Të gjithë ata ish-maturantë që kanë mbetur jashtë listës së fituesve të shkollës së lartë, kanë edhe një mundësi të fundit përmes plotësimit të formularit A3. Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi dje këtë formular me degët që ende mund të pranojnë studentë për të gjitha universitetet në vend. Sipas udhëzimit që shoqëron formularin A3, bëhet me dije se mund ta plotësojnë disa kategori: nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurrimit me formularin A2, janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A2 dhe nuk janë të regjistruar, ishin mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore dhe kaluan në provimet e vjeshtës, janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z dhe

rezultojnë kalues në të katra provimet. Shpërndarja e formularëve pranë drejtorive arsimore rajonale do të fillojë më datë 16 tetor dhe përfundon të nesërmen, ndërkohë që kandidatët mund ta tërheqin atë pranë këtyre drejtorive në datë 17 tetor. “Maturantët/kandidatët që nuk kanë plotësuar më parë formularin A2, e marrin formularin A3 pasi të bëjnë pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare. Për këtë kontingjent maturantë/kandidatë, drejtoritë e shkollave i dorëzojnë mandat-pagesat përkatëse së bashku me formularët A3 në DAR/ZA. Drejtoritë e shkollave t`i dorëzojnë formularët A3 të plotësuar dhe të paplotësuar me proces-verbal pranë DAR/ZA-ve përgjegjëse brenda datës 21.10.2011”, thuhet në udhëzimin e ministrit të Arsimit. Sakaq, drejtoritë arsimore rajonale kanë si detyrim t’i dërgojnë formularët A3 në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së më 22-23 tetor. Lidhur me përgjigjen përfundimtare, kandidatët do të mund të marrin vesh nëse kanë fituar apo jo më datë 31 tetor. Në formularin A3 bie në sy fakti që janë përjashtuar degët e njohura si të preferuara.











