TIRANE – Një piktor 71 vjeç i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm, duke u hedhur nga kati i shtatë, nga ballkoni i apartamentit ku banonte. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:30 të mëngjesit, në rrugën “Riza Cerova”, pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë. Viktima quhet Muhamet Deliu, me profesion piktor, dhe jetonte prej vitesh i vetëm në apartamentin nga ballkoni i të cilit u hodh. Policia e Komisariatit Nr.1 u lajmërua për ngjarjen nga banorët e pallatit, të cilët kur kanë dalë në mëngjes kanë parë trupin e pajetë të të moshuarit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë efektivat e rëndit e më pas edhe oficerët e seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe banesës ku jetonte Deliu. Burime nga Policia thanë se në apartamentin e tij nuk është gjetur ndonjë letër ku piktori mund të kishte shkruar arsyet që e çuan në vetëvrasje, por janë marrë në pyetje të afërmit e tij. Nga dëshmitë e familjarëve rezulton se 71-vjeçari kohët e fundit vuante nga depresioni, por edhe nga një sëmundje në mushkëri. Sipas Policisë, kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja që Muhamet Deliu u vetëhodh nga kati i shtatë i pallatit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Por, sipas të njëjtave burime, në depresionin e tij mund të ketë ndikuar vetmia, pasi prej disa vitesh ai jetonte pa asnjë familjar në shtëpi.











