Deputetja e PD: Të mblidhemi fuqishëm më 22 dhjetor në protestën kombëtare, të bashkohemi pa asnjë dallim!

Dec 15, 2025 | 18:47

Opozita mbajti mbrëmjen e sotme (15 dhjetor) Foltoren e saj të pestë para kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë “Rama”, pas skandalit të zv/kryeministres Belinda Balluku, me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe marrjes e pandehur dhe me masë sigurie pezullim nga detyra e bllokim pasaporte nga SPAK-GJKKO.

Kjo protestë i paraprin asaj kombëtare që do të mbahet të hënën e ardhshme (22 dhjetor), po në bulevardin para Kryeministrisë, teksa Partia Demokratike ka njoftuar publikisht tërheqjen nga të gjitha komisionet parlamentare, përfshi Territorialen dhe Zgjedhoren.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, teksa foli nga podiumi, denoncoi ligjet abuzive të mazhorancës për oligarkët, deri edhe te amnistia fiskale dhe refuzimin e amendimeve të opozitës për minimumin jetik, rritjen e ndihmës ekonomike, pensioneve, dëmshpërblimeve nga përmbytjet dhe ilaçet e spitaleve.

Zhupa tha se ato që kërkonte opozita në Kuvend ishin sa një e qindtta e Tunelit të Llogarasë, por qeveria thotë se nuk ka para, ndërkohë që ua jep ato oligarkëve me ligje.

“Ju keni zgjedhur të përballeni e të protestoni, të flisni në emër të mijëra shqiptarëve që protestojnë për gjendjen e tyre, e që ende nuk kanë gjetur kurajon që të bashkohen. Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria, dikush për shkak të sëmundjes së nënës, dikush se nuk sheh të ardhmen dhe të gjithë kanë arsye, nuk kanë shpresë për Shqipërinë. Jemi afër festave dhe familjet shqiptare janë varfëruar, ata mendojnë se si do të shtyjnë javën, se nuk mund të bëjnë dot asnjë dhuratë për fëmijët e tyre. Shumë prej tyre sipas INSTAT jetojnë në varfëri ekstreme, këta nuk bëjnë as ligjin e minimumit jetik. Parlament që mendo vetëm për njerëzit e vetë, bëjnë amnisti fiskale për të falur miliona euro për mbështetësit e tyre, ndërkohë që mund të jepeshin për familjet në nevojë. A mund të mbijetosh me 60 mijë lekë të vjetra në muaj? Po me pensionin rural?”, tha ligjvënësja demokrate.

ina zhupa

Zhupa foli edhe për rrëzimin e të gjitha kërkesave të opozitës në Kuvend, ku kërkohej mbështetja e familjeve shqiptare ekonomikisht.

“Kemi që në shtator në Kuvend dhe nuk është kaluar asnjë ligj për qytetarët, vetëm ligje për oligarkët. Ne propozojmë ligje dhe amendamente që nga Spitali Onkologjik, tek vrasjet nëpër shkolla, siguria, por nuk e miratojnë, që janë një e njëqindtta e tunelit të Llogarasë, por ata nuk miratojnë. Zona e jugut, Delvina e Finiqi janë përmbytur, por asnjë ligj shpërblimi nuk bëhet, nuk kanë para, s’ka para buxheti, por paratë janë e buxheti është, po janë qeveritarët e korruptuar”, tha ajo.

Deputetja denoncoi edhe dhunën e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve të “Shqipëri Bëhet”. Ajo shprehu mbështetjen e opozitës ndaj kësaj lëvizjeje.

“Mbështes edhe protestën e Shqipëria Bëhet dhe dënoj dhunën policore ndaj tyre, sheshi është për të gjithë, denoncoj dhunën qeveritare ndaj opozitës”, vijoi ligjvënësja.

Në fund Zhupa bëri thirrje që më 22 dhjetor, në protestën kombëtare të PD-së, të mblidheshin sa më shumë shqiptarë, për të rrëzuar qeverinë e korruptuar, që ajo të dorëhiqet pas skandaleve të zv/kryeministres Balluku.

“Ndaj të mblidhemi, të jemi të fuqishëm më 22 dhjetor, të bëjmë protestë kombëtare, e që të sigurojmë që paratë të shkojnë te qytetarët dhe që zgjedhjet të jenë të lira, të vendosin qytetarët se kush duan të qeverisë dhe jo ta japin votën nën presion. Më 22 dhjetor në këtë shesh, vetëm bashkë e rrëzojmë qeverinë, të jemi shumë e të bashkohemi pa asnjë dallim”, përfundoi deputetja demokrate.

© Panorama.al

Te lidhura