NGA EKREM SPAHIU 
Po përjetojmë një degradim total të situatës politike dhe pleksur me të, edhe të sigurisë së jetës së qytetarëve. Kemi arsye të vlerësojmë se vendi ndodhet në një gjendje alarmi. Zhvillimet politike flasin për një asfiksim gjithnjë e më të madh të interesimit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje parlamentare dhe lokale, pikërisht aty ku fillon themeli i shtetit demokratik. Ndërkohë, derivatet e kësaj situate politike, korrupsionit shtetëror, krimi i organizuar dhe ai ordiner po bëhen zot brenda institucioneve dhe objekteve nevralgjike të shtetit. Rreth një muaj më parë u vra gjyqtari Astrit Kalaja, me armë zjarri, brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, një gjykatë tepër nevralgjike, në mes të ditës dhe brenda institucionit. Në ato ditë ngrita me shqetësim çështjen se, kur nuk ka siguri njëra nga shtyllat kryesore të shtetit, sikurse është gjykata, atëherë cila është siguria e shtyllave të tjera të shtetit?
Nuk vonoi, që pikërisht këto ditë, krimi, madje krimi i organizuar, mori trajtat më agresive të mundshme, duke nxjerrë plotësisht jashtë loje gjithë sistemin e sigurisë publike. Vrasja mafioze u krye në rrethrrotullimin e brendshëm të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, praktikisht brenda objektit më strategjik të kontaktit dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me botën. Është objekt unik në vend, i cili, normalisht, supozohet të jetë më i sigurti, për të cilin të gjitha institucionet dhe strukturat e sigurisë e të mbrojtjes kombëtare ose kanë pjesën dhe përgjegjësinë e tyre, ose cenohen prej rreziqeve e kërcënimeve të tilla. Megjithatë, krimi i organizuar hyri dhe qëndronte aty si në shtëpi të vet, vrau, dogji dhe u largua në drejtim të paditur, pa pasur asnjë shqetësim. Kur qytetari shqiptar, çoftë edhe më militanti i pushtetit mëson se drejtuesi i automjetit ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, atëherë ka të drejtë të dyshojë: Kemi shtet? Kemi polici shteti? Kemi shërbim informativ shtetëror? Kemi…?
Asgjë nuk lind në terren jopjellor. Dhe terrenin, pjellor ose jopjellor, e përgatit më shumë se kushdo, politika. Politikisht kishim paralajmëruar disa herë se reformat zgjedhore në vendin tonë janë bërë dhe vijojnë të bëhen për të ushqyer pazaret politike të dy partive kryesore, ku në vend që fatin e zgjedhjeve në Shqipëri ta vendosë votuesi, në fakt e vendosin orekset, parapëlqimet dhe pazaret e politikanëve nëpërmjet sistemeve zgjedhore dhe listave të mbyllura. I kam cilësuar këto një goditje të rëndë kundër demokracisë, të cilat hapin rrugë për të tjera goditje. Nuk vonoi dhe në zgjedhjet e pjesshme që u kryen këto ditë në pesë bashki të vendit, pjesëmarrja ishte 18.45%! Ishte kuota më e ulët e pjesëmarrjes në votime në këto 35 vjet shtet demokratik. Me këtë prag votuesish, praktikisht mund të thuhet se ky votim ishte plotësisht një farsë, si për pozitën, ashtu edhe për opozitën.
Por çështja është se pas një viti e gjysmë, vendi do të jetë përsëri në zgjedhje vendore. Kompromentimi që pamë në këto zgjedhje të pjesshme, me siguri do të bëhet prirje edhe në zgjedhjet që presim të zhvillohen në të gjithë vendin. Prandaj është koha ta shpëtojmë vendin nga një degradim dhe kompromentim i mëtejshëm, sa politik, aq edhe të sigurisë publike. Krimi, duke qenë në bashkëjetesë me segmente të politikes dhe institucioneve ligjzbatuese, përbën ankthin kryesor të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë, braktisja e zgjedhjeve nga qytetarët inkurajon drejtpërdrejt kriminalizimin e segmenteve të shtetit dhe të shoqërisë, sepse fatet e vendit mbeten brenda rrethit vicioz: politikë-krim!
/Gazeta Panorama
© Panorama.al










