“Dera jonë është e hapur për këdo!”- Noka për bashkimin e opozitës: Çdo parti është e ftuar të bashkohet në front të gjerë kundër narkoregjimit! Dora jonë e shtrirë, s’kemi kushte

Dec 23, 2025 | 21:54

Dera e Partisë Demokratike është e hapur për të gjitha partitë që ndihen opozitare, me qëllim bashkimin në front të gjerë kundër narkoregjimit.

flamur noka news 24

Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” deputeti Flamur Noka, teksa u pyet për bashkëpunimin e selisë blu edhe me faktorë të tjerë të opozitës.

Por ai shtoi se nuk marrin askënd me zor që t’i bashkohen PD-së, por dora mbetet e shtrirë.

“Pse nuk i pyesni këto parti, se pse nuk i bashkohen protestës së Partisë Demokratike atje?! Ne e mbajmë dorën të shtrirë ndaj çdo force opozitare, faktori dhe aktori opozitar, që t’i japim fund këtij regjimi dhe narkosit. Kjo ka qenë lëvizja jonë e palëkundur në rrugëtimin tonë politik. E keni ndjekur zotin Berisha që i ka bërë thirrje këtyre partive të bashkohen, kohë kanë sepse ky është vetëm fillimi. Ne i ftojmë të ulen pa asnjë kusht, jemi të interesuar që fronti opozitar të jetë sa më i gjerë. Ne nuk përjashtojmë askënd, vetëm nëse duan të vetëpërjashtohen”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

I pyetur disa herë për Ervin Salianjin si faktor opozitar, ai përsëriti se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD që kur bashkëpunoi me Suel Çelën për takimin e Elbasanit dhe që kur loboi për Endri Shabanin si Avokat i Popullit.

“Zoti Salianji është një individ, unë po flas për partitë. Zoti Salianji është i përjashtuar, ju keni hallin e tij, unë kam hallin e partisë. Ai bashkëpunoi dhe loboi edhe me Suel Çelën dhe për Endrit Shabanin për Avokat Populli”, tha ai.

Noka përsëriti ftesën ndaj partive opozitare edhe një herë, duke thënë se mund të vijnë të ulen në tavolinën e opozitës për bashkim dhe pa asnjë kusht.

Deputeti demokrat nënvizoi se të jesh opozitar kërkon sakrifica dhe është sakrilegj, sepse përballesh me të gjitha sulmet nga regjimi qeveritar.

“Ne i bëjmë ftesë këtyre partive, kemi vullnetin tonë, të ulemi e të bëhemi bashkë kundër narkoregjimin. Kush e ndjen veten pjesë ne jemi të hapur, askush nuk bëhet opozitar me zor. Kur ka një narkoregjim, duhet të jesh opozitar i sakrificave, është sakrilegj i madh, se do provosh hakmarrjen e narkoregjimit, nga instancat shtetërore, te narkoregjimi. Ne nuk ndalojmë askënd që të bëhet pjesë e këtyre sakrificave, ne kemi detyrë si parti e madhe e opozitës ta mbajmë derën hapur, mirë se të vijnë, derën e mbajmë hapur për këdo nëse duan. Nëse nuk duan të vijnë, ne nuk i gjykojmë”, u shpreh ligjvënësi opozitar.

© Panorama.al

Te lidhura