Pas më shumë se 7 muajsh, treguesit kryesorë të ekonomisë sonë vërtetojnë risqet në rritje të dështimit të qeverisjes së vendit. Rritja ekonomike është në nivelet më të ulëta të 20 viteve të fundit. Qeveria sa herë që planifikon buxhetet, parashikon një rritje ekonomike jo reale, sepse kështu rrit mundësitë për të keqpërdorur shpenzimet dhe investimet publike. Kështu qeveria fsheh nivelin real të deficitit dhe borxhit. Rishikimi i buxheteve të viteve të fundit, ku treguesit e rritjes ekonomike janë në ulje dhe të deficitit dhe borxhi publik në rritje, vërteton shqetësimet publike të opozitës.
Gjithë institucionet financiare të specializuara parashikojnë për vitin 2012 një rritje ekonomike rreth 0.5-1.5 për qind të GDP-së, ndërsa qeveria shqiptare edhe për vitet 2013-2015 vazhdon buxhetet me rritje të larta ekonomike 4-5 për qind.
Qeveria nuk përgatit buxhet në përputhje me gjendjen dhe sfidat e vendit, por thjesht buxhete elektorale duke i fshehur përkeqësimet në treguesit më domethënës të ekonomisë shqiptare siç janë ulja e rritjes ekonomike, rritja e papunësisë dhe kredive të këqija, rritja e deficitit dhe borxhit publik. Kjo situatë ekonomike e rrezikon më shumë stabilitetin e financave publike dhe i bën më të vështira sfidat e vendit.
Po të analizohen 7 muajt e parë të vitit 2012, do të konstatohet lehtë se planifikimi dhe implementimi i buxhetit ka ardhur në përkeqësim. Më konkretisht, mosrealizimi i të ardhurave në këtë periudhë është rreth 10 miliardë lekë vetëm nga taksat e tatimet. Shpenzimet operative janë tejkaluar me 5.6 miliardë lekë. Deficiti i brendshëm është tejkaluar rreth 3.4 herë. Huamarrja e brendshme është tejkaluar rreth 4.4 herë më shumë se planifikimi i periudhës përkatëse. Sipas Bankës së Shqipërisë, besimi i konsumatorëve ka rënë, ndërsa kreditë e këqija janë mbi 21 për qind e totalit, nivel shumë kritik për impaktin e tyre në ekonomi.
Buxhetet e viteve të fundit të kritikuara nga opozita si jo realiste, pa politikat fiskale mbështetëse dhe me tregues të manipuluar të deficitit dhe borxhit, janë dëshmitë më të qarta të kësaj keqqeverisjeje.
Disa ekspertë të maxhorancës sforcohen të justifikojnë këta tregues të përkeqësuar me “përllogaritje të gabuara” të specialistëve, disa të tjerë me faktin që treguesit e muajve nuk kanë asnjë rëndësi, sepse në fund të vitit deficiti dhe borxhi do të jenë brenda niveleve të miratuara me ligj.
Të dyja pseudoargumentet kanë shpjegimin e tyre
E para – Tejkalimi kaq i madh i deficitit që në muajt e parë të vitit dhe për 7-mujorin nuk vijnë nga “përllogaritjet e gabuara” të specialistëve, pasi ndarja e buxhetit në periudha të ndërmjetme gjatë një viti buxhetor ka metodologjinë e vet dhe bazohet në seri kohore shumë të gjata, të cilat në rastet kur nuk ka ndryshim të politikave buxhetore, ofrojnë tregues me një trend të qartë të shpërndarjes së tyre sipas muajve.
E dyta – Tejkalimi kaq i madh që në muajt e parë të vitit vjen për shkak se kanë qenë shumë të mëdha detyrimet e papaguara nga buxheti në vitin e mëparshëm, çka e detyron qeverinë që sapo të fillojë viti i ri, të paguajë shumat e prapambetura. Pra këto shuma të papaguara kanë fshehur deficitin dhe borxhin e vitit të mëparshëm. Shqetësimi për zinxhirin e borxheve të këqija të buxhetit ndaj kompanive private dhe enteve publike, të borxheve të papaguara të enteve publike ndaj kompanive private dhe niveli i borxheve të papaguara midis kompanive private, është evidentuar nga FMN-ja dhe studimi i fundit i Bankës Botërore (BB), ku rezulton se vendi ynë i ka këta tregues më të përkeqësuar krahasuar me të gjitha vendet e Europës Juglindore. Kriza globale aktuale ka treguar se vendet janë përfshirë në një krizë të rëndë jo vetëm nga borxhi i madh i buxhetit, por edhe nga borxhi i madh i kompanive dhe konsumatorëve ndaj bankave dhe niveli i lartë i borxhit privat.
Pseudoargumenti i dytë, që nuk kanë rëndësi treguesit mujorë, sepse në fund të vitit deficiti dhe borxhi do të jenë në nivelin e miratuar ligjor, ka kundërargumente të plota profesionale.
Së pari – Tejkalimi i deficitit në pjesën më të madhe të tij, jo vetëm në vitin 2012, vjen nga rënia e të ardhurave buxhetore, çka do të thotë që ky tregues do të jetë i tillë deri në fund të vitit.
Së dyti – Niveli i disa shpenzimeve korrente ka një tejkalim shumë të madh, çka e bën këtë tregues të ketë të njëjtin efekt deri në fund të vitit.
Së treti – E vetmja rrugë e mundshme që qeveria të ruajë të njëjtin nivel të deficitit dhe borxhit është të bllokojë në mënyrë administrative ose jo administrative, transparente ose jo transparente, një pjesë të shpenzimeve dhe investimeve të buxhetit. Kjo bëhet më e qartë po të analizohet niveli i mosrealizimit të të ardhurave. Njëkohësisht edhe risku i keqpërdorimit elektoral i të ardhurave nga privatizimi do të jetë shumë i lartë në prag të vitit elektoral 2013.
Pra, në fund të vitit 2012, rrezikohemi të kemi detyrime të prapambetura të papaguara më shumë se në vitin e kaluar. Kjo do të ndikojë mjaft edhe në buxhetin e vitit 2013, i cili do të ketë më shumë presione shpërdoruese të “bollëkut” dhe copëzimit të investimeve elektorale dhe rritjes së detyrimeve të prapambetura. Do të ketë tejkalim të deficitit dhe borxhit që para zgjedhjeve, me qëllimin për të vënë në vështirësi të menjëhershme qeverinë e re të vendit. Kjo eksperiencë negative u konstatua në vitin 2011, qeveria përpara zgjedhjeve vendore tejkaloi “investimet publike” me rreth 193 për qind të nivelit të parashikuar për 5 muajt e parë të vitit.
Ky dështim i qeverisjes së PD-së nuk duhet lejuar të komprometojë dhe vështirësojë sfidat e vendit përpara dhe pas zgjedhjeve. Kontrolli parlamentar mbi buxhetin duhet të rritet në maksimum, transparenca me publikun duhet të rritet. Përgjegjësia e dështimit duhet t‘i shkojë qeverisë në dështim, duke e ndalur vazhdimin e mëtejshëm të kësaj keqqeverisjeje.
© Panorama.al












