Deputetit Eduart Shalsi i vjedhin makinën “Opel”

Oct 20, 2011 | 13:06

Persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur në Tiranë makinën deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi. Ngjarja ka ndodhur në harkun kohor rreth orës 20:00-21:00 të mbrëmjes së të martës, kur automjeti ishte parkuar në rrugën “Mine Peza”, në Tiranë. Deputeti Shalsi ka pakuar makinën tip fuoristradë “Opel” në një vend të sigurt, gjatë kohës që kryente disa takime pune në zonën e tij elektorale, por kur është kthyer, nuk e ka gjetur më. Fillimisht është interesuar nëse automjeti mund të ishte hequr nga vendi i parkuar me ndonjë karotrec, edhe pse aty nuk kishte ndonjë tabelë që ndalonte parkimin. Kur ka marrë përgjigje negative në lidhje me shqetësimin e parë, atë të karotrecit, atëherë ka kuptuar se makinën ia kishin vjedhur. Për këtë arsye mësohet se deputeti Shalsi ka bërë një kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kallëzim që mësohet t’i ketë kaluar për hetim edhe Komisariatit Nr.3, duke qenë se ka në juridiksion zonën ku ka qenë e parkuar makina para se të vidhej. Burime nga Policia thanë mbrëmë se kanë nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen, për të zbuluar autorët e vjedhjes, si dhe për të gjetur makinën e deputetit Shalsi. Fillimisht është verifikuar zona përreth vendit ku ka ndodhur ngjarja, për të parë nëse mund të kishte kamera sigurie. Sipas Policisë, asnjë godinë që ndodhet në rrezen ku mund të fokusoheshin autorët, nuk ka të instaluara kamera.

© Panorama.al

Te lidhura