vota
Pas rreth pesë orë diskutimesh në mbledhjen e djeshme të Parlamentit, me votat e koalicionit të djathtë u kaluan të gjitha ligjet që ishin në rendin e ditës dhe që kërkonin shumicë të thjeshtë. Përjashtim këtu bënë kodet dhe ngritja e Gjykatës Administrative, të cilat do të jenë sërish në mbledhjen e ardhshme të Parlamentit. Me 71 vota pro dhe 53 kundër u miratuan disa ndryshime në ligjin “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, të ndryshuar”. Sa i përket marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Austrisë, për realizimin e një sistemi kompjuterik për Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile në Shqipëri, opozita, meqenëse hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, në fund abstenoi. Marrëveshja u miratua me 71 vota pro, 4 kundër dhe 49 abstenime. Në fund u miratua gjithashtu edhe buxheti faktit i vitit të kaluar, për të cilin votuan pro 71 deputetë të maxhorancës, 53 kundër dhe katër nuk morën pjesë në votim.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











