Dështimet e drejtësisë penale dhe integrimi në BE

Nov 4, 2011 | 10:23

KOLI BELE

Çështjet e drejtësisë penale gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e diskutimit publik e, në mënyrë të veçantë, e debatit politik në vend. Çështjet e drejtësisë penale gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e diskutimit publik e, në mënyrë të veçantë, e debatit politik në vend.  Mjafton të marrim si shembull debatin e heqjes apo jo të imunitetit të zyrtarëve të lartë publikë, i cili është risjellë me intensitet të lartë në muajt e fundit, megjithëse shumica e argumenteve të të dyja palëve janë “stërthënë”, duke e shndërruar diskutimin e këtij problemi parimor në një retorikë boshe, që duket se s’do të zgjidhet ndonjëherë.
Po kështu reportazhet mbi ecurinë e proceseve të bujshme si ai i Gërdecit, çështja “Prifti-Meta”, gjykimet e bandave si ajo e Lushnjës apo Durrësit etj., janë lajmet që hapin pothuaj çdo ditë kronikat televizive.
Por, ndërsa për redaksitë e lajmeve kronikat penale kanë të bëjnë me shikueshmërinë, për politikën shqiptare problematika e drejtësisë është çështje “kalueshmërie” në provimet e procesit të integrimit europian.
Pjesa e progres-raportit të BE që flet për çështjet e drejtësisë, edhe pse përdor termat diplomatike, “mungesë progresi ose minimal”, qartësisht bën portretizimin e dështimit të sistemit të drejtësisë e në mënyrë të veçantë atij të drejtësisë penale. Ky raport, ashtu si edhe të mëparshmit, adresojnë problemin e imunitetit si një nga pikat që mund të ndikojnë në eficiencën e luftës ndaj korrupsionit, por gjithsesi, jo si zgjidhjen magjike të problemeve të drejtësisë penale. Po kështu edhe ndryshimet në ligjet me 3/5 janë pika që duhen përmirësuar, por jo zgjidhja e integrimit të vendit në BE.
Sigurisht që problemet që ka drejtësia penale janë shumë të mëdha e komplekse dhe ndërsa raporti dhe rekomandimet janë udhërrëfyes që duhen pasur parasysh, ngushtimi i diskutimit në gjasme -plotësimin e nxituar e formal të dy apo tri pikave si çelësi i hyrjes në BE, është po aq i dëmshëm se stanjacioni që ka përfshirë sistemin e drejtësisë prej disa vitesh.
Por le të bëjmë një retrospektive të shkurtër duke e parë ecurinë e sistemit të drejtësisë penale nga ajo që është pjesa më e dukshme për publikun; proceset e famshme gjyqësore në 20 vitet e postkomunizmit. Gjysma e parë e viteve ‘90 u shënjua nga proceset famëkeqe me frymëzim politik, që kulmuan me burgosjen dhe dënimin e Fatos Nanos, duke i dhënë vendit në vitin ‘97 një kryeministër që sapo ishte liruar nga 5 vite burgu politik. Edhe proceset e bujshme të fundviteve ‘90 ishin po ashtu dështime të mëdha, duke prodhuar një drejtësi të cunguar, siç ishte vrasja e deputetit Hajdari, apo procesi i 14 shtatorit, që “u shua në një heshtje të turpshme” mbas më shumë se 10 vitesh sorollatje gjyqësore.
Për fat të keq, këto dështime të drejtësisë nuk u analizuan në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë penale, por u mjaftua me disa reforma ligjore në drejtim të forcimit të pavarësisë formale të pushtetit gjyqësor, por edhe në funksion të implementimit të Kushtetutës së sapomiratuar.
Gjysma e parë e viteve 2000 solli reformim të mëtejshëm të legjislacionit penal dhe krijimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ndoshta ishte i vetmi institucion i drejtësisë që gëzonte mbështetjen konsensuale pozitë-opozitë në emër të luftës ndaj trafiqeve dhe krimit të organizuar.  Kjo gjykatë, fillimisht e pajisur me mjetet e duhura procedurale (ndryshimet në legjislacionin penal e procedural) e mandej edhe me logjistikën e nevojshme, duke kulmuar me ndërtimin e një godinë impozante xhami, në hijen e së cilës qëndron ngrehina modeste e Gjykatës Penale të Tiranës, ku gjykohen së paku 20 herë më shumë çështje në një vit pune. Suksesi euforik i Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë pranë saj, që zgjati pothuaj një dekadë (të vetmet që nuk kritikoheshin nga Kryeministri Berisha edhe në kohën e fushatës anti-Sollaku dhe me pas anti-I. Rama), në 2-3 vitet  e fundit po shkon drejt fashitjes. Proceset e mëdha të ashtuquajtura “banda kriminale” të dënuara me bujë nga Gjykata e Shkallës së Parë apo edhe Apeli, gjithnjë e më shpesh po rrëzohen në Gjykatën e Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese, duke e vënë në pikëpyetje jo vetëm cilësinë e procesit ligjor në këtë gjykate, por edhe vetë ekzistencën e një gjykate që së fundi vetëm godina i ka ngelur e madhe!
Të njëjtin fat, e ndoshta akoma e më të keq, po pëson e ashtuquajtura lufta ndaj krimit ekonomik e korrupsionit, e filluar edhe kjo me ndryshimet në Kodin Penal dhe krijimin e strukturave të posaçme hetimore në vitet 2002-2003, por që mori një vrull të ri me ndryshimin e pushtetit politik në vitin 2005. Arrestimet dhe prangosjet para kamerave të disa zyrtarëve të lartë publikë, të zgjedhurve vendorë, biznesmenëve apo mjekëve të shquar e të trumbetuara si suksese të drejtësisë penale, arritën në maksimum të “prodhonin” dënime jo të formës së prerë nga gjykatat e shkallëve të para. Mjafton të kujtojmë çështjen e biznesmenit N. Jaka, atë të drejtorit A. Golemi, mjekun e njohur A. Karaj, arrestimet e bujshme të drejtorit të Prokurimeve B. Murati dhe 5 biznesmeneve të veshmbathjeve, komunën e Kasharit, Plazhi i Gjeneralit etj. Për të mos folur për çështjet me profil të lartë politik si ajo e rrugës Durrës- Morinë apo Meta-Prifti. Pothuaj, të gjitha çështjet të bujshme të viteve të fundit ose kanë marrë pafajësi në shkallët e larta të Gjyqësorit, ose janë duke u “përpëlitur” drejt pushimit a pafajësive të pashmangshme.
Në pamundësi të analizimit në secilin nga këto raste apo edhe në shumë të tjera të ngjashme, gjithsesi, rezultantja e tyre provon qartë se drejtësia penale në Shqipëri ndodhet në një krizë funksionimi dhe besimi. Dhe sigurisht, këtë shqetësim e ngrenë në mënyrë të drejtë apo tërthortë të gjitha raportet e besueshme ndërkombëtare, pasi s’mund të ketë një shoqëri demokratike në një vend ku s’ka një sistem eficient e të besueshëm të drejtësisë penale.
Është e thjeshtë që së paku për dështimet e viteve të fundit të fajësonim Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese, si e keqja e drejtësisë penale që po nxjerr fajtorët nga burgu apo po i heq akuzat të korruptuarve. Për hir të së vërtetës, kjo do të shtonte kakofoninë dhe rrëmujën që ka përfshirë sistemin e drejtësisë penale ku prej vitesh  policia, prokuroria dhe gjykatat fajësojnë njëri-tjetrin për dështimet. Sidomos policia, e ndodhur nën presionin politik si pjesë e Ekzekutivit, ndërsa vijon të raportojë tregues qesharakë suksesi e zbulimi të autorëve të krimit, të ngjashëm me 99% e kohës së komunizmit, sipas rastit fajëson herë Prokurorinë dhe herë Gjykatën për arrestimet apo çështjet që përfundojnë në pushime e pafajësi.
Për hir të së vërtetës, Prokuroria ka “gjynahun e shndërrimit në një sektor juridik” pranë komisariateve duke pranuar të hetojë, përgjojë e prangosë çdokënd në emër të fushatave si ajo antikorrupsionit, duke harruar se puna e Prokurorisë, në ndryshim nga ajo e Policisë, nuk mbaron me konferencat e përbashkëta për shtyp kur arrestohet dikush, por te vendimi i fajësisë deri në përfundim të procesit në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese apo edhe në Strasburg. Në të njëjtën mënyrë, gjykatat kanë “gjynahun e hapjes së portës” për çdo lloj kërkese në hetimet paraprake, qoftë kjo përgjim apo arrestim, në mungesë të dukshme të provave, duke e korrigjuar veten rast pas rasti, mbasi vëmendja largohet nga proceset e bujshme dhe atëherë është koha kur mund të gjenden gjilpërat në “kashtën procedurale të përzier keqas”.
Prej vitesh është folur dhe vënë theksi te forcimi i pavarësisë së gjyqtarëve në vendimmarrje, duke miratuar edhe garancitë e nevojshme ligjore. Gjithsesi, edhe ky objektiv ka ngelur shumë pak i realizuar në praktikë. Ndërsa mund të thuhet që objektivat e tjerë, po aq të rëndësishëm, si profesionalizmi dhe paanësia, janë shumë më pak të realizuar.
Për fat të keq, për karrierën e gjyqtarëve, me gjithë përpjekjen e pasuksesshme për të krijuar një qeveri funksionale gjyqësore siç është KLD apo një parlament gjyqësor siç është Konferenca Gjyqësore, vazhdon të vendosë politika e ditës. Prokuroria gjithashtu ndodhet në një krizë besimi të shkaktuar nga lufta e konstante politike e maxhorancave ndaj saj, sidomos në dy mandatet e fundit qeverisëse. Për të mos folur për Policinë e Shtetit dhe sidomos shërbimet e policive gjyqësore. Dështimet e përsëritura të zbulimit të ngjarjeve shumë të rënda si vrasja e deputetit Xhindi, ekzekutimi i makabër i gjyqtarit Konomi, janë “haraçet” e ndërtimit të policisë ku duke nisur nga maja e piramidës e deri tek agjentët e policisë në terren, e karriera dhe profesionalizmi janë fjalë pa vlerë.
Më e rëndësishme se lufta propagandistike ndaj krimit të organizuar e korrupsionit me prangosje e deklarata mediatike, apo me arnime të nxituara ligjesh qofshin këto edhe ndryshime kushtetuese, është  mosthellimi i krizës në drejtësinë penale në emër të karrierës politike të ndonjë individi apo nevojave politike të ditës.
Duke konkluduar, sistemi i drejtësisë penale ndodhet një krizë të thellë funksionimi dhe besimi, e cila është një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e vendit. Progres-raporti i BE-së, por jo vetëm ai, e thotë troç se integrimi europian i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa kapërcyer, midis të tjerash, edhe krizën ku ndodhet drejtësia penale.
Ajo është komplekse dhe e akumuluar në gati dy dekadat e fundit, pa harruar trashëgiminë e mbrapshtë gjysmëshekullore. Është miopi, në mos keqdashje politike, të besosh se përmirësimi i situatës mund të vijë “deux ex machina” brenda një dite të vetme, edhe sikur i gjithë spektri politik të bjeri dakord në emër të prioritetit madhor të përbashkët, integrimit europian të vendit.

© Panorama.al

Te lidhura