FIER – Një grup deputetësh të Partisë Socialiste ishin dje në ambientet e Azotikut të Fierit, për të denoncuar sipas tyre vjedhjen e uzinës për skrap. Deputeti socialist, Eduard Shalsi, i shoqëruar nga dy kolegët e tij, të zgjedhur në Fier, Armando Subashi e Ervin Koçi, u shpreh se, çdo çast kjo qeveri po provon qartësisht se nuk është fryt i vullnetit të sovranit, por pjellë e grabitjes së vullnetit të popullit. “Çdo ditë, çdo orë, çdo çast kjo qeveri po provon qartësisht se nuk është fryt i vullnetit të sovranit, por pjellë e grabitjes së vullnetit të popullit. Kemi ardhur të shohim nga afër se çfarë po ndodh në Azotikun e Fierit. Media kurajoze kanë nxjerrë në dritë fakte rrëqethëse për një grabitje në mes të ditës. Një denoncim i guximshëm që ka gjetur, si dhe në raste të tjera, heshtjen e të akuzuarve. Po çfarë ka ndodhur? Një ankand me fitues të paracaktuar ka vendosur që mbetjet metalore të uzinës të shiten për skrap. Megjithëse komisioni i prokurimit publik vendosi të pezullojë procedurën e ankandit, njerëzit e Sali Berishës dhe Ilir Metës jo vetëm që nuk ndalen, por përkundrazi, iu vërsulën me një shpejtësi marramendëse duke çmontuar dhe transportuar, një Zot e di se çfarë sasie”, u shpreh deputeti Shalsi. Sipas tij, pasuria publike e shqiptarëve, të mirat e përbashkëta të shqiptareve nuk po shfrytëzohen dhe as po përdoren për interes publik, por po grabiten. “Babëzia me të cilën Saliu dhe Iliri i janë turrur çdo gjëje që u del përpara pa kurrfarë përgjegjësie e turpi, është e paimagjinueshme. Këta njerëz duhen ndalur. Këta njerëz nuk duhen lejuar të sillen me pasuritë publike si të jenë mall pa zot. Do të vendosim para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë zhytur duart në këtë aferë dhe këtë do ta fillojmë duke i kërkuar llogari ministrit Naço, pa urdhrin dhe bekimin e të cilit kjo aferë nuk do mund të ndodhte”, u shpreh më tej ai. m.r











