PS tërhiqet nga votimi në Parlament pas miratimit me konsensus të Kodit Ajror. Mungojnë Berisha, Meta, Idrizi, Sula, Oketa e Trashani
Në mbledhjen e djeshme të Parlamentit, shumica dhe opozita bashkuan votat për miratimin e Kodit Ajror sipas paktit të arritur javën e shkuar, ndërkohë që Partia Socialiste u tërhoq nga votimi në momentin që do të votoheshin dy ligje për energjinë elektrike. Gjatë seancës së djeshme ishin të pranishëm 66 deputetë nga Partia Demokratike, ndërkohë që mungonte Kryeministri Sali Berisha, ministri i Financave, Ridvan Bode, kreu i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe deputetët Dashnor Sula, Gazmend Oketa, Mehmet Xheka dhe Arenca Trashani.
Votat
Me 121 vota në parim, 119 vota nen për nen, Kuvendi miratoi disa ndryshime në “Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë”. Konsensusi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste u arrit pas kërkesës së opozitës për të mbledhur edhe njëherë Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku do të diskutoheshin disa amendamente të propozuara nga deputeti Eduard Shalsi. Drejtuesi i seancës, Ardian Turku, fillimisht kërkoi që Komisioni të mblidhej para votimit, por pas insistimit të opozitës, u mblodh gjatë kohës që po diskutoheshin ligjet për energjinë elektrike. Pas arritjes së konsensusit në Komision, maxhoranca dhe opozita votuan pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim ndryshimet në Kodin Rrugor.
Debati
Në momentin kur kryeparlamentarja Topalli do të hidhte për votim ligjet për energjinë elektrike, kreu i Grupit socialist, Gramoz Ruçi, bëri të ditur vendimin e opozitës (u mblodh 10 minuta para se të niste votimi) për t’u tërhequr nga votimi pasi të jepej konsensusi për Kodin Ajror. “E mora fjalën tani që diskutohen këto dy projektligje, se pati akuza të ndërsjella, që janë bërë lobime të ndryshme, nga kompani të ndryshme korruptive lidhur me këtë çështje. Sigurisht që ne do të jemi në sallë, por nuk do të jemi në sallë që të plotësojmë ata që ju mungojnë juve për kuorumin tuaj. Se ndryshe, të gjitha ato akuza që hodhët ndaj krahut tonë, atëherë lotimet ku janë bërë, te Kryeministri që mungon, janë bërë te ministri i Financave, janë bërë te koalicioni që ju qeverisni Shqipërinë? Prandaj siguroni kuorumin tuaj, të vijnë të lobuarit këtu. Ndryshe ju nuk keni kuorum dhe ne nuk marrim pjesë në votim”, u shpreh Ruçi. Në përgjigje të kreut të deputetëve socialistë, kreu i Grupit demokrat, Astrit Patozi, tha se pakica riktheu politikën bllokuese. Sipas tij, maxhoranca nuk provohet me dy ligje të energjisë, por me votimin e buxhetit që do të bëhet ditën e sotme. “Unë dua të shpreh trishtimin tim për kthimin herë pas here të opozitës në marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Është një praktikë kjo sa arkaike, aq dhe e diskretituar gjatë këtyre dy vjetëve. Sigurisht, me sa duket, është shumë e vështirë që të ndahen nga politika bllokuese që aplikuat pa sukses gjatë këtyre dy viteve që shkuan, por gjithsesi, unë dëshiroj t’u kujtoi kolegëve të mi të opozitës që nuk testohet maxhoranca, as për ligjin e energjisë, as për interesat e klientëve të kualifikuar. Maxhoranca testohet me buxhetin e shtetit që është nesër dhe ju keni një mundësi për ta testuar nesër maxhorancën. Nesër që do të miratohet buxheti i shtetit, ne kemi të gjithë mundësinë që t’i miratojmë edhe dy ligjet e lëna peng prej jush sot”, tha Patozi.
Miratohet Kodi Ajror, Shalsi: Aviacioni Civil, me militantë
Deputeti socialist, Eduard Shalsi, akuzoi dje maxhorancën se ka mbushur me militantë politikë edhe agjencinë e Aviacionit Civil. Gjatë diskutimeve të ndryshimeve të Kodit Ajror, deputeti socialist u shpreh se aviacioni civil përbëhet nga persona të patrajnuar për punën që bëjnë. “Drejtor është një mjek me diplomë, një drejtor tjetër nuk flet anglisht, gjysma e stafit të aviacionit civil nuk ka autoritet të kryejë detyrën atje. Licenca e një operatori në Shqipëri u pezullua, por jo nga drejtori, nga një person që nuk e dimë kush është. 20 vjet postdiktaturë, Shqipëria nuk ka specialistë për situatën që flasim, por ka emërime të militantëve”. Pas deklaratave të Shalsit reagoi ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili i hodhi poshtë këto akuza. “U spekulua nga ju për militantë. Unë po ju them, z. Shalsi, vetëm aty nuk punësojmë mbi militantizëm, sepse duhet një administrim i mirë. E vërtetë që drejtori nuk është i fushës, por ai administron. E mbajmë në punë se është profesionist, nuk është kriter profesioni, por ana profesionale. Ai është profesioniast. Dhe për specialistët që folët, ne nuk kemi shkollë aviacioni dhe nuk japim certifikata. Kur nuk i kanë, ne jemi të detyruar t’i marrim nga jashtë specialistët dhe i kemi dhënë fonde Aviacionit Civil të marrin me kosto pesë specialistë të huaj që të shohin problemet këtu. Sepse bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve që udhëtojnë”, tha ministri. Gjatë diskutimeve, edhe deputeti tjetër socialist, Sajmir Tahiri, e akuzoi qeverinë për krijimin e një situate monopol sa u përket linjave ajrore. “Përmend këtu Albatrosin që drejtori i atëhershëm i Aviacionit Civil e nxori me përdhunë nga tregu. U fut Bell Air, e dimë tashmë që për të ka preferenca politike. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Të kërkoj z. Olldashi të mos bësh gabimet e ministrit të atëhershëm, që sot e kemi kryetar Bashkie të Tiranës. Kjo duhet ndrequr një orë e më parë. Ju duhet ta sistemoni”, tha Tahiri. Por, edhe këtë deklaratë, ministri Olldashi e hodhi poshtë duke thënë se “në konsideratën e Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) nuk kemi një situatë monopol për sa kohë kemi 17 kompani ajrore që operojnë nga Tirana drejt destinacioneve të tjera”.











