Dështon takimi i Boris Tadiçit me serbët

Oct 25, 2011 | 13:03

Bisedimet e krerëve të komunave veriore të Kosovës me Presidentin Boris Tadiç dështuan, pasi ata refuzuan edhe këndvështrimin e tij për zgjidhjen e situatës së tensionuar në Veri. Pas pesë orësh bisedime, nuk ranë dakord me të. Boris Tadiç u ka kërkuar atyre që të lirojnë rrugët nga barrikadat dhe që të lejojnë qarkullimin e ushtarëve të KFOR-it dhe të pjesëtarëve të EULEX-it. Por ata nuk duan t’i heqin barrikadat, pasi janë zëra të tjerë nga qeveria serbe që kanë urdhëruar mbajtjen e tyre, si ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, kryenegociatori për bisedimet, Borisllav Stefanoviç etj. Kuvendi i ashtuquajtur i komunave serbe në Kosovë pritet ta deklarojë sot vendimin e tij mbi barrikadat. Sipas përfaqësuesit të Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç, as pas takimit me Tadiçin zgjidhja nuk duket afër. “Fatkeqësisht, nuk mund të themi as pas takimit, se jemi më afër zgjidhjes në kuptimin e vazhdimit të bisedimeve për heqjen e barrikadave. Sa i përket kërkesës së Presidentit Tadiç që të mundësohet liria e lëvizjes edhe për EULEX-in, do të bisedojmë. Por, pa garanci të qarta se EULEX-i nuk do të instalojë doganierët kosovarë dhe nuk do të sillet në terren në atë mënyrë, që të zbatojë planin e Ahtisarit, nuk do të vijmë lehtë te zgjidhja për lëvizjen e lirë për EULEX-in”, u shpreh Ristiç. Ndikimin më të madh te serbët e Veriut e kanë opozitarët radikalë Tomislav Nikoliç e Vojisllav Koshtunica, por ata janë kundër heqjes së barrikadave.

© Panorama.al

Te lidhura