Deputeti i PD: Rilindja i largoi shqiptarët, Diaspora përdoret politikisht si në zgjedhjet e fundit! Projektligji, strategji për ta kontrolluar

Dec 3, 2025 | 10:38

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme u përfshi nga debatet ditën e sotme, teksa diskutohej projektligji për Diasporën.

komisioni per punet e jashtme

Ndërsa deputetët diskutuan për projektligjin, pati edhe kundërshti nga opozita, duke ngritur dyshime të forta se qëllimi është kontrolli i diasporës me mekanizma shtetërore, pasi mungon transparenca dhe institucionet nuk janë të pavarura.

Deputeti i PD, Tritan Shehu, solli në vëmendje disa problematika me diasporën, si përdorimi i saj për qëllime politike, për votën siç ndodhi zgjedhjet e 11 majit, por edhe dukuria e braktisjes së vendit.

“Çështja e diasporës është e rëndësishme, pasi kemi një braktisje masive dhe largime masive të shqiptarëve nga vendi si pasojë e regjimit të Rilindjes. E pashë projektligjin për diasporën dhe tërheqjen e saj në Shqipëri e shoh të vështirë, nuk është çështje e qendrave kulturore, sepse nuk duhet të bëjmë mënyra arbitrare për të mbajtur këtu me forcë shqiptarët. Kujtoj këtu çështjen e shëndetësisë me studentët e Mjekësisë që duhet të punonin këtu 3 vite para se të largoheshin jashtë vendit, duke u mbajtur diplomën peng. Kjo ishte absurde. Të rinjtë kanë të drejtë të shkojnë ku të duan dhe të punojnë apo specializohen, çështja është a jemi të aftë t’i sjellim përsëri të formuar nga ana shkencore dhe profesionale”, tha Shehu mes të tjerash.

Ligjvënësi demokrat vuri në dukje çështjen e përdorimit politik të diasporës me qëllim kryesisht marrjen e votës në zgjedhje.

“Diaspora përdoret si mjet për të deformuar edhe proceset e votimit, si rasti i fundit i 11 majit, ku u shkatërrua vota e diasporës. Unë mendoj se institucionet e Diasporës duhet të jenë të pavarura dhe jo të varura, nuk duhet të përdoret diaspora politikisht. Nuk jam kundër Ministrisë së Jashtme, por agjencia për diasporën duhet të jetë e pavarur. Me këtë ligj kemi kontroll të shtuar shtetëror ndaj këtyre agjencive”, tha deputeti.

tritan shehu

Shehu e mbylli fjalën e tij duke u shprehur pesimist për qëllimet e projektligjit dhe strategjisë për Diasporën, duke nënvizuar se qëllimi i agjencive është kontrolli shtetëror i plotë i Diasporës. Ai kërkoi edhe shtimin e buxhetit për të afruar Diasporën në Shqipëri dhe njerëzit akademikë e me vlera.

“Unë mendoj se ky ligj influencon negativisht te diaspora. Pse nuk kërkohen shtesa në buxhet për diasporën, sepse ka shpenzime të mëdha, pasi duhen kushte për ta realizuar. Për mua është negative të kthehesh mbrapsht në kohë. Ndaj jam kundër metodave të Rilindjes për kontrollin e diasporës shqiptare dhe përdorimit të saj”, përfundoi Shehu.

Rendi i ditës te Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme:

1.Shqyrtimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, i ndryshuar”,

2.Shqyrtimi i projektligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

© Panorama.al

Te lidhura